SOT

Gra të suksesshme vijnë në Prishtinë për t’i trajnuar gratë kosovare

Të mërkurën u mblodhën gra nga sfera të ndryshme në Kosovë për të mësuar më shumë rreth ndikimit të grave të shoqëri. “Woman of Impact” synon fuqizimin e grave dhe vajzave në fusha të ndryshme të jetës profesionale dhe shoqërore. Ky aktivitet mblodhi së bashku pjesëmarrëse nga profile të ndryshme, të cilat ndanë përvoja, ide dhe vizione për një rol më të madh të gruas në shoqëri. Trajnimi do të zgjasë 6 muaj.

Në Prishtinë u mbajt trajnim i veçantë me temën “Woman of impact”, i cili synon fuqizimin e grave dhe vajzave në fusha të ndryshme të jetës profesionale dhe shoqërore. 

Ky aktivitet mblodhi së bashku pjesëmarrëse nga profile të ndryshme, të cilat ndanë përvoja, ide dhe vizione për një rol më të madh të gruas në shoqëri.

Trajnimi përfshiu sesione interaktive mbi lidershipin, zhvillimin personal, vetëbesimin, menaxhimin e karrierës dhe ndërmarrësinë. 

Përmes punëtorive praktike dhe ligjëruesve të ftuar, pjesëmarrëset u inkurajuan të ndërtojnë rrjete bashkëpunimi dhe të eksplorojnë mundësi të reja për zhvillim.

“Ishte një trajnim shumë i suksesshëm në Maqedoninë e Veriut këtë vit dhe vitin e kaluar dhe erdhi ideja që ta bëjmë edhe në Kosovë. Ideja ka ardhur nga unë dhe Irena, është një kolege imja me të cilën e bëmë këtë. Ne jemi këtu që secila grua të ndihet që po rritet me ne, t’i dëgjohet zëri dhe ta mbështesim njëra-tjetrin. Fuqia e gruas ishte një promotor i progresit gjithmonë, këtu jemi sot që të ndajmë përvojat tona dhe të inspirohemi së bashku”, thotë promotorja Biljana Maksimovska.

Drejtorja e programit, Irena Jakimova, thotë se që nga e vogël kishte në mendje ide se si mund ta rrisë rolin e grave në shoqëri.

“Unë kam mësuar pak shqip dhe besoj ta perfeksionoj. Kisha disa dëshira kur isha e re, të isha mësuese dhe t’i mësoja njerëzit. Kur u rritëm e kuptova që askush nuk flet për gratë, kështu që ne duhet ta bëjmë vendin tonë vetë me shoqërinë. Unë e kam trajnuar veten dhe kam filluar që t’i trajnoj edhe gratë e tjera, se si t’i ngrenë vlerat tona dhe ta marrim atë që e meritojmë”, thekson Jakimova.

Sipas saj, shumë gra pas trajnimit që kanë pasur vitin e kaluar më Maqedoninë e Veriut kanë hapur edhe bizneset e tyre - shkaku i ngritjes së vetëbesimit.

“Kam mësuar që gratë nuk janë as më të këqija as më të mira sesa meshkujt, ne vetëm që kemi qenë të fshehura sidomos nga kultura e shoqërisë. Ne kemi pritur që të jemi të pranuara në shoqëri. Këtu jemi për t’ua ngritur vetëdijen se çfarë po dëshironi të rrisni po ashtu edhe rolin dhe ndikimin tuaj në shoqëri. Ne krijuam këtë program me të gjitha shkathtësitë. Shumë gra pas trajnimit ishin të gatshme që të flasin në publik apo edhe të tjera që hapën kompanitë e tyre dhe të bëjmë para, disa të tjera e ndërruan punën dhe e ngritën karrierën e tyre”, thotë Jakimova.

Trajnimi do të zgjasë 6 muaj dhe çmimi për pjesëmarrje do të jetë mbi 1 mijë euro. Programi përkrahet nga Bashkimi Evropian.