Familja Kasemi nga Prizreni është e njohur për traditën e punimit të çantave dhe aksesorëve prej lëkure, një zanat që është bartur brez pas brezi.
Në krye të punëtorisë është Salajdin Kasemi, i cili synon ta zgjerojë këtë artizanat dhe t’ia trashëgojë vajzës së tij, Egzonës, e cila merret me të gjitha punët, nga skicat e para deri te produkti final.
“Kjo trashëgimi për këtë zanat daton qysh herët, prej gjyshit, babait, te unë dhe së fundi te vajza. Në këtë zanat, pune të çantave prej lëkurës, si familje jemi që nga viti 1982 dhe vazhdojmë edhe kësaj dite. Këtë nuk e kem vetëm punë por edhe pasion. Çantat që i realizojmë në këtë punëtori janë të ndryshme prej çantave të krahut për vajza dhe burra e aksesorë të ndryshëm. Çmimet e çantave nuk janë pasion i joni, që të realizojmë ndonjë fitim se kushedi se çfarë, sepse me këtë punë realisht llogari nuk ka. Vetëm shpenzimet tona i mbulojmë me punë të dorës. Për me realizua një çantë koha na merr deri në 4 ditë, teksa çmimi është minimal. Përkrahjen më të madhe e marrim nga familja e ngushtë, sepse edhe punëtoria ku punojmë nuk kem qira, falë tyre. Kjo krejt bëhet për të mirën tonë dhe për gjithë qytetin e Prizrenit. Shpresoj që kjo trashëgimi të vazhdohet edhe nga gjeneratat e ardhme, vajzën time e ndihmoj aq sa kam mundësi”, thekson Kasemi.
Ai na shpjegon procesin e punimit, nga prerja e lëkurës deri te qepja e dorës.
Prizrenasi tregon se çdo detaj i çantave dhe artikujve të tjerë ka veçantinë e vet.
“Aktualisht jam në procesin e punës të një çante për vajza, e cila është porosi nga një kliente që jeton jashtë Kosovës. Materiali i çantës është prej lëkure lope, gjithçka punohet me dorë që nga prerja e deri te qepja. E veçanta saj është se edhe peri që e përdorim është i zhytur në vaj të ullirit dhe mjaltit. Pasi të arrijmë ta kompletojmë çantën dhe kur e dërgojmë te klienti, u tregojmë këshilla për kujdesin e çantës pasi që gjithçka në çantë janë produkte natyrale. Deri më tani nuk ka ndodhur që produktet tona të kthehen për ndonjë arsye. Blerësit tanë janë të kënaqur me produktet tona, po ashtu edhe ne jemi të kënaqur me ta”, deklaron Kasemi.
Falë rrjeteve sociale, punimet e familjes nga Prizreni kanë arritur deri në Japoni, Argjentinë, Britani të Madhe e vende të tjera.
“Punimet tona kanë marrë hov kryesisht nga rrjetet sociale, ku me anë të kësaj kemi marrë porosi të ndryshme. Kemi klientë nga Japonia, Argjentina, Britania e Madhe etj. Të gjithë blerësit e jashtëm kanë qenë të kënaqur me kualitetin prodhimeve tona, shpesh u kam thënë se më shtrenjtë po bëhet posta sesa çmimi i çantës, por ata thonë se nuk është problem dhe i blejnë çantat tona. Kjo na ka shtyrë që produktet tona të jenë në një nivel më të lartë, me kualitet më të lartë”, shton Kasemi.
Megjithatë, Kasemi thekson se mungesa e fabrikave të lëkurës në Kosovë është një pengesë për prodhuesit vendorë.
“Sipas informatave që kemi sidomos në lëmin tonë, që jem duke e punuar, nuk ka prodhues të tjerë që punojnë sikurse punojmë ne, mund të them në mbarë shqiptarinë nuk ka të tillë. Prandaj është e rëndësishme që të mbahet gjallë kjo punëtori me këto prodhime vendore. Sidomos për blerësit e jashtëm është shumë më mirë, që të blejnë produkte tona. Është fakt që lëkurat e cilësisë së parë po shiten në Kinë e Indi, e që ma pas ne i blejmë prej tyre produktet finale. Më mirë që ne të prodhojmë e t’ua shesim atyre. Kem pasur fabrikën e lëkurës në Pejë dhe tash nuk e kemi, më mirë të kemi fabrika të tilla për zhvillimin e Kosovës dhe mbajtjen e traditave”, thekson ai.
Krahas tij, edhe bashkëshortja, Kujtesa Kasemi, ka lënë profesionin e infermieres për t’iu përkushtuar zanatit të familjes.
Ajo menaxhon shitjen e produkteve në dyqanin, i cili gjendet në qendrën e vjetër të Prizrenit.
Aty janë të ekspozuara mbi 100 artikuj, ku përfshihen çanta të llojeve të ndryshme, kuleta e aksesor të tjerë, e të cilat shiten nga 30 e deri në 150 euro.
“Me profesion jam infermiere, por bashkëshorti asnjëherë nuk ka pasur dëshirë që ta punoj atë punë dhe qe 17 vjet punoj me shitjen e çantave kurse vajza me burrin merren me punimin e çantave në punëtori. Jam mësuar me këtë punë, tash edhe të më ofrohej diçka tjetër nuk pranoj, sepse jam mësuar me këtë punë. Kemi myshterinj të ndryshëm vendorë e të huaj. Nganjëherë kemi shitje më pak, nganjëherë më shumë. Kur myshterinjtë janë të kënaqur, edhe ne jemi të kënaqur”, deklaron Kasemi.
Prizreni dikur njihej për zanatlinjtë e shumtë. E tani që numri po bie, është familja Kasemi ajo që e mban gjallë traditën.