Jemi në fundin e vitit shkollor, e pushimet verore janë shumë afër.
Megjithatë, edhe pse fëmijët nuk do të shkojnë në shkollë, leximi nuk duhet të ndalet.
Zgjim Sherifi nga Libraria “Dukagjini” tregon se tashmë ka filluar interesimi për blerjen e librave që do ta shoqërojnë kohën e lirë të fëmijëve gjatë verës.
Edhe pse disa nga librat janë pjesë e kurrikulave shkollore, shumë fëmijë dhe prindër zgjedhin edhe libra sipas interesimeve dhe dëshirave të tyre.
“Gjatë tërë vitit si librari zakonisht fëmijët vijnë të blejnë libra sepse i kanë të caktuara me kurrikulë apo planprogram por ka raste që dalin jashtë tyre, kohëve të fundit kemi vërejtur se fëmijët janë aktivizuar për të lexuar gjatë verës si aktivitet i lirë për të mësuar diçka të re apo edhe për t’u relaksuar. Siç e shoh unë mendoj se e kanë edhe obligim për disa libra që të mos harrojnë mësimet, por të shpeshta janë rastet kur fëmijët vijnë me kërkesa vetëm për dëshirat e tyre”, thekson Zgjim Sherifi nga libraria “Dukagjini”.
Këtë vit, as librat nuk i kanë shpëtuar rritjes së çmimeve. Për shkak të rritjes së çmimit të letrës dhe materialeve të tjera, edhe librat këtë verë janë më të shtrenjtë.
“Kohëve të fundit është rritur çmimi i letrës e si rrjedhojë edhe të librave, kudo tani janë librat më të shtrenjtë, ka raste që ndikon të lexuesi sepse vijnë e kërkojnë një titull dhe më pas kthehen pa blerë asgjë. Bota e vogël e fëmijëve dhe kurioziteti i tyre për të zbuluar se çfarë ka në libër ka bërë të veten që ata ta kenë librin fizikisht e jo teknologjia të ndikojë në blerjen e librave”, shton Sherifi.
Ai thotë se të shpeshta janë rastet kur fëmijët kërkojnë ide për blerjen e librave edhe nga punëtorët e librarisë. Ai i rendit disa prej librave që secili fëmijë duhet të ketë në bibliotekën e tij në këtë pushim veror.
“Zakonisht titujt i kanë të caktuar se çfarë duan, por të shpeshta janë rastet që kërkojnë edhe ndihmë nga ana e stafit tonë për ndonjë libër që kanë dëgjuar nga shoku apo shoqja. Zakonisht gjatë verës fokusohen në libra me përralla, unë i kam përzgjedhë 5 tituj si sugjerim për fëmijët në këto pushime verore, libri i parë është ‘Aventurat e zakonshme të Sharlotës’ nga Alice Pantermuller, pastaj është libri ‘Bota Briliante e Tom Gejts’, nga një autor shqiptar e kemi romanin ‘Filmi i Gjeneral Çufos’ nga Gaqo Bushaka, kurse dy librat më të kërkuar janë romani ‘Aventurat e Kapiten Brekushit’ nga Dav Pilkey dhe i fundit ‘Libri i Xhunglës’ nga Rudyard Kipling”, deklaron Sherifi.
Ai thotë se, përmes këtyre librave, fëmijët jo vetëm që angazhohen në lexim, por gjithashtu marrin mesazhe të vlefshme për jetën, si të jenë më të socializuar me njëri-tjetrin e si të zhvillojnë ndjeshmëri dhe kujdes ndaj kafshëve.
“Nga këta libra nxjerrin mesazhe të miqësisë, se si një fëmijë i vogël miqësohet me kafshët, pastaj ndihmon ata për aventura të ndryshme për t’u njohur me botën se sa është e madhe”, thekson Sherifi.
Sipas tij, dominojnë librat me autorë të huaj si më të parapëlqyer nga fëmijët, edhe pse nga mësimdhënësit si obligim leximi jepen ata të vendësve.
“Kur kërkojnë libra për qejfin e tyre zakonisht kërkojnë libra nga autorë të huaj që zakonisht i marrin këto sugjerime nga rrjetet sociale, e kur jepet detyrë sipas planprogramit dominojnë ata me autorë shqiptarë. Kemi autorë të mirë por janë shumë të rrallë dhe kryesisht janë nga Shqipëria”, deklaron Sherifi.
Leximi gjatë verës u ndihmon fëmijëve të ruajnë dijen dhe të zhvillojnë imagjinatën e tyre. Në të njëjtën kohë leximi përveç që është i dobishëm është edhe mënyrë argëtuese për të kaluar pushimet duke krijuar kujtime të bukura.