SOT

Nga “donnerat” e Stambollit në kuzhinën humanitare në Prishtinë

Skënder Janova Kosovën e kishte braktisur para më shumë se gjysmë shekulli, për të mos i harruar rrënjët asnjëherë.

Ishte regjimi okupues i viteve ’90, ai që e kishte detyruar familjen Janova nga Prishtina të shpërngulej në Turqi.

Janova, tash biznesmen shqiptar që vepron dhe punon atje, është kthyer në Kosovë së fundmi për ta çuar në vend porosinë e babait të tij para vdekjes, që Skënderi dhe 9 vëllezërit e tij të kontribuojnë për Kosovën.

Para pesë muajsh ai ka hapur një kuzhinë humanitare që po i ushqen 300 qytetarë në nevojë në baza ditore.

“Nga Prishtina jam larguar në vitin 1962, për të migruar për në Turqi, i kam 9 vëllezër, të cilët jetojnë në Turqi. Në vitin 1999, ka qenë sëmurë dhe na pati lënë  një porosi, gjatë gjithë jetës së tij ka pasur mall dhe ka çarë për Kosovën, mua më ka lënë edhe porosi. Mua më ka lënë thënë personalisht, që duhet të bësh diçka për Kosovën . Unë i kam 20 vjet që vij në Kosovë për muajin e Ramazanit dhe i ushqej nevojtarët me iftare. Këtu jemi vendosur qe pesë muaj dhe ishte ideja e një mikut tim Mentor Isufaj,  që ta hapnim këtë kuzhinë humanitare dhe  e kam menduar qe një kohë të gjatë këtë ide, pasi dëshiroja t’i ushqeja nevojtarët për një periudhë më të gjatë, jo vetëm gjatë muajit të Ramazanit”, thotë Janova, drejtor i Kuzhinës Humanitare.

Ai më herët ka qenë edhe deputet në shtetin turk, por që 20 vjetët e fundit është angazhuar pa u ndalur që të japë kontributin e tij për vendin e origjinës.

“Unë kam qenë edhe kryetar i Shoqatës së shqiptarëve edhe në Turqi për 20 vjet e po ashtu për një periudhë kam qenë edhe deputet në një komunë atje. Por më seriozisht punën humanitare e kam marrë prej kohës kur babai më ka lënë porosinë. Në Turqi kam hapur një fabrikë atje dhe po kontribuoj edhe në Kosovë së bashku me birin tim, dëshira ime është që edhe nipi im të dijë për origjinën e tij dhe të vijë të ndihmojë njerëzit në Kosovë. Unë jam kosovar, kur ka qenë lufta në Kosovë unë i kam pritur shumë shqiptarë në Turqi si mysafir edhe i kam strehuar”, deklaron Janova.

Bamirësia është më shumë sesa të japësh një porcion me ushqim, është ushqim shpirtëror që Janova thotë se kënaqësinë e gjen në këtë kuzhinë.

“Unë të ha me bollëk në Turqi dhe vëllezërit dhe motrat e mia këtu në Kosovë. Kur po i shoh këta të ngopur unë po kënaqem, po më jep një kënaqësi shpirtërore, po ngopemi e po pimë bashkë e po qeshim. Unë po e kam edhe ndjenjën prindërore që të ushqej të gjithë këtu. Kushdo që dëshiron që të ndihmojë le të vijë, ne këtu mbajmë evidencë dhe kemi shumë korrektësi”, shton Janova.
Bajram Spahiu ka 20 vjet që merr ushqim që dhuron Janova, për shkak sëmundjes së gruas dhe pa përkujdesje familjare, ai dy herë në ditë ushqehet nga kuzhina.

Ai shprehet falënderues për Skënder Janovën, që në këtë kohë krizash financiare ai po i ndihmon qytetarët.

“Jetoj vetëm me bashkëshorten të cilën e kam të sëmurë dhe nuk ka kush të kujdeset për mua dhe atë.  Unë i falënderojë nga zemra bamirësit dhe Skënder Janovën. Këtu ka radhë të gjata për tu furnizuar me ushqim. Mua nuk më vjen marre aspak që të dalë këtu dhe ta falenderoj kuzhinën humanitare, këtë aktivitet këta në Kosovë e kryejnë afro 20 vjet, në tenda te Pallati i Rinisë në fillim kanë shpërndarë ushqim për nevojtarët. Unë mundem të garantojë se shumica e njerëzve këtë ushqim nuk e kanë as në shtëpitë e tyre. Në Kosovë nuk janë kushtet ekonomike të mira, ka njerëz që vuajnë në varfëri, kjo ndihmë është e mirëseardhur”, thekson Spahiu.

Gjella të ndryshme e mish shërbehet çdo ditë, për Bajramin dhe shumë të tjerë që vijnë të ushqehen.