Futboll

Serebe i vendosur ta udhëheqë Ballkanin drejt titullit

Valentin Serebe

Sunday Adetunji ishte golashënuesi më i mirë në edicionin e kaluar te Ballkani me 18 gola të shënuar. Tani te skuadra suharekase në skenë ka dalë një sulmues tjetër. 

Bëhet fjalë për Valentin Sereben. 

Pesë golat e shënuar në katër ndeshje japin sinjale se Serebe mund të jetë sulmuesi i radhës që shkëlqen te Ballkani.

Cilësitë e Serebes po dalin në pah sidomos pas largimit të Adetunjit. Nigeriani Adetunji u largua nga Ballkani për t’u transferuar te klubi nga Sudani, Al Hilal.

Dhe 22-vjeçari Serebe po e udhëheq sulmin e nënkampionit të Kosovës. 

Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë të dielën ia siguroi fitoren e dytë radhazi Ballkanit në Superligë. 

Ai realizoi “hat-trick” për fitoren 3:0 ndaj Drenicës, në ndeshjen që ishte e vlefshme për xhiron e katërt. 

Ky kontribut, Serebes iu shpërblye me çmimin “Ylli i Javës”. Serebe për herë të dytë radhazi u shpall si më i miri i xhiros nga Federata e Futbollit e Kosovës. 

Serebe deklaroi të martën për KOHËN se është i lumtur për tre golat ndaj Drenicës. 

“Jam shumë i lumtur që shënova ‘hat-trick’. Falënderoj Zotin për këtë mundësi. Gjithashtu dua të falënderoj shokët e skuadrës, trajnerët dhe tifozët për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Kjo ka shumë rëndësi për mua. Gjithçka po shkon shumë mirë. Po stërvitemi në mënyrë profesionale dhe jemi në formë të shkëlqyer fizike dhe mendore. Ndeshja kundër Drenicës ishte rezultat i një jave shumë të ngarkuar dhe të fokusuar në përgatitje me trajnerin. Të gjithë ishin gati dhe ne qasemi në çdo ndeshje hap pas hapi, duke mbetur të përulur dhe të fokusuar për të arritur objektivat tona”, ka thënë Serebe. 

Para se t’i bashkohej Ballkanit, ky lojtar ishte te Cluji. Në klubin e madh rumun nuk gjeti hapësirën e synuar dhe vendosi për mjedis tjetër.

Serebe thotë se synimi kryesor i tij është që në fund të jetë golashënuesi më i mirë i edicionit në elitën kosovare.  

Serebe pret që ta fitojnë titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. 

“Synimet e mia personale janë ta përfundojmë edicionin si kampionë. Të fitojmë Kupën e Kosovës dhe me ndihmën e shokëve të skuadrës, të përfundoj si golashënuesi më i mirë. Këto janë objektiva ambicioze, por me punë të palodhur dhe përkushtim, besoj se mund t’i arrijmë”, shtoi Serebe. 
Qendërsulmuesi fillimisht u huazua nga Cluji te Ballkani në afatin kalimtar të janarit. Ndërsa në afatin kalimtar të verës, Ballkani vendosi që të nënshkruajë me Sereben. 

Kontrata është trevjeçare, por nëse vazhdon me këtë efikasitet, vështirë që ai do të qëndrojë tre vjet në Suharekë. 

“Fillimisht erdha në formë huazimi dhe pas përfundimit të huazimit Ballkani më ofroi kontratë të rregullt. E pranova sepse Ballkani është klub profesional, klub i shkëlqyer. Gjithmonë kam qenë i përkushtuar ndaj këtij klubi, i cili më ka treguar mbështetje dhe dashuri të sinqertë. Kosova është një vend miqësor, me njerëz të sjellshëm. Te Ballkani të ofrojnë gjithçka që të nevojitet. Është një nga klubet më të mira në Kosovë dhe ndihem me fat që jam pjesë e tij”. 

Ballkani në të kaluarën ka pasur sulmues që janë veçuar me paraqitje e gola. Tani po dallohet Serebe. 

Ballkani pas katër xhirove ka tetë pikë dhe renditet në pozitën e dytë.