Sport

Anglia e motivuar për ndeshjen me Uellsin

Anglia - Katar 2022

Nëse Anglia ka nevojë për një motivim shtesë para ndeshjes së fundit të fazës grupore të Kupës së Botës kundër Uellsit, të martën, duhet vetëm ta shikojë një video nga viti 2016.

Pamja e lojtarëve të Uellsit duke festuar u përhap në gjithë Mbretërinë e Bashkuar, pasi fqinja e tyre, Anglia, u eliminua nga Kampionati Evropian duke u mposhtur nga Islanda.

Anglia u turpërua. Uellsi, që humbi 2:1 nga “Tre Luanët” në fazën e grupeve por shkoi deri në gjysmëfinale, ishte shumë i gëzuar.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë, diçka për të cilën ka folur edhe sulmuesi i Anglisë, Marcus Rashford, para ndeshjes së Grupit B.

Uellsi e Anglia takohen të martën nga ora 20:00 në Al Rayyan.

“Nuk mendoj se duhet të jesh gjeni për ta parë se sa jemi përmirësuar që nga viti 2016. Unë e kam ndjenjën se është një skuadër krejtësisht ndryshe. Kemi arritur kaq shumë. Kemi mësuar shumë për veten përgjatë kësaj rruge”, ka thënë Rashford.

“Kur kthehesh në vitin 2016, nëse sheh paraqitjen kur u eliminuam nga Evropiani, është me miliona milje larg nga ku jemi tani. Nuk mund t’i krahasosh në të vërtetë këto dy situata”.

Kjo ndjenjë mbështetet nga paraqitjet e Anglisë në turne përgjatë katër vjetëve të fundit – arritja në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2018 dhe finalja e Kampionatit Evropian e vitit të kaluar, të cilën e humbi në penallti nga Italia.

Anglia është në mesin e favoriteve për të triumfuar në Katar dhe i duhet vetëm një pikë kundër Uellsit për ta siguruar kalimin e fazës së grupeve. Nëse shihet goldallimi, Anglia përsëri do të mund të avanconte, edhe nëse e humb ndeshjen.

Për Uellsin, rreziku është më i madh.

I fundit në grup me vetëm një pikë nga dy ndeshjet e para, Uellsi duhet të fitojë për të pasur ndonjë shans për të arritur në 1/8 e finales në Botëror, të parin që prej vitit 1958.

“Kjo është ajo që dhemb për momentin”, ka thënë mesfushori Joe Allen. “Është një ndjenjë e mundësisë së humbur në dy ndeshjet e para. Vëmendja jonë tani është në qendrën stërvitore, duke punuar dhe duke u përgatitur për paraqitjen jetësore kundër Anglisë”, shtoi ai.

Uellsi është duke kërkuar frymëzimin e Gareth Bale, nëse dëshiron të fitojë kundër Anglisë për herë të parë që prej vitit 1984.

Sulmuesi i Los Angeles FC erdhi në turne me vetëm një ndeshje mbi supe që prej fillimit të muajit tetor dhe është shfaqur me vështirësi.

Ndërkohë, Harry Kane i Anglisë ende nuk ka shënuar gol në këtë Kupë të Botës dhe nuk kishte ritmin e duhur në barazimin pa gola kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi kishte lënduar nyjën e këmbës në ndeshjen paraprake ndaj Iranit.

Fituesi i “Këpucës së Artë” në vitin 2018 është vetëm tre gola larg Wayne Rooneyt që në total ka 53 gola të realizuar, e që është golashënuesi më i mirë i Anglisë.

“Ai është duke u kënaqur me futbollin që po bën”, ka thënë Rashford. “Por çdo sulmues kërkon që të shënojë gola. Jam i sigurt se nëse ai vazhdon të luajë siç ka bërë deri tani, do të shënojë”.