SOT

Bima e rrallë që po kultivohet në Istog, rreth 8 euro kilogrami i saj

Tash e 10 vjet Alkend Tahirsylaj, nga fshati Llugë i Istogut, zgjohet çdo ditë në orën 5 të mëngjesit. Ai kultivon një ndër bimët më të rralla në Kosovë, asparagun.

Në një sipërfaqe prej rreth 1 hektari, Tahirsylaj ka mbjellë asparag, duke qenë një ndër fermerët e parë në vend që e ka kultivuar këtë bimë për më shumë se një dekadë. 

Ai rrëfen se kur nisi këtë rrugëtim shumë pak veta në Kosovë e dinin se çfarë ishte asparagu.

Thotë se në fillim nuk kishte fare shitje.

“Në kontakt me asparagun kemi rënë në vitin 2012, përmes një thirrjeje nga USAID-i për kultivimin e mjedrës dhe asparagut. Fillimisht e kemi parë si një mundësi premtuese dhe kemi vazhduar me hulumtime të mëtejshme. Pas analizave të tokës rezultoi se kushtet në zonën tonë ishin të përshtatshme për këtë kulturë. Në atë kohë isha ende në studime dhe meqë asparagu nuk jep prodhim në tre vjetët e parë, derisa kam përfunduar studimet kam kultivuar edhe bimët”, theskon Tahirsylaj. 

Ai tregon se fillimet kanë qenë të vështira, kryesisht për shkak të mungesës së njohurive rreth kësaj kulture të re për ta.

Tahirsylaj tregon procesin e mbjelljes dhe rritjes së bimës.

“Ka qenë sfiduese në fillim, por me kalimin e kohës kemi fituar përvojën e nevojshme. Nuk kishim shumë njohuri dhe gjithçka ishte e re për ne. Hapja e rendeve për mbjellje dhe kujdesi i vazhdueshëm, sidomos gjatë tre viteve të para, është shumë i rëndësishëm që të largonim barërat e këqija që pengonin rritjen e bimës. Pas tre vitesh, kultura zhvillohet dhe jep rendiment të mirë. Është gjithashtu thelbësor sistemi i ujitjes pikë-pikë në 5 vitet e para të kultivimit”, thekson ai.

Sot kultivimi i asparagut për Tahirsylajn është një aktivitet fitimprurës. Në tregun kosovar çmimi për një kilogram lëviz nga 7 deri në 8 euro 

“Po është profitabile, për momentin për një kilogram asparagu çmimi sillet prej 7-8 euro. Duke e marr parasysh që kjo bimë Prej importit nuk e ka cilësinë e njëjte dhe çmimi sillet rreth 25 euro për kilogram, me pas fuqi punëtore besoj që ja vlen me u merr me asparagu, ne do të vazhdojmë te merremi edhe në të ardhmen me kultivimin e kësaj bime vetëm se po mendojmë që ta ndërrojmë parcelën në të kaluarën kam pasur më shumë hektarë të mbjellë”, thotë ai.

Transportin drejt pikave të shitjes Tahirsylaj e bën vetë, një sfidë më vete për shkak të shpërndarjes së gjerë të blerësve në të gjithë Kosovën.

“Është sfiduese sepse distanca me tregun momentalisht është e gjatë. Ne prodhojmë në Istog mirëpo shitet në të gjithë Kosovën, kjo është sfiduese sepse duhet me e sigurua edhe tregun. Duhet edhe transportin e produktit me e bë të konsumatori, ne e kemi provuar edhe me postë dërgimin nëpër pika shitëse mirëpo asnjëherë nuk ka mbërri produkti i freskët te konsumatori për shkak të vonesave që kane ndodhë. Për këtë arsye transportin e bëjmë vetë. Prandaj dita për mu fillon në orën 5 ne mëngjes dhe përfundon në 23:00”, deklaron ai.

Sipas tij, klima e Kosovës është e përshtatshme për asparagun, përveç disa viteve të fundit kur pranverat kanë sjellë ngrica, duke ndikuar negativisht në prodhim.