Klubi i pingpongut “KVPP Prizreni”, i themeluar në vitin 2006, është bërë një nga klubet më të suksesshme në Kosovë, duke u dalluar jo vetëm për arritjet sportive, por edhe për tolerancën mes popujve e feve.
Në këtë klub stërviten sportistë shqiptarë, turq dhe boshnjakë, të cilët së bashku përfaqësojnë vendin në arenën vendore dhe ndërkombëtare.
“Sukseset e përgjithshme të klubit tonë janë të shumta. Sidomos me mosha të reja dhe veteranë. Suksesin më të madh e kemi te grupmoshat U 15. Falë trajnimeve e stërvitjeve të shumta kemi lojtarë që përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Suksese të shumta janë arritur në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare. Vetëm vitin e fundit kemi arritje shumë të mëdha. Vlen të ceket suksesi i Muhammed Mudut dhe Imran Durakit, ku në grupmosha U13 dhe U15 janë shpërblyer me medalje të arta. Imran Duraki në garën në Itali ka dalë i treti, pra ai ka fituar medaljen e bronztë në Trofeun Ndërkombëtar Transalpin dhe Kupën Mesdhetare 2025 në Itali”, ka thënë trajneri Remzi Shala.
Ari Krasniqi, një nga sportistët e rinj të klubit, tregon për sukseset e arritura të klubit.
“Ushtrimet i bëj këtë klub bashkë me bashkëmoshatarët e mi. Si klub jemi kampion në ligën U15, ku e kemi përmbyllur këtë sezon pa humbje. Marrim pjesë brenda dhe jashtë Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Nga komuniteti turk, Muhammed Mudut shprehet krenar që e përfaqëson Kosovën.
“Me pingpong kam filluar që nga mosha 9-vjeçare dhe prej asaj kohe jam në KVPP Prizreni. Në këto vite kam pasur suksese të shumta sidomos në grupmoshat U13 dhe U15. Marr pjesë edhe në gara ndërkombëtare duke e përfaqësuar Kosovën, pra jam pjesë e kombëtares së Kosovës. Dhe për këtë ndihem mirë”, ka thënë Mudut.
Imran Duraki është 12-vjeçar dhe thotë se në sport nuk ka diskriminim.
“Unë jam Imran Duraki, jam 12 -vjeçar dhe me pingpong kam filluar të merrem para 3 vjet e gjysmë. Tani jam anëtar i klubit të pingpungut ‘KVPP Prizreni’. Kami arritje të shumta në Kosovë ndërsa në arenën ndërkombëtar së fundi kam fituar medaljen e bronztë në ‘Trofeun Ndërkombëtar Transalpin dhe Kupa Mesdhetare 2025 në Itali’. Synoj pjesëmarrje e fitore të shumta në garat ndërkombëtare duke e përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë. Ndonëse i takoj komunitetit boshnjak nuk jam ndier i diskriminuar asnjëherë nga të tjerët”, ka thënë Duraku.
Pjesë e klubit është edhe Ermin Saiti, gjithashtu nga komuniteti boshnjak, i cili thekson rëndësinë e sportit, pa marrë parasysh cilit komunitet i takon.
“Kam marrë pjesë në shumë gara vendore. Pingpongu është më shumë pasion për mua, lojën e pingpongut e kam filluar që i vogël. Këtu në klub jemi si vëllezër, nuk kemi ndasi gjinore, fetare e as kombësie. E rëndësishme është se si lojtarë synojmë fitore të shumta të klubit dhe kombëtares së Kosovës”, ka thënë Saiti.
Sipas lojtarëve, klubi i tyre është shembull për të tjerët se si i bashkon komunitetet, krijon miqësi dhe formon kampion që e përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare.