Pas suksesit të librit “Kokomilo”, shkrimtarja Elhame Dervisholli-Gjyrevci rikthehet me vazhdimin emocionues, “Kokomilo 2”, duke sjellë sërish historinë e djaloshit me dhunti magjike.
Përmes këtij libri ajo i ofron lexuesit, sidomos adoleshentëve, një tjetër udhëtim magjik mes ngjyrave dhe mesazheve të bukura.
Si romani i tetë e libri i 11-të i saj, “Kokomilo 2” nuk është thjesht një libër, por një udhëtim imagjinar që fton të rinjtë të ëndërrojnë, të mësojnë dhe të zbulojnë botën përmes një personazhi të veçantë.
“Kokomilo 2 veç sa ka dalë, u përket adoleshentëve, kështu që të mos hezitojnë dhe ta marrin ta lexojnë, sepse kanë çka mësojnë. Është një imagjinatë e imja që kam arritur të hyj në botën psikologjike të fëmijëve”, ka thënë ajo.
Për adhuruesit e saj ajo zbulon pak nga libri i ri.
“Ka dalë para 10 vjetëve e kanë mirëpritur shumë dhe është lexuar shumë dhe e solla “Kokomilo 2”. Është një roman specifik që e shtyn lexuesin për ta lexuar. Ka mesazhe të forta, mëson shumëçka nga ajo. Në “Kokomilo 1” nëna e vëren Kokomilon se nuk është si fëmijët e tjerë. Pastaj vjen Kokomilo 2”, ka shtuar ajo.
Dervisholli-Gjyrevci thotë se të rinjtë kanë nevojë për më shumë libra.
Përveç të rinjve, ajo ka sjellë romane edhe për gjeneratat e tjera.
“Vdekshmëria e Pafajshme”, që flet për betejën me Covid-19 e “Misteri i Kohës”, i cili jep mesazhe të rëndësishme për të rinjtë e kohës së sotme.
“Në këtë roman jam e drejtpërdrejtë sa ka zgjat Covidi. Nuk kam përdorur këtu imagjinatën. Kam edhe me poezi, ka që rrinë të pabotuar dhe pres kohën e duhur që t’i sjell ato”, ka thënë tutje ajo.
Shkrimet e saj të para i ka filluar që në kohën kur ishte nxënëse në shkollën fillore.
“Unë kam filluar të shkruaj që e re dhe kam vazhduar ende edhe pse si nënë e si gjyshe nuk është e lehtë por po ia dalë”, ka shtuar Gjyrevci.
E adhuruesit më të mëdhenj i ka nipërit dhe mbesat e saj.
“Edhe fëmijëve ua lexoj librat e mi kur shkojnë të flenë dhe kanë dëshirë deri t’i zërë gjumi t’ua lexoj ata. Po të kisha shkruar në gjuhën daneze do të ishte më mirë për mua, por edhe atje i kanë librat e mi. Çdoherë marr komente dhe më bëjnë krenar edhe më shumë”, ka thënë ai.
Përveç shitjeve, shkrimtarja e cila jeton në Danimarkë ka dhuruar 3 mijë ekzemplarë të librit të tij për shkollat e Kosovës.