Prej rezervistit te Real Madridi në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Përfaqësueses së Spanjës në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Ka qenë kjo një kthesë e mirë dhe e papritur për sulmuesin e krahut, Marco Asensio.
Asensio ka bërë vetëm disa paraqitje te Real Madridi duke u inkuadruar si rezervist nën drejtimin e Carlo Ancelottit. Por, gjërat kanë qenë ndryshe me Spanjën, ku ai është lojtar i rëndësishëm i ekipit të rinovuar të trajnerit Luis Enrique. Spanja bëri një fillim të fuqishëm në përpjekjen për ta fituar titullin e dytë të Botës.
Asensio shënoi një gol në fitoren e Spanjës 7:0 ndaj Kosta-Rikës në Grupin E të mërkurën, duke marrë kështu një rol lideri për ta ndihmuar “La Rojan” ta hapë kampanjën me fitore të jashtëzakonshme. Spanja po përpiqet të fitojë titullin e parë të madh që nga “Euro 2012”. Ndeshja e radhës e Spanjës është të dielën kundër Gjermanisë, e cila u befasua në start nga Japonia me shifrat 2:1.
Luis Enrique, i cili rrallë i veçon lojtarët për lëvdata, nuk është përmbajtur të premten kur u pyet për rëndësinë e Asensios.
“Asensio ka qenë spektakolar, ai është në një nivel të lartë. Ai është një lojtar i madh dhe unë jam i emocionuar që ai po luan mirë”.
Asensio, i cili ishte titullar në vetëm tri ndeshje për Real Madrid këtë sezon, tha se kurrë nuk është ndier më rehat sesa që po ndihet tani te Spanja.
“Po ndihem shumë mirë”, tha Asensio. “Jam rehat me atë që Luis Enrique ka kërkuar nga unë dhe jam i lumtur që ai ka besim tek unë”.
Asensio ishte larguar nga Spanja për një kohë derisa mori një thirrje për ndeshjet e Ligës së Kombeve në qershor të vitit 2021, kur Luis Enrique nuk mundi të zgjidhte shumë lojtarë të tjerë për shkak të lëndimeve. Ai ka lulëzuar që atëherë dhe ka siguruar vendin e tij në skuadër.
“Isha i emocionuar që mora thirrjen nga Luis Enrique”, tha ai. “Isha në ankth të kthehesha dhe jam i lumtur që e shfrytëzova mundësinë”.
Luis Enrique e ka përdorur Asension në pozicione të ndryshme, duke përfshirë si “nëntëshe false” dhe si sulmues, gjë që ndodhi në ndeshjen e parë kur trajneri preferoi Asensionn para titullarit të rregullt, Alvaro Morata.
“Që në ditën e parë Luis Enrique më tha se do të luaja në disa pozicione të ndryshme”, tha 26-vjeçari Asensio.
Ai tha se Kupa e Botës mund të ndihmojë në ndryshimin e gjërave për të në nivel klubesh, pavarësisht nëse qëndron te Real Madridi apo largohet kur t'i mbarojë kontrata vitin e ardhshëm.
“Kupa e Botës është gjithmonë e rëndësishme për një lojtar, nuk e di nëse është një pikë kthese, por është shumë e rëndësishme për mua. Po e pres me padurim secilën ndeshje të këtij turneu për shkak të synimeve që i kemi”, shtoi Asensio.
Ky është Botërori i dytë për Asension. Ai bëri tri paraqitje në turneun e vitit 2018 në Rusi, kur Spanja u eliminua nga mikpritësit në 1/8 e finales. Ai nuk u fut në skuadrën e Spanjës për Kampionatin Evropian vitin e kaluar, por ishte në ekipin që arriti në finalen e Lojërave Olimpike të Tokios, duke fituar një medalje të argjendtë.