SOT

Klubi i karatesë që përfshin të gjitha komunitetet

Triumfet e njëpasnjëshme në sportin e karatesë bën që klubit t’ia vendosin emrin “Fituesi”. 

Karakteristikë e këtij klubi të karatesë në Ferizaj është përfshirja e sportistëve të të gjitha komuniteteve, thekson trajneri Bajram Bajrami. 

Për trajnerin puna me sportistët e rinj është e lehtë pasi karateja është sport i bartur ndër gjenerata në familjen e tij. 

“Klubi i karatesë ‘Fituesi’ është themeluar në vitin 1989 dhe prej asaj kohe vazhdon të jetë në Federatën e Karatesë së Kosovës. Duke qenë se klubin e kemi hapur qysh në kohë e paraluftës, ka qenë kohë e vështirë, por ishte vullneti i jashtëzakonshëm që të zhvillohej një sport sikur karateja. Në familjen tonë kemi shumë anëtarë që merren me karate dhe qysh në ato kohë kanë pasur brezat e zinj e kanë dhënë kontribut të lartë për këtë sport. Duke qenë se qysh në fillet e para të hapjes së klubit kemi pasur sportistë të dalluar që kanë sjellë medalje në vend, atëherë kemi vendosur që klubi ta mbajë emrin ‘Fituesi’. Në këtë klub i kemi anëtarët e sportistët e të gjitha komuniteteve si një nga pika më të forta të klubit tonë”, tha Bajrami. 

E mangët në të gjitha këto vite është mbështetja financiare për klubin e karatesë “Fituesi”, thotë trajneri Bajrami.

Kjo bën që në shumicën e rasteve, karateistët e rinj me të hollat e tyre të udhëtojnë edhe për gara jashtë shtetit. 

“Mbështetja financiare është e rrallë për klubin, madje në raste të shpeshta është dashur që vetë fëmijët me kushtet e tyre t’i mbulojnë pjesëmarrjet nëpër gara. Madje shumë prej tyre nuk kanë mundur as të jenë pjesë e garave në mungesë të të hollave, prandaj po na duhet me e reduktu numrin e sportistëve pjesëmarrës. Vitin e kaluar kemi marrë pjesë me njërin nga garuesit, i cili ka arritur t’i mposhtë të gjithë garuesit e shteteve pjesëmarrëse”, tha ai.

Me medalje të artë në Kosovë ishte kthyer Mevlan Dalipi. 

Pa karate ai nuk i mendon ditët e tij, sepse është bërë sport i zemrës për të. 

“Kam qenë pjesëmarrës në Ligën Botërore ku kanë marrë pjesë të gjitha shtetet e botës. Atje kam arritur të fitoj medaljen e artë dhe jam falënderues ndaj trajnerit tim për të gjithë përkushtimin që e ka treguar ndaj meje. Çdo ditë e imja nis me karate, me stërvitjet që më janë bërë pjesë të ditëve të mia dhe nuk e shoh dot veten pa karate”, deklaroi Dalipi. 

Me karate Sefer Bajrami ushtron e garon për 15 vjet me radhë, përvojë kjo që ia solli edhe titullin e kampionit ballkanik. 

“Janë bërë 15 vjet prejse nuk e kam ndërprerë asnjëherë karatenë. Kam qenë pjesë e garave të njëpasnjëshme si në vend ashtu edhe jashtë shtetit. Jam edhe kampion ballkanik. Ajo që e bën të veçantë përvojën tonë të gjatë është se e shohim dallimin ndër vite se si na kanë parë garuesit e huaj dikur dhe si na shohin sot, na e kanë edhe frikën”, tha Sefer Bajrami.

Klubi “Fituesi” synon edhe garat e tjera jashtë vendit, për të cilat kërkojnë mbështetje institucionale për ta përfaqësuar vendin me sa më shumë garues.