Ende pa hyrë në klasë, aroma e turshive ka përfshirë të gjithë objektin e shkollës fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë.
Nxënësit e klasës së 3-të po zhvillojnë një aktivitet tejet interesant, përgatitjen e turshive.
Ajo që më parë e shihnin vetëm në shtëpi, tani po e bëjnë vetë në klasë me ndihmën e mësimdhënëses Sadbere Musa.
Disa prej tyre ishin tashmë të njohur me këtë proces që në këtë kohë bëhet edhe nëpër shtëpitë e kosovarëve.
E tash kur këtë përvojë po e ndajnë me shokët e shoqet e klasës, gjithçka është më argëtuese dhe më e veçantë.
Të pajisur me kapela, doreza dhe përparëse, nxënësit me kujdes po mbushin kavanozat me speca dhe karrota, duke respektuar rregullat e higjienës.
“Unë jam Arisa Rama. Sot në klasë po zhvillojmë aktivitetin e përgatitjes së turshive. Përveç mësimeve që kemi gjatë gjithë ditës, na mundësohen edhe aktivitete të tilla. Më ka pëlqyer shumë, sepse edhe në shtëpi ndihmoj prindërit në pastrimin e pemëve dhe perimeve. Më shumë më pëlqen pjesa kur i vendos perimet në kavanoz dhe shtoj përbërësit. Fillimisht pastrojmë duart, vendosim dorezat, kapelën dhe përparësen, u heqim specave bishtat, hedhim kripë, i fusim në kavanoz, pastaj shtojmë ujin. Turshitë duhen lënë disa ditë para se të konsumohen”, thotë nxënësja Arisa Rama.
Për të gjithë nxënësit ka nga një kavanoz me emrin e tyre. Pas përfundimit të procesit, ata do t’i marrin kavanozat në shtëpi. Më vonë, kur të jenë gati për konsum, këto turshi do të dhurohen për familje në nevojë.
“Jam Nart Lakna, 7-vjeçar. Sot kemi bërë speca turshi dhe të gjitha perimet janë bio, pa përbërës të dëmshëm. Kam ndihmuar edhe më herët prindërit duke u hequr bishtat specave. Kur na tregoi mësuesja për këtë aktivitet, u gëzova shumë. Edhe pse di pak, duhet të mësojmë që tani, sepse kur të rritemi, të mos kemi vështirësi”, thekson nxënësi Nart Lakna.
Sipas mësimdhënëses, ky aktivitet synon të afrojë fëmijët me traditën dhe kulturën shqiptare. Edhe pse janë të vegjël, ata duhet të kenë njohuri për procese të tilla të përgatitjes së ushqimit.
“Aktivitetin që mbajtëm sot ka për qëllim që nxënësit të njihen me traditën tonë. Ata e kanë pritur me shumë entuziazëm dhe janë angazhuar maksimalisht. Falënderoj prindërit për bashkëpunimin dhe për mbështetjen materiale që kanë ofruar. Secili nxënës ka kavanozin e tij me emrin përkatës dhe pas disa javësh do t’i rikthejnë në shkollë për t’i dhuruar familjeve në nevojë. Ky aktivitet hyn në lëndën 'Shkathtësi për jetë', por edhe në lëndën 'Punëdore' që zhvillohet në kuadër të mësimit tërëditor”, thotë mësimdhënësja Sadbere Musa.
Drejtoresha e shkollës, Ardianë Makolli-Sadiku, thotë se mësimi tërëditor ka krijuar hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve praktike si ky, duke u dhënë nxënësve mundësinë që teorinë ta zbatojnë në praktikë.
“Ky është viti i dytë që shkolla jonë zhvillon mësimin tërëditor. Kjo u ka ndihmuar nxënësve të jenë më kreativë, pasi kanë më shumë kohë për të zhvilluar aktivitete praktike. Përgatitja e turshive është një proces që disa prej tyre e kanë parë vetëm në shtëpi, ndërsa tani po e përjetojnë vetë në klasë. Shkolla jonë ka bashkëpunim të shkëlqyer me prindërit, të cilët gjithmonë na mbështesin. Falënderoj mësuesen për organizimin e këtij aktiviteti, por edhe prindërit për ndihmën e tyre”, deklaron ajo.
Drejtoresha shpreson që modeli i mësimit tërëditor të shtrihet në të gjitha shkollat e Kosovës.
“Përmes aktiviteteve kreative, ne u mësojmë fëmijëve shkathtësi për jetën. Njëkohësisht, i lidhim ata me traditën tonë kulturore. Besoj se kjo reformë duhet të zgjerohet edhe më tej, jo vetëm në Prishtinë, por në të gjithë Kosovën. Presim mbështetje nga të gjitha nivelet, në mënyrë që shkollat tona të afrohen me standardet evropiane”, deklaron Makolli Sadiku.
Aktivitete të tilla luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin personal dhe shoqëror të nxënësve, duke i pajisur ata me njohuri dhe përvoja të dobishme për jetën.