Në muajin nëntor Albert Bunjaku do t’i mbushë 39 vjet. Por viti 2022 nuk do të jetë i fundit në karrierën e futbollistit të suksesshëm.
Të paktën kështu po planifikon ish-sulmuesi i Zvicrës dhe Kosovës.
“Kam filluar shkollimin për licencë të trajnerit, ndërsa licencën A dua ta marr pas dy vjetësh. Por, dua të luaj edhe një apo dy vjet, sepse ende nuk po e ndiej veten shumë plak”, ka thënë 38-vjeçari për KOHËN.
Sulmuesi Bunjaku është pa klub. Viktoria Koelni i Kategorisë së tretë të Gjermanisë e ka liruar sulmuesin nga Gjilani.
Bunjaku konfirmoi se më nuk do të jetë pjesë e klubit gjerman, ndonëse ka kontratë deri në qershor. Ai është në kërkim të ndonjë klubi ku do të kishte rol të dyfishtë.
“Jam duke pritur për të parë se çfarë oferta po vijnë. Dua të luaj edhe një apo dy vjet dhe pastaj të forcoj karrierën si trajner. Janë disa klube që e kanë kontaktuar menaxherin tim, por unë dua të hyjë në kombinim me klubin e ardhshëm. Pra, të jem ndihmëstrajner dhe lojtar. Shpresoj të vijë sa më shpejt. Kam kohë, nuk jam në stres. Por do të ishte perfekt nëse do të luaja dhe në të njëjtën kohë do të isha ndihmëstrajner i ndonjë klubi. Me Viktoria Koelnin kam kontratë deri në qershor dhe si të gjej një klub tjetër, do ta mbyll kontratën që e kam. Në Viktoria nuk e vazhdoj”, është shprehur Bunjaku.
Bunjaku te Viktoria Koeln u transferua në shtator të vitit 2018 nga Aue, kurse këtë edicion nuk ka shënuar asnjë gol në pesë ndeshje në Ligën e tretë gjermane. Ai ka bërë histori me Zvicrën dhe me Kosovën. Për Zvicrën ka luajtur në Botërorin 2010, kurse u bashkua me Kosovën në vitin 2014. Luajti në miqësoren e parë zyrtare, ndaj Haitit. Më pas shënoi golin e parë zyrtar të Kosovës në ndeshjen ndaj Turqisë, më 21 maj të vitit 2014. Për Kosovën ka shënuar tri gola në gjashtë ndeshje.
Ai ka bërë karrierë impresive, sidomos në Gjermani. Ka luajtur për Paderbornin, Erfurtin, Nuernbergun, Kaiserslauternin. Më pas u kthye në Zvicër ku luajti për St. Gallenin (2014-2017).
Skuadra ka ndërruar goxha, por golave nuk u është ndarë asnjëherë. I ka 13 gola në Bundesligë, 16 në Bundesliga 2, 15 në Superligën e Zvicrës, 32 në kategorinë e tretë gjermane.
Bunjaku nuk ua ka mbyllur as klubeve kosovare derën. Por, shton se gjasat janë të vogla që të luajë për ndonjë klub në Kosovë, ndonëse ka ëndërr ta përfundojë karrierën në futbollin kosovar.
“Nuk kam asnjë kontakt me ndonjë klub. Kam plane të qëndroj në Gjermani. Nuk më lënë fëmijët. Janë shefat e shtëpisë tani. Ata vendosin për të ardhmen time. Sigurisht se do të ishte mirë që ta mbyllja karrierën në Kosovë. Por, nuk kam kontakt. Pasi e pata luajtur ndeshjen e fundit, kurrë më nuk më ka thirrur dikush nga Kosova”, ka thënë Bunjaku.