Fatjona Rudi
Personat që qëndrojnë prapa telefonave të “Linjës së Jetës”, kanë një mision të rëndësishëm, atë të parandalimit të vetëvrasjes e largimit nga mendimet vetëvrasëse.
“Linja e Jetës”, është projekt i organizatës Qendra për Informim dhe Përmirësim Social.
Që nga viti 2019, në baza ditore, ekipi i “Linjës së Jetës” pranon dhe menaxhon thirrje e biseda, nga persona që kanë nevojë të ndihen të dëgjuar dhe të kuptuar.
Bind Skeja, drejtor i kësaj organizate ka treguar për idenë e themelimit të një qendre si kjo dhe menaxhimit të mesazheve e telefonatave.
“Kur kemi filluar, kemi filluar me një orar 4 orësh, më pas me kalimin e kohës e kemi zgjeruar. Këtë vit, faktikisht nga dhjetori i vitit të kaluar ne jemi detyruar që ta shkurtojmë prapë orarin, funksionojmë çdo ditë prej orës 6 pasdite deri në 10 të natës, d.m.th. vetëm 4 orë”, thotë Skeja.
Aty angazhohen kryesisht vullnetarë dhe praktikantë me pagesë minimale të cilët sipas drejtorit mjafton të jenë empatikë. Më pas ata trajnohen e mentorohen nga mbikëqyrësit.
Por, sot, këto shërbime nuk po arrijnë të ia dalin pa një mbështetje financiare.
“Linja e Jetës kryesisht ka mbështetje prej ambasadës suedeze nëpërmjet fondit për Human Rights edhe prej BE-së. Këto dyja janë që e financojnë jo vetëm linjën por gjithë programin e QIPS. Po të mos kishin qenë këto të dyja ne sot nuk do mund të vazhdonim se nuk do të kishim para. Na mbështet edhe Komuna e Prishtinës dhe Presidenca por shuma që na ndajnë është shumë pak. Edhe njëherë e kemi marrë një grant prej Ministrisë së Shëndetësisë por ka qenë shumë pak”, deklaron Skeja.
Nga dhjetori i vitit të kaluar, mbajtja “gjallë” e këtij shërbimi ka rënë mbi vetë organizatën.
Skeja tregon se si pasojë e kësaj, edhe orari i punës është shkurtuar.
“Arsyeja pse është ulur orari për këtë kohë është për shkak se ti kur e bën një aplikim për grant dhe një donator caktohet edhe orari por tash nuk kemi se si”, thotë ai.
Po ashtu moskonstituimi i Kuvendit dhe mungesa e Ligjit për Parandalim të Vetëvrasjes ka një ndikim, sipas tij.
Por, Skeja është optimist që ky ligj do të miratohet në Kuvend pavarësisht se iniciativa ishte nga ta, teksa shprehet kritik ndaj mungesës së mbështetjes nga ana e Qeverisë.
Me gjithë sfidat për financim, QIPS nuk i ka ndalur aktivitetet e angazhimin. Së fundmi, ata kanë hartuar manualin për parandalimin e rasteve të vetëvrasjes dhe vetëlëndimit për shkollat.
Ndonëse mbajtja e një organizate pa fonde është problematike, drejtori i saj ka premtuar se sa të jetë në këtë pozitë, një e tillë do të mundohet të qëndrojë në këmbë edhe pa to dhe do të jetë aty për çdo person që ka nevojë për një hapësirë të fortë për mbështetje, parandalim, dhe siguri, duke kontribuar kështu drejt parandalimit të vetëvrasjeve në komunitet.