Një agjente sportive ka hedhur akuza të forta ndaj presidentit të Federatës së Futbollit të Francës, të martën. Ajo e ka akuzuar presidentin për sjellje të pahijshme që ka treguar përgjatë disa vjetëve, duke thënë se ai ishte i interesuar vetëm për marrëdhënie seksuale.
Noel Le Graet ka pasur një javë të vështirë në Francë, ndërkohë që tani përballet me akuza të reja. Ai të hënën u detyrua të kërkonte falje për komentet që i kishte bërë ndaj Zinedine Zidanet kur ishte pyetur për të ardhmen e ish-futbollistit si trajner i Francës.
81-vjeçari ishte kritikuar ashpër për këto komente ndaj Zinedine Zidanet nga Kylian Mbappe, Real Madridi dhe ministrja e sportit të Francës, Amelie Oudea-Castera. Kjo e fundit ka urdhëruar një hetim të plotë në federatën franceze, pasi presidenti Le Graet edhe më herët është akuzuar se ka ngacmuar seksualisht zyrtaret në këtë institucion.
Agjentja 37-vjeçare, Sonia Souid, në një intervistë për të përditshmen franceze “L’Equipe” ka zbuluar se Le Graet nisi t’i afrohej asaj prej vitit 2013 e deri në vitin 2017. Ajo ka thënë se derisa kishte dashur të krijonte dhe zhvillonte një marrëdhënie biznesi me presidentin Le Graet për të promovuar futbollin e femrave, ai më shumë ishte i interesuar t’i linte asaj mesazhe telefonike në orët e vona duke e ftuar për të pirë shampanjë. Kjo akuzë u bashkohet akuzave të punëtoreve të federatës franceze. Ato janë ankuar se vazhdimisht janë ngacmuar nga presidenti Le Graet.
Ministrja franceze e sportit muaj më parë urdhëroi një hetim në federatë. Ndërkohë federata paralajmëroi se do të ngrinte padi kundër magazinës “SoFoot”, që kishte raportuar për çështjen, e që sipas federatës nuk ishte e vërtetë.
Magazina franceze ka publikuar një hetim prej gjashtë faqesh, i cili përmbante deklarata të ish-punëtoreve dhe punëtoreve aktuale të federatës, të dhëna në kushte anonimiteti. Ishin publikuar edhe mesazhet e pahijshme që Le Great u kishte dërguar atyre.
Agjentja Souid, e cila tha se e kishte takuar për herë të parë Le Graetin në vitin 2013, gjithashtu kishte marrë mesazhe ku ishte ftuar për të dalë në mbrëmje si dhe porosi se ajo po i mungon shumë atij. Souid insistoi se kurrë nuk kishte provokuar dhe nuk kishte folur fjalë për ta nxitur Le Graetin, por shton se asaj i është bërë me dije se do të duhej të kishte marrëdhënie seksuale me të për t’i shtyrë idetë përpara.
“Ai kurrë nuk më shikonte mua sikur një agjente, por sikur një sheqerkë”, ka thënë Souid.
Souid zbuloi se aq shumë ishte lënduar nga qëndrimi i presidentit La Graet, saqë kishte menduar t’i jepte fund karrierës si agjente. E pyetur nëse Le Graet e kishte ndihmuar ndonjëherë profesionalisht, Souid pranoi se ai i kishte gjetur numrin e trajneres Corinne Diacre dhe se ishte munduar të asistojë në bileta aeroplani për futbollisten e Francës, Amandine Henry.
Krahas rolit drejtues në federatën e Francës, Le Graet është edhe anëtar i Këshillit të FIFA-s. U propozua nga UEFA në vitin 2019 dhe ka pagë vjetore prej 250 mijë eurosh. Le Graet aktualisht është kandidat edhe për një mandat katërvjeçar në këtë post të FIFA-s, në zgjedhjet e këtij viti. Ai po sfidohet nga presidenti i Federatës së Futbollit të Portugalisë, Fernando Gomes. Zgjedhjet do të mbahen në prill, kur vendet anëtare të UEFA-s do të takohen në Lisbonë. Kandidatura e Le Graetit duhet të kalojë kontrollin e përshtatshmërisë dhe integritetit të drejtuar nga FIFA. Ai mund të kandidojë në zgjedhje pavarësisht se UEFA ka vendosur një kufi moshe deri në 70 vjet për kandidatët në komitetin e saj ekzekutiv.