Fshati Vraniq i Suharekës ka një natyrë të bukur e pastërti që ia ka lakmi e gjithë Kosova. Por ai nuk njihet vetëm me këto karakteristika.
Brenda fshatit ekziston një mulli i ujit, i ndërtuar rreth 300 vjet më parë.
Megjithëse një objekt mjaft i vjetër, këtë mulli vazhdon ta mbajë funksional Rexhep Loshi, i cili e ruan me fanatizëm nga të parët e tij.
“Njëjtë është siç ma ka lënë mixha, asgjë s’kam ndryshuar. Vetëm ato që prishen e duhet me i rregullua përndryshe njësoj. Asgjë të re nuk ka. Unë e kam dashur prandaj kam punuar këtu...E dua mullirin. Ma kanë lënë trashëgimi të parët, mixha ma ka lënë. Si fëmijët kam punuar me axhën e tani ai u lodh u plak e në vitet 90’ ma ka lënë mullirin të punojë vet. Nuk ka qenë shumë i vjetër por ktyneherë kanë qenë të hequr keq. Siç po shihet ka me mbetur, po mendoj që do të jetë gjenerata e fundit”, thotë Loshi.
Ujin që i duhet për bluarje, ndër vite ky mulli e merr direkt nga lumi i fshati.
“Unë zgjohem në mëngjes, vijë e lëshoj e mbushi koshin. 5-6 orë bën kur e mbushi koshin, e nuk rri gjatë gjithë kohës këtu se nuk është e nevojshme, si të përfundon ndalet vet. Nganjëherë e mbushi edhe e lë të bluajë edhe gjatë natës. Ujë duhet të fusim te kutia aty, është flutura poshtë, është qarku që e lëshon flutura. Një guri është ndër dhe kur sillet guri futet drithëra në mes të dy gurëve dhe bëhet mielli. I bluajmë të gjitha llojet e drithërave. Edhe guri tjetër punon, tani ka edhe ujë mjaftueshëm. Por po i bluaj mjaftueshëm me një, me pas më shumë i bluaj me të dytë”, thekson Loshi.
Mulliri i ujit, nuk është njësoj si ai i rrymës. Për këtë atij i duhet më shumë kohë për të bluar drithërat por cilësia është ajo që e bën dallimin.
“Dallimi është se ky i bluan më ngadalë ndërsa ai i rrymës ka fuqi më shumë. Lëshoji drithëra sa të duash se ka problem. E ky ndalet se nuk ka shtypje më shumë. Sa i përket cilësisë është ky për shkak se e bluan më ngadalë më imët. Ai e bluan më shpejt me shpejtësi. Ky tre orë i bën për 50 kilogramë miell. 50-60 thasë në muajt i bluajmë”, shton Loshi.
Ai ka frikë se në të ardhmen s’do të ketë kush ta trashëgojë atë.
“Siç po shihet deri më sot nuk do e trashëgojë askush. Të gjithë janë jashtë. Jeta është rrotull, ndoshta ndryshon por për momentin jo. 6 vëllezërit e mi janë jashtë me fëmijë e të gjithë, edhe unë i kam fëmijët jashtë. Këtu jam veç me nënë e me grua, krejt kanë ikë”, deklaron Loshi.
Përkundër që ka nevojë, institucionet nuk ofruan asnjëherë mbështetje për renovimin e tij.
“Me u renovua nuk është renovua, këtë kulm e ka vendosur mixha, e muri është si e kanë lënë të parët, po shihet të gjitha të moçme janë. Sa të punojë është mirë. Pajisjet janë të moçme, ai mi ka lënë, e kur i kanë ndreq se di unë send s’kam ndreq vet, krejt të moçme janë”, deklaron Loshi.
Tahir Kolgeci, kryetari i fshatit Vraniq, thotë se është interesant se si ky mulli ishte ndër të paktat objekte që i shpëtoi luftës së fundit të Kosovës.
“Është interesant nga 418 shtëpive, 402 kanë qenë të djegura komplet me të gjitha objektet përcjellëse, garazhe, mbuloja, kosha, hambarë, i gjithë fshati ka qenë i djegur. Për fat të mirë ky mulli ka shpëtua dhe nuk është ndërpre vetëm një muaj ndoshta dhe ka vazhduar të funksionojë gjatë gjithë kohës. E ka të trashëguar nga të parët dhe ky e mbanë me fanatizëm ky mulli po shpresojmë që edhe në të ardhmen të vazhdojë nga dikush”, thotë Kolgeci.
Ai thekson nevojën për ruajtjen e këtij mulliri si një aset i trashëgimisë kulturore të Kosovës.
“Është i rëndësishëm si mulli. Sipas të parëve që kanë thënë është gati 300-vjeçar. Duhet të jetë aset që shteti duhet ta mbrojë. Ka qenë i rëndësishëm për të gjitha fshatrat përreth. Ka punuar ky mulli edhe para luftës e pas luftës por asnjëherë nuk është ndërpre. Sa kam dëgjuar Ministria ka investuar te të gjithë mullinjtë, por te ky asnjëherë. S’kam çka ju them po e shihni edhe vet thuajse është para shkatërrimit. Duhet të ruhet si trashëgimi kulturore një objekt 300-vjeçar, një mulli që ka mbajtur me bukë goje njerëz, është mirë që të ruhet”, shton Kolgeci.
Deri në një ndryshim të pritshëm, Loshi s’e ka ndërmend të ndalet së bluari misër, i cili është mjaft i kërkuar tek ai.