Me ardhjen e pranverës, ndërmarrja publike lokale "Gjelbër" ka intensifikuar punën e saj për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra në kryeqytet.
Ekipet e ndërmarrjes janë çdo ditë të shpërndara në lokacione të ndryshme, duke u përpjekur të mbajnë pastërtinë dhe gjelbërimin e qytetit, në mënyrë që gjatë muajve të verës, këto hapësira të ofrojnë freski për qytetarët.
Gent Luzha nga ndërmarrja “Gjelbër” thotë se tani është koha me më së shumti punë, duke shtuar se edhe qytetarët po i dalin në ndihmë stafit.
“Për momentin jemi në përfundim të sezonit, ajo e krasitjes ka përfunduar, tani jemi në kositje, po bëjmë punë të përditshme dhe jemi në pikun e sezonit me mbjellje të luleve sezonale. Ne jemi të thirrur për gjithë kryeqytetin, kemi përgjegjësi hapësirën publike. Qytetarët mund të na japin ankesa, korrigjime e gjithçka tjetër përmes faqes sonë, ku mund të kërkojnë nga ne mbështetje për gjitha llojet me mirëmbajtjes së hapësirës publike, për punët kopshtare. Qytetarët në gjitha format janë të mirëseardhur të na mbështesin me pajisje apo pa to mund të na bashkëngjitën, kam raste që vijnë studentë e po ashtu nëna amvise që na mbështesin në mbjelljen e luleve”, thekson Luzha.
Përkundër kushteve jo të mira, ai thotë se po bëhet përpjekje për modernizimin e mjeteve të punës dhe trajnimin e stafit për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra.
“Ne vazhdimisht jemi munduar me i ndërru pajisjet dhe me i modernizu, e trajnojmë stafin e punëtorëve që me qenë sa më profesional dhe më estetik sepse druri përveç efektit të vet të biodiversitetin ka rolin edhe estetik nuk duhet ta lëmë të patrajtuar, përkundër kushteve që kemi ne bëjmë më shumë punë sesa në kontratë që kemi të parashkruar. Sistemin e ujitjes nuk e kemi direkt te ne, i takon drejtorisë së parqeve ata e kanë këtë detyrë, sivjet kemi edhe një cisternë shtesë që na ka ardhur si donacion, por nuk është e mjaftueshme, kemi nevojë për shtim të kapaciteteve në të gjitha anët”, shton Luzha.
Sipas tij, kopshtarët shpeshherë pengohen gjatë punës në terren, për shkak se qytetarët nuk lejojnë ndërhyrjen në hapësira duke pretenduar se ato prona janë të tyre.
“Sfida më e madhe është se ende kryeqyteti nuk di se sa ka pronë të veten dhe private, e kemi të vështirë nganjëherë në terren ku qytetarët nuk na lejojnë me kosit dhe bëjnë problem deri sa të vijnë policia por ne nuk dëmtojmë ne duam të mirëmbajmë hapësirën e përbashkët, edhe financimin e kemi problem që është shumë i vogël kërkesat shkojnë duke u rritë dhe financat shkojnë duke u zvogëluar por ne nuk dorëzohemi dhe duam ta kemi Prishtinën sa më të gjelbër”, deklaron Luzha.
Ai thotë se është krenar me gjithë punën e stafit të ndërmarrjes “Gjelbër” që pavarësisht kushteve ia dalin të mirëmbajnë të gjitha parqet e Prishtinës.
“Jam shumë i kënaqur, siç po e shihni Gërminë sot dhe vazhdimisht frekuentohet nga fëmijët, shkollat, çerdhet, por nganjëherë sjellin edhe mbeturina por ne jemi për në mirëmbajtjen e tyre, më të vështirë e kemi te parqet e banesave që janë më të vogla aty janë me delikatë shkaku terrenit por parqet në sipërfaqen e madhe në Prishtinë janë tepër të mira komfort financave jo të kënaqshme”, thekson Luzha.
Ai gjithashtu bën thirrje për mbështetje nga donatorët për të rritur prodhimin e luleve, veçanërisht të atyre shumëvjeçare.
“Ne i kemi lulet specifike që i kemi caktuar në sheshet kryesore janë vendosë, po ashtu dhe në parqe, qytetarët na kanë kërkuar në ato vende me mbjellë, duam të shtojmë prodhimtarinë e luleve dhe shpresojmë të kemi donatorë në përmirësimin e luleve shumëvjeçare”, thekson Luzha
Pavarësisht gjendjes jo të mirë me mbeturina në pjesë të tjera të kryeqytetit, parqeve të Prishtinës po u kushtohet kujdes në mirëmbajtjen e tyre.