SOT

Ofrimi i ndihmës së parë në shtëpi dhe rrugë derisa të arrijë ekipi i urgjencës mjekësore

Ofrimi i ndihmës së parë në raste të shpëtimit të jetës shpeshherë duhet bërë para se në vendin e pacientit të arrijnë mantelbardhët.

Në aksidente komunikacioni apo situata emergjente në shtëpi qytetarët duhet të jenë të gatshëm të ndihmojnë personin në nevojë.

Sipas Isuf Bajramit, doktor i ndihmës së parë në Qendrën e Urgjencës Mjekësore janë sekondat e parë që mund të shpëtojnë jetë, e qytetarët që nuk janë profesionistë të kësaj fushe duhet siguruar të lënduarin derisa të arrijë ekipi i urgjencës.

“Ndihma e parë është një shkathtësi që duhet ta kemi të gjithë. Nëse bëhet fjalë për një arrest kardiak, veprimi i parë që duhet bërë është të fillojmë shtypjen në gjoks rreth 5–6 cm thellë dhe njëkohësisht të thërrasim urgjencën. Nëse kemi gjakderdhje, me ndonjë mjet duhet bllokuar vendi nga del gjaku, me ndonjë gazë ose material tjetër të pastër. Brenda ditës kemi 4–5 intervenime të aksidenteve. Kur afrohemi në vendngjarje, duhet vendosur kontakti me të lënduarin, t’i themi se jemi të aftësuar për ndihmën e parë dhe se po thërrasim shërbimin e urgjencës. Në këtë rast e qetësojmë pacientin, gjë që është shumë e rëndësishme për të. Duhet fiksuar koka dhe të bëjmë vlerësimin nëse ka puls dhe frymëmarrje. Fillimisht duhet parë rasti, që të mos dëmtohemi vetë. Fiksimi i kokës dhe i qafës duhet të bëhet mirë, nuk duhet bërë lëvizje të panevojshme. Duhet stabilizuar pacienti dhe shfrytëzuar kutia e ndihmës së parë”, thotë Bajrami.

Secila veturë, por edhe në shtëpi duhet ta ketë kutinë e ndihmës së parë, në të cilën duhet të jenë gjërat bazike për ofrimin e ndihmës. Sipas Bajramit, kosovarët në raste të rralla ndalen dhe ofrojnë ndihmën e parë, shumë prej tyre për shkak të frikës largohen nga vendi i ngjarjes.

“Kutia e ndihmës së parë duhet të jetë e plotësuar. Ajo duhet të përmbajë gaza sterile, fasha, gërshërë, lidhëse për fiksim, medikamente për dhimbje ose barkqitje, mjete dezinfektuese, jod ose tretës për pastrimin e plagëve, por esenciale është ndalja e gjakderdhjes. Fatkeqësisht, në vendin tonë jemi ende të mangët në ofrimin e ndihmës së parë, rrallë ndonjë ngasës ofrohet për të dhënë ndihmën e parë. Shpesh kanë frikë, pa arsye, por gjithmonë ka mundësi të ofrohet ndihma e parë”, deklaron Bajrami.

E nëse ka raste kur ndonjë familjar ka problem me frymëmarrjen ose humb vetëdijen, pasi të keni kontaktuar urgjencën, dispeçeri mund të tregojë veprimet e ardhshme që duhet kryer derisa ekipi të arrijë në shtëpi.

“Në shtëpi, nëse kemi pacient që ka humbje vetëdijeje, nuk ka puls apo frymëmarrje, rekomandohet që dispeçerit t’i tregohet se do të fillojmë shtypjen në gjoks, me ritëm prej 100–120 shtypjesh në minutë, derisa të mbërrijë ekipi i urgjencës. Sepse nëse nuk veprojmë, brenda 3 minutave ndodhin ndryshime të pakthyeshme, dhe nëse nuk qarkullon gjaku, qelizat fillojnë të shkatërrohen. Kur bëjmë shtypje në gjoks, zemra rifillon të funksionojë pjesërisht dhe arrin të përcjellë rreth 40% të gjakut në tru”, shpjegon Bajrami. 

Sipas tij, kontakti me rrymën është një nga rreziqet më të mëdha që mund të ndodhin në shtëpi, por duhet siguruar që rryma të jetë fikur për një kohë dhe të largohen anëtarët dhe pacienti nga vendi ku ka ndodhur rasti.

“Në rastet me rrymë elektrike, gjithmonë rekomandohet të ndërpritet rryma dhe pacienti të largohet nga vendi ku ka pasur kontaktin. Rryma nuk fal, prandaj fillimisht duhet siguruar vendi dhe personi që ndihmon”, thotë Bajrami. 

Lënda e ofrimit të ndihmës së parë, sipas Bajramit, duhet sa më parë të jetë e obliguar në shkollat e Kosovës, sepse pak dinë si të reagojnë në raste të tilla.

“Konsiderojmë se është e domosdoshme që lënda e ndihmës së parë të jetë pjesë e programeve në shkollat e mesme, ashtu si edhe edukimi për sigurinë në komunikacion. Thirrjet më të shpeshta i kemi gjatë sezonit të dimrit, për shkak të problemeve me frymëmarrjen, por kemi edhe raste kardiovaskulare, si hipertension arterial dhe infarkte. Ne kërkojmë mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët dhe ngasësit e automjeteve në komunikacion, që të na lirohet rruga për të arritur sa më shpejt te i sëmuri”, shton Bajrami.

Kryqi i Kuq shpeshherë mban aktivitete të ndryshme në shkollat e Kosovës, ku nxënësit marrin njohuritë e para për ofrimin e ndihmës së parë, por kjo nuk është e mjaftueshme. Ndihma e parë është akt human që shpeshherë gatishmëria për të ofruar ndihmë mund të jetë thelbësore për shpëtimin e një jete, e çdo sekondë mund të jetë vendimtar për pacientin që ka nevojë për atë lloj ndihme.

E numri që ndihmon jo vetëm në dërgim të ekipit, por edhe me këshilla nga larg është ai 194.