SOT

Rendimenti i grurit i lartë sivjet, por çmimi i ulët pengon fitimin

Rreth një javë më herët, për shkak të motit të nxehtë, sivjet kanë filluar korrje-shirjet në Kosovë.
Për fermerin Bunjamin Jashanica nga Lipjani, ky sezon ka sjellë rendiment të lartë të grurit.

Por, pavarësisht prodhimit të mirë, çmimi i ulët në treg konsiderohet një goditje e rëndë për bujqit vendas.

“Të paktën rreth një javë është më herët sepse fillimi i qershorit ishte me temperatura më të larta. Rendimenti është shumë i mirë eventualisht prej 5-7 tonë shkon për hektarë dhe cilësia është shumë e mirë. Shitja nuk është e mirë, më 17.5 centë është dalë në Ferizaj e në Lipjan 18 centë. Nuk është e drejtë  dhe nuk është çmim korrekt sepse çmimi i krundeve është bërë nga 2 euro në 6 euro. Buka është bërë nga 25 centë 60 centë, ndërsa gruri që ishte 20 centë ka rënë në 17”, deklaron Jashanica.

Sipas tij, për të arritur deri tek përfitimi i grurit për ta duhet shumë punë, e përfitimi nuk është i kënaqshëm.

rendimenti
Foto: KTV

“Nuk është e drejtë se çmimin po e përcaktojnë mullixhinjtë por shteti. Ne kemi kërkuar që të paktën të jetë 20 centë sepse çmimi i bukës është 60 centë. Të siguruar e kemi shitjen por mullixhinjtë nuk ta lejojnë me e lënë grurin aty për ta bërë miell sepse e blejnë më lirë. E kjo është e dëmshme për bujqit. Është punë e mundimshme me stres sepse gjithçka varet nga moti. Afërsisht i kam 25 hektarë dhe unë jam duke bashkëpunuar me një shokë ky i ka rreth 80 hektarë”, shton Jashanica.

Me çmim më të shtrenjtë, thotë bujku, Kosova merr grurin nga Serbia.

“Çmimi që vjen nga Serbia eventualisht sillet nga 22-24 centë deri në pikën grumbullues këtu, kështu që çmimin që e marrin prej neve është diferencë e madhe nuk është e favorshme për ne”, thotë Jashanica.

Megjithatë, për bujkun nga Lipjani bujqësia është një pasion. Përveç grurit ai merret edhe me kultura të tjera.

“Unë merrem që 10 vjet me këtë punë. E kam pasion. Me bujqësi e kemi si traditë familjare dhe pastaj jam shtyrë edhe nga shokët e mirë dhe puna po shkon shumë mirë, bëjmë shumë punë por edhe përfitim ka të mirë. Merrem edhe me kultura të tjera patate, misër, grurë, i punoj në tokat me qira”, deklaron ai. 

Nëse nuk do të ketë reshje, sipas Jashanicës, deri në fillimin e javës që vjen pritet të përfundojnë korrje-shirjet.