SOT

Liqeni i Rubovcit, strehë e zvarranikëve, shpezëve dhe gjallesave të tjera

Komuna e Kamenicës ka vetëm një liqen, atë artificial të Rubovcit. Ky vend është shndërruar në një nga pikat më të dashura për vizitorët, veçanërisht gjatë muajve të verës kur njerëzit bëjnë pushim në natyrë.

Në liqenin e Rubovcit zhvillohen aktivitete të ndryshme si peshkimi, noti, garat ujore, ngjitja në shkëmbinj, ZipLine dhe shumë të tjera.

Fisnik Kastrati, kryetar i shoqatës së peshkatarëve “Mlyshi” në Kamenicë, thotë se shumë njerëz nuk e dinë që Kamenica ka një liqen.

Ai bashkë me ekipin e tij jo vetëm që merren me peshkim, por edhe me pastrimin e zonës përreth liqenit.

Për të peshkuar në këtë liqen është e domosdoshme të pajisesh me licencë dhe të njohësh llojet e peshqve që jetojnë aty. Ndër ta janë krapi, mlyshi, mrena dhe disa lloje të tjera në numër më të vogël.

“Shumëkush nuk e di që e kem një liqen. Kur u them se e kem një liqen befasohen. Këtu argëtohemi dhe bëjmë rekreacione të ndryshme. Ju lus të gjithëve që dalin këtej si për rekreacion apo vizitë, të kenë kujdes në mbeturinat, t’i marrin me vete. Sepse, ne po detyrohem të pastrojmë këtë vend si shoqatë”, ka thënë Kastrati. 

“Secili anëtar i shoqatës së peshkatarëve, i cili dëshiron të merret me peshkim fillimisht duhet të marrë licencën dhe t’i njohë llojet e peshkut. Në liqenin e Rubovcit dominon mlyshi si lloj i peshkut”, ka shtuar ai.

Liqeni i Rubovcit është gjithashtu një zonë me rëndësi të veçantë për biodiversitetin.

Ai ofron mundësi për të eksploruar jetën e egër, dhe është burim frymëzimi për fotografë të natyrës.

Ariani Mavriqi, një fotograf i njohur i jetës së egër, e viziton shpesh këtë vend për të fotografuar shpendë dhe kafshë të rralla.

Ai tregon se këtu jetojnë zogj të veçantë si pupëza dhe qukapiku i zi, të cilët tërheqin edhe fotografë nga vende të ndryshme.

“Kjo pothuajse është përditshmëria ime, lokacioni i parë është liqeni i Rubovcit. Kjo për shkak të popullatës së pjesëtarëve të onitofaunës, prej tyte shume shpend shtegtarë dhe jo shtegtarë. Kjo më stimulon të vij këtu më shpesh. Përveç që vij shpejt, marr edhe koleg të tjerë fotografë të huaj. Ata të cilët dështojnë ta studiojnë faunën te ne. Ka pasur te shumë persona që e kanë vizituar këtë vend duke fotografuar pupëzën dhe qukapikun e zi. Kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në turizmin e vendit”, ka thënë Mavriqi. 

“Liqeni është i pasur edhe me pjesëtar të faunës, me theks të veçantë të disa shpendëve polenizues dhe jo polenizues. P.sh zogjtë të vegjël, rosa, lloje të gjarpërinjve, bretkosa, peshq, insektet ujore etj”, ka shtuar ai.

Burbuqe Leka, drejtoreshë për zhvillim ekonomik, turizëm dhe diasporë në Komunën e Kamenicës, thotë se janë duke u bërë investime për të rritur atraktivitetin turistik të zonës. Këto investime përfshijnë parkun e aventurave, shtigjet për ecje, ndriçimin dhe hapësirat për pushim.

Ajo thekson se edhe pse zona mirëmbahet nga ekipet lokale, disa vizitorë nuk kujdesen dhe hedhin mbeturina. Komuna është e vendosur të gjejë zgjidhje për këtë problem.

“Komuna aktualisht është duke investuar në projektin më të madh aktualisht sa i përket sektorit të turizmit, pra në lugun e verdhë. Këtu bëhen shumë aktivitete të shumta. Përveç projektit të fundit ZipLine, kemi shenjëzuar edhe shtegun e ecjes, edhe ndriçimin e kemi rregulluar bashkë me pushimore. Në mirëmbajtjen e kësaj hapësire publike është duke u bërë nga ajo lokale, mirëpo numri i vizitorëve çdoherë është në rritje dhe personat e pandërgjegjshëm hedhin mbeturina, por edhe këtë si komunë kemi me zgjedh si problem”, ka thënë Leka. 

Gjatë verës, kur shumë mërgimtarë kthehen për pushime në Kosovë, liqeni i Rubovcit bëhet një nga vendet më të frekuentuara.

Aty organizohen gara në peshkim, not, lojëra për fëmijë dhe të rritur dhe shumë aktivitete të tjera që lidhen me natyrën dhe argëtimin.

Liqeni i Rubovcit është një pasuri natyrore për Komunën e Kamenicës. Ai ofron qetësi, rekreacion, sport dhe eksplorim. Me pak investim dhe përkushtim ndaj ruajtjes së mjedisit, ky vend ka potencial të bëhet një ndër atraksionet më të rëndësishme turistike në rajon.