Këtë vit u themelua Shoqata Vullnetare për Zjarrfikje dhe Shpëtim e me të erdhi edhe thirrja për bashkëngjitje të vullnetarëve për fikjen e zjarreve.
3 ditë pas thirrjes, 6 persona erdhën dhe u regjistruan si vullnetarë në objektin e Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, tregon Bajram Rexhepi, kryetar i kësaj shoqate. Ai tregon se e ka befasuar gatishmëria e vullnetarëve për t’u bërë pjesë e zjarrfikësve, madje kishte prej tyre të moshës së shtyrë e me probleme shëndetësore.
“Kjo shoqatë ka qenë e domosdoshme shumë vjet më parë, por këtë vit arritëm të formohemi, tani kemi filluar me regjistrim të zjarrfikësve vullnetarë të rinj ku deri tani janë paraqitur 6 vullnetarë zjarrfikës, në mesin e tyre kishte edhe me sëmundje, por janë me vullnet të madh, ne obligohemi të kërkojmë edhe certifikatën mjekësore nëse mjeku ua lejon, shpresoj të kemi edhe më shumë interesim dhe presim me padurim që të bëhen heronj të komunitetit të tyre”, ka thënë Rexhepi.
Rexhepi thotë se vullnetarët mund të bëjnë punën e tyre profesionale kudo që janë, e në rastet që nevojitet ndihma e tyre ata do të telefonohen për intervenim emergjent.
“Vullnetarët mund të bëjnë edhe një punë tjetër, por edhe të bëhen vullnetarë tek zjarrfikësit, presim të kemi numër më të madh. Mund të lajmërohen sa të duan, ne i thërrasim ata vetëm kur kemi nevojë, ka edhe benefite, edhe pse janë vullnetarë, por për atë punë që do të jenë aktivë do të paguhen”, ka deklaruar ai.
E Malë Gashi, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, thotë se një ndihmë e tillë ka qenë më se e nevojshme, e sidomos në këtë periudhën e fundit kur nevoja për staf shtesë për shuarjen e zjarreve ishte e madhe.
“Shoqata vullnetare dhe e nevojshme që i ndihmon brigadës na ndihmon për të pasur një kulturë të vullnetarizmit të njerëzve që duan të japin kontribut dhe për t’u përgjigjur rasteve kur ka më së shumti nevojë, këtë vit kemi pasë nevojë shumë për ndihmë, kemi pasë intervenime në zona malore, por edhe nëse kemi staf mjaftueshëm, megjithatë prapë kemi nevojë për kapacitete të reja”, ka thënë Gashi.
Gashi fton të gjithë të bashkëngjiten në këtë nismë dhe të japin ndihmën e tyre në raste emergjente, të cilët paraprakisht do të përfitojnë edhe një trajnim për intervenim në raste të tilla.
“Formimi i shoqatës është kompetencë e komunës, ku ka pasë mundësi të bëhet edhe më herët por nuk është bërë, e tani kemi filluar, e duke parë vullnetin e njerëzve për të na ndihmuar në raste të tilla, qytetarët po ashtu do të marrin trajnime të nevojshme për të ditur si të reagojnë saktë në raste të zjarrit, aksidente ose ndoshta edhe tërmete”, ka shtuar ai.
Ideja për një thirrje të tillë kishte qenë shumë më herët. Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, thotë se posa u publikua thirrja menjëherë pati interesim nga gra dhe burra vullnetarë për të kuptuar më shumë për kushtet.
“Shoqata është pjesë e planit qëmoti, thirrja për anëtarësim është hapur qe disa ditë dhe jemi të befasuar që kemi një numër aq të madh të qytetarëve që kanë shprehur gatishmëri të jenë pjesë e ofrimit të shërbimeve për zjarrfikje. Gjithmonë kemi pasë qytetarë që na kanë ndihmuar në raste emergjente, por me hapjen e thirrjeve kemi pasë gra dhe burra të interesuar”, ka thënë Fushtica.
Fushtica thotë se Komuna ka paraparë buxhet të veçantë për vullnetarët dhe të gjithë ata që regjistrohen do t’u ofrohet një kosto modeste si shpërblim për orët që kanë ofruar ndihmë.
“Ne edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit kemi parapa buxhet të veçantë vetëm për këtë shoqatë, ku do blihen uniforma e pajisje për vullnetarët dhe do të jenë të certifikuar e akredituar ngjashëm sikurse profesionistët e zjarrifkjes, vullnetarët do të paguhen për orët në shërbim, për ato orë që punojnë paguhen në bazë të ligjit mbi zjarrfikje dhe shpëtim”, ka shtuar ai.
Në njoftimin e disa ditëve më parë të bërë nga kryeqyteti – Prishtinë, thuhet se komuniteti ka nevojë për njerëz që veprojnë në raste zjarresh apo fatkeqësish, për reagim të shpejtë e efektiv dhe për një brez të ri të përgatitur për të ndihmuar.