Pensionistët e kalojnë ditën mes lojërave dhe bisedave të përbashkëta në shoqatat e tyre, por vendimi i fundit për paraqitje po u shkakton shqetësim, ata po kërkojnë informacionet e qarta dhe drejtësi për trajtimin e pensioneve.
Erzë Surdulli
Loja e shahut është pjesa që i argëton dhe qetëson pensionistët në qendrën e tyre në kryeqytet. Por pjesa tjetër është një bisedë që së fundmi është kthyer në shqetësim për ta.
Një muaj më parë, Gjykata Supreme shfuqizoi disa pjesë të udhëzimit administrativ për procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimin e mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve që binin ndesh Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, pas ankesës së E.Sh.
Me vendim të Supremes tani disa kategori lirohen nga paraqitja, ndërsa dy të tjera janë të detyruar të paraqiten ende, siç e parasheh neni 24 i ligjit. Bëhet fjalë për pensionistët që marrin pensione bazike të moshës dhe ata që marrin pensione të parakohshme.
Ky vendim për pensionistin Bajram Maloku ka sjellë pasiguri dhe shqetësim.
Ai thotë se e sheh si vendim të padrejtë.
“Zakonisht i kryejmë disa obligime në shtëpi, hamë mëngjes, vijmë këtu në mesditë, i kemi shokët luajmë shah dikush luan më gurë e disa me letra, dalim në kafe pimë ndonjë çaj e kafe shkëmbejmë mendime të ndryshme. Një vendimi tillë është i padrejtë, pensionistët ka me sëmundje kronike janë të sëmurë e disa shkojnë për shërim jashtë vendit edhe nuk janë lajmëruar me kohë”, thekson ai.
Ai ka treguar se njëherë, siç ka thënë, për shkak të shëndetit, nuk pati mundësi të lajmërohet në kohën e caktuar dhe mbeti pa pension për 5 muaj me radhë.
“Unë kam pas problem kom harru me u lajmërua 5 muaj e diçka, se nuk kam qenë mirë me shëndet, kur kam shkuar në maket më ka thënë se nuk ki kredi kartelë, kur e ka parë 5 muaj e diçka nuk mi kanë qit, kam bërë ankesë por më kanë kthyer se ankesa aprovohet por mjetet nuk kthehen”, ka deklaruar ai.
E shoku i tij Hajrush Emini thotë se kanë paqartësi e për këtë arsye duhet të bëhet një rregullore për të mos pasur të tilla probleme.
“Si pensionist unë në mëngjes zgjohem herët, dal shëtitëm, kthehem dhe fle prapë, pastaj në ora 11-12 dal këtu te pensionistat, kur kanë detyra nipat dhe mbesa t’ju ndihmoj me ato landë që vetë i kom studiua. Te pensionistët bën mos me u lajmërua nuk është problem por me lidh me bashkësitë lokale, pa vërtetim të bashkësisë lokale mos me pas të drejtë me të varros, momentin që e ki atë vërtetim në qendrën e pensionistëve del prej sistemit dhe ndërpritet funksioni”, thekson Emini.
Derisa një i moshuar mund të dalë për çaj e kafe, ai mund edhe të lajmërohet se është gjallë thotë Remzi Robelli që e sheh vendimin si të drejtë.
“ Zakonisht me familje, dalim këtu në klubin e pensionerave luajmë shah, pimë kafe me shoqëri e kështu. Janë ato kategoritë, të moshuarit, invalidë e ka të cilët nuk munden me shku, ne te tjerët mundemi pse jo. Unë mendoj që po, ata të cilët kanë nevojë duhet me shku edhe në shtëpi mi vizitu jo vetëm me i lirua për me u lajmërua” deklaron Robelli
Të drejta të barabarta kërkon kryetari i Lidhjes së Pensionistëve, Sherif Kastrati. Sipas tij paraqitja e të moshuarave me pension bazë dhe mosparaqitja e pensionistëve kontributdhënës është e padrejtë.
“Nuk janë përfshirë nga shkaku se një kategori e personave në këtë rast të pensionistëve bazikë dhe të përkohshëm është e parapamë me ligjin, që i detyron ata të paraqiten për çdo gjashtë muaj, kryesisht edhe tre muaj më tepër, do të thotë ajo nuk mund të ndryshohet vetëm përmes kuvendit mund të ndryshohet, normal që duhet kohë për të bërë ndonjë ndryshim. Kjo është një hendikep i madh për pensionistët, këta nuk munden me u paraqit, janë njerëz të moshuam munden me u sëmurë edhe nëse janë shëndosh ata munden të sëmuremi, ka njerëz me sëmundje kronike, ka njerëz që nuk munden me lëviz, ju duhet ndihma nga të afërmit, kështu qe është një pengesë e madhe edhe një hendikep i madh për pensionistët për me u paraqit në zyrën e pensioneve”, deklaron ai.
E dita këtu përmbyllet me diskutime politike e shpresë për ligje jodiskriminuese.