SOT

Sami Haxhimusa për 41 vjet kontribuoi në mësimdhënie

Më shumë se gjysmën e jetës e ka kaluar me ditar në dorë, duke përcjellë gjenerata të shumta. 
Ish-mësuesi Sami Haxhimusa nga fshati Doganaj e Ferizajt, i takon brezit të mësuesve që ndërtuan themelet e arsimit në Kosovë.

Tash si 88-vjeçar, Haxhimusa kujton kohën kur mësimdhënia ishte më shumë se profesion, ishte mision për të.

“Kam punuar në fshatin Greme, gati 38 vjet. Po ashtu kam punuar në Sllatinë të Moravë etj. E kam përfunduar shkollën normale dhe jam gjeneratë e 56-61, në Prishtinë. Në atë kohë mësuesit janë caktuar se në çfarë shkolla të japin mësim. Pra, në disa shkolla kam dhënë mësim. Në atë kohë kam dhënë mësim në 8-vjeçare, si mësues i matematikës. Unë mësues kam qenë, por e kam kryer edhe punën e arsimtarit. Kam shkuar edhe ushtar, por jam kthyer përsëri në arsim, deri në pensionim. 2002 jam pensionuar”. 

Në fillimet e tij si mësues, udhëtonte me biçikletë në mungesë të transportit.

Për të kjo nuk ishte sfidë, sepse mësimdhënia ishte profesion i zemrës për të.  

“Çështja e udhëtimit ka qenë e vështirë atë kohe, sepse nuk ka pasur mjete të transportit shpesh. Për me shkuar në Viti ka qenë shumë vështirë me siguruar transport, por kam udhëtuar me biçikletë fillimisht dha  pastaj me motoçikletë. Gjithmonë jam nisur 30 minuta para kohe, për të mos u vonuar. Kam qenë i rregullt në vijueshmërinë e mësimit”.  

Sami Haxhimusa ndihet krenar që fshati Doganaj, shquhet për kuadro të shumta në arsim e fusha të tjera. 

“Kem pasuar shprehi të punë më shumë dhe kem pasur dëshirë me punuar. Edhe popullata në atë kohë më tepër na kanë dashur dhe përkrahur.  Në atë kohë aty-këtu, nuk i kanë dërguar vajzat në shkollë. Unë jam thuajse mësuesi i parë i diplomuar në Doganaj, ka pasur edhe të tjerë. Nga ky fshat kanë dalur intelektual, punëtor të arsimit, mjek, inxhinier etj”. 

88-vjeçari Haxhimusa thotë se për të mbetet nostalgjike periudha e mëhershme e mësimdhënies, krahasuar me ditët e sotme. 

“Sa i përket asaj kohe mësim nxënia ka qenë në nivel të duhur, po flas për gjeneratën time, që kanë qenë secili më i mirë se tjetër. Ne kem pasur më pak shkollë krahasim me sot, të cilët kanë shkollë të lartë. Unë në atë kohë mësues kam qenë me 12 vjet shkollë. Është punuar shume sepse kem pasur vullnet për punën. Nuk kem shikuar sa po punojmë, por qysh po punojmë sa më mirë, prandaj jem dalur mësues të suksesshëm. Edhe në shkolla kur kam punuar kam pasur kolegë pa diploma, por e kanë kryer punën e tyre, vullneti i ka mbajt. Në si mësues kem qenë të lirë, kem punuar aq sa kem mësuar edhe nga pedagog të tjerë, kem qenë të lirë çdo aspekt. Tash mësuesit ua kanë lidhur duart sepse më shumë po punojnë në administratë se në arsim. Mua më pëlqen çka po mëson nxënësi. Atë kohë kem bërë mësim, arsimin por edhe edukim. Tash mendo se arsimimi është në një nivel, por edukimi jo. Më herët mësuesin e kanë përshëndetur së paku një ‘Mirdita’, tash kjo nuk praktikohet. Po lihen pas-dore arsimtarët e sotëm. Ju them arsimtarëve nuk është politika për ju, për ju është arsimimi, trigonë vetën në mësimdhënien e nxënëseve”. 

Edhe pas mbi dy dekadash si i pensionuar, Haxhimusën nuk e harrojnë asnjëherë ish-nxënësit e tij, thekson ai, të cilët e vizitojnë herë pas here.  

“Kam kontakt me ish-nxënësit dhe më bëjnë respekt të madh. Nuk di edhe si ta shpjegoj më duan dhe i dua, me fjalë të tjera. Po e përmendi një ish-nxënës, i cili është mjek, Besim Ademi, takohem shpesh. Të gjithë ish-nxënësit i dua”, tha Haxhimusa.  

Rrugës së tij si mësimdhënës me mbi katër dekada përvojë pune në arsim, u drejtuan edhe tri vajzat e tij. 

Ndërkaq pensionimin po e shijon me praninë e mbesave e nipave të tij.

“Në arsim i kam edhe familjen, rejat, vajzat. Punojnë si mësuese në arsim. Jam i kënaqur me shkollimin dhe punën e fëmijëve të mi”. Djemtë nuk i kam me profesion në arsim ndërsa çikat po”. 
Kontributin 41-vjeçar të ish-mësuesit Sami Haxhimusa e kishte dekoruar edhe Komuna e Ferizajt, si shembull i për i përkushtimit në fushën e arsimit.