Në oborrin e Komunës së Podujevës është vendosur së fundmi një ulëse solare moderne, e para e këtij lloji në këtë qytet. Pajisja, e cila mundëson mbushjen e telefonave dhe ofron internet falas për qytetarët, është donacion nga organizata gjermane GIZ. Kjo ulëse është rezultat i një bashkëpunimi shumëvjeçar ndërkomunal dhe ndërkombëtar, që synon përmirësimin e mobilitetit urban dhe qasjes në teknologji të gjelbër
Një ulëse solare është vendosur së fundmi në hapësirat e objektit të Komunës së Podujevës.
Edhe pse nuk është projekt i drejtpërdrejtë i komunës, por një donacion nga GIZ-i gjerman, për sigurimin e saj, përfaqësues të komunës kanë udhëtuar për tre vjet në disa shtete të rajonit dhe më gjerë.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Podujevës, Bahri Selimi, tregon se gjatë kësaj periudhe janë organizuar edhe shumë konferenca dhe takime ndërkombëtare, në kuadër të projektit.
“Ne kemi udhëtuar nëpër shtete të tjera përfshirë Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e ZI, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Kemi pasur për 3 vjetët fundit shumë konferenca, e që ne kemi qenë të ftuar aty unë personalisht së bashku me 2 komuna të tjera të Kosovës, ku kemi përfunduar komplet projektin”, tha ai.
Sipas Selimit, ulësja është pjesë e projektit “Stabiliteti i qëndrueshëm urban”, i cili synon përmirësimin e mobilitetit urban dhe përfshirjen e elementeve të gjelbra në infrastrukturën komunale.
“Kjo ulëse është një donacion nga GIZ-i gjerman, ka qenë e përfshirë edhe komuna e Podujevës, së bashku me 3 komuna të tjera të republikës së Kosovës. Pas një sërë takimesh dhe bisedimesh në shtete të tjera por edhe në Ballkanin Perëndimor në fund na është dhënë donacion kjo ulëse solare. Ne e kemi marrë në kuadër të projektit ‘Stabiliteti i qëndrueshëm urban’, që ka të bëjë me të gjithë mobilitetin e komunës që përfshihet edhe pjesa e gjelbër”, theksoi ai.
Ulësja solare ofron një sërë funksionesh moderne për qytetarët. Ajo është e pajisur me sistem solar për prodhimin e energjisë, porte për mbushjen e telefonave dhe shpërndarjen falas të internetit.
“Kjo është një ulëse solare dhe i ka dy porte Wi-Fi dhe mbushës për telefon celular. I ka edhe 4 porte që e bëjnë mbushjen e telefonit me kabllo. Në pjesën e brendshme e ka të instaluar edhe një pajisje që e bën shpërndarjen e internetit që është falas për të gjithë qytetarët që janë përreth kësaj pajisje. Kjo iu nevojitet qytetarëve në kohën që nuk kanë energji elektrike dhe vijnë këtu e furnizohen”, deklaroi Selimi.
Pajisja është projektuar që të ndalojë funksionimin gjatë kushteve të pafavorshme atmosferike, si për shembull gjatë reshjeve me shi, duke u rifunksionalizuar automatikisht sapo të rikthehet dielli.
“Kjo e ka të instaluar edhe vetëmbrojtjen, në momentet që ka të reshura atmosferike kjo ndalet dhe pauzon së funksionuari dhe me fillimin e diellit e fillon sërish funksionin. Arsyeja se pse është vendosur këtu pranë komunës sepse kërkesë e GIZ-it ka qenë që të ketë kamera mbikëqyrëse në vendin e vendosjes. Edhe në qytet ka kamera mirëpo frekuentimi i qytetarëve këtu është dukshëm më i madh, sepse qytetarët vijnë në objektin e komunës”, tha ai.
Selimi thotë se komuna po shqyrton mundësinë e zgjerimit të projektit në të gjithë qytetin.
“Neve na mbetet që ta bëjmë një projekt vetanak, që ta pajisim të gjithë qytetin me ulëse të tilla. Kjo ka qenë shumë e mirëpritur për qytetarët dhe një risi për komunën tonë. Edhe pse është vetëm një unë besoj që së shpejti komuna do ta pajisë komplet sheshin me ulëse të tilla”, theksoi Selimi.
Kujtojmë se ulëset e para solare në Kosovë janë instaluar vitin e kaluar në Komunën e Kamenicës.