Vetëm tri kilometra larg qytetit të Suharekës ndodhet fshati Peqan, një vendbanim që mban në kujtesë dhimbjen e luftës, por edhe krenarinë e qëndresës dhe bashkimit.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë fshati u dogj plot dy herë, duke u shndërruar në hi. Por pas përfundimit të luftës, me ndihmën e mërgatës dhe përkushtimin e banorëve, Peqani u rindërtua dhe sot është sërish i gjallë dhe i banuar.
Ilmet Fonaj, ish-komandant i Brigadës 123 të UÇK-së, rrëfen për kontributin e fshatit dhe ushtarëve gjatë luftës
“Fshati ka një vlerë shumë të madhe për kontributin e popullatës, e sidomos për kohën e luftës, në periudhën ‘98-‘99. Me fillimin e luftës djemtë e fshatit janë bashkuar për luftë. Në fillim i kam pasur 78 ushtarë, ku kemi organizuar luftën me mbrojtje etj. Në ofensivën e parë kemi dy dëshmorë, kanë rënë heroikisht në pikat e mbrojtjes në oborr të shkollës. Aty kanë qenë 12 të plagosur dhe dy dëshmorë. Me vazhdimin e luftës kem edhe 6 dëshmorë të tjerë. Si fillim ka qenë vështirë duke marrë parasysh forcat serbe, por vullneti ishte mbi të gjitha. E kemi mbrojtur fshatin 24 orë. Fshati është djegur dy herë, ku pak shtëpi kanë shpëtuar”, ka thënë Ilmet Fonaj, ish-luftëtar i UÇK-së.
Sot Peqani numëron mbi 500 shtëpi dhe rreth 3 mijë banorë, ndërsa një numër i madh i tyre jetojnë jashtë vendit.
Mërgata e këtij fshati është përhapur kryesisht në Itali, Slloveni, Zvicër, Gjermani dhe Austri.
Ndryshe nga e kaluara, kur banorët merreshin kryesisht me bujqësi dhe blegtori, sot shumica prej tyre janë të angazhuar në ndërtimtari, profesion që e kanë zhvilluar brenda dhe jashtë Kosovës
“Nuk kemi ndonjë shënim adekuat që mundemi me vërtetu saktësinë e vendbanimit, por, sipas disa gjetjeve, e kemi vërtetuar se fshati ekziston që nga kohërat më ta lashta. Sipas tij, një burim i ujit vërtetohet se në kohërat e lashta ka shërbyer si faltore e hyjneshës ilire të ujërave. Në fshat ka ujë shumë, por ne vuajmë shumë për ujë. Fshati Peqan është përmendur në hartat vendore dhe ndërkombëtare. Në mes të dy luftërave ka pasur edhe shpërngulje të popullatës për në Turqi. Kryesisht në fshat janë këto familje: Elshani, Gashi, Krasniqi, Sopaj, Shala, Bytyqi etj. Interesante e bëjnë edhe toponimet e disa tokave bujqësore”, ka thënë Fidaim Grulaj, banor.
Ish-komandanti Ilmet Fonaj thekson se, pavarësisht vështirësive, asnjëherë nuk e ka menduar të largohet nga vendlindja.
“Gjithë ato kohërat e vështira i kemi kaluar në shpërnguljet e popullatës. Unë personalisht me familje, që i kam 3 fëmijë, nuk do të shpërngulna asnjëherë. Jeta sado që është e vështirë më e mirë dhe më e ëmbël është në vendlindje. Kosova është e lirë, Kosova flet shlirë, Kosova është më e ëmbël se mjalti”, ka shtuar Fonaj.
Fidain Grulaj, drejtor i shkollës fillore të fshatit, “Dëshmorët e Tivarit”, tregon për një tjetër sfidë që po përballet fshati, zvogëlimin e numrit të nxënësve në këtë shkollë.
“Mësimi në Peqan ka filluar në fillin të vitit 1946, pra vitin tjetër bëhen 8 dekada. Unë e kam takuar mësuesin e parë, i cili ka dhënë kontributin e tij. Shkolla e re është ndërtuar në vitet ’90. Dekada e fundit është fatkeqësisht shqetësuese, sepse numri i nxënësve është zvogëluar. Nga 520 nxënës pas lufte sot shkolla jonë numëron vetëm 140 nxënës”, ka thënë Grulaj.
Dikur Peqani njihej edhe për pasurinë e tij kulturore e bujqësore. Fshati kishte plot 12 mullinj, që shërbenin për nevojat e përditshme të banorëve. Sot ka mbetur vetëm një, por fatkeqësisht ai është në gjendje të rëndë dhe rrezikon të shembet, për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale. Në vitet ’70, në këtë fshat funksiononte edhe një shtëpi kulture, që dikur ishte vatër aktivitetesh artistike dhe rinore. Por sot ajo nuk ekziston më, duke lënë një boshllëk në jetën kulturore të banorëve.
Në mesin e shumë pasurive natyrore, në fshat ka mbetur edhe një shpellë, e vetmja që ka rezistuar, por që, sipas banorëve, ajo ende nuk është eksploruar nga institucionet përkatëse.