Ilir Lumi nga Prishtina ka nisur të merret me çiklizëm që në moshë të vogël. Megjithatë, në mënyrë profesionale i është përkushtuar këtij sporti gjatë pesë vjetëve të fundit.
33-vjeçari ka marrë pjesë kryesisht në gara vendore, por për të çiklizmi është më shumë pasion sesa konkurrencë.
Ai preferon distancat e gjata dhe shpesh nget biçikletën në rrugë malore apo shtigje ku ka kushte të përshtatshme për këtë sport.
“Prej që e voziti biçikletën, zakonisht dal vikendeve për edhe me grupin në aktivitete të ndryshme. Çiklizmin duhet me dashtë, në fillim është mirë por pastaj të hynë në qejf blenë pajisje më të mira dhe me kohë profesionalizimesh. Kemi marrë pjesë edhe në gara, sikurse ajo në qytetin e Ferizajt, ku kam dalë i pari. Nuk i kam synim garat vendore as ndërkombëtare. Më shumë e ngas biçikletën në asfalt dhe përpjetëve, por edhe në mal. Udhëtimi im më i gjatë ka qenë 220 kilometra brenda ditës, 11 orë. Kemi filluar prej Prishtinës kemi shkuar në Gjilan, Ferizaj pastaj jemi kthyer në Prishtinë. Me çiklizëm mundesh me u marrë katër stinët e vitit”, ka thënë Lumi.
Lumi tregon se çiklizmi është një sport mjaft i kushtueshëm dhe apelon që çiklistët të pajisen me masa mbrojtëse përpara se të dalin në rrugë, për të shmangur rreziqet nga aksidentet.
“Zakonisht kur dal për çiklizëm mundona me i pasë të gjitha pajisjet për vozitje. Si sport është i shtrenjtë. Biçikletat munden me kushtuar deri në 4-5 mijë euro”, ka shtuar Lumi.
Ai shpreh shqetësimin për mungesën e infrastrukturës në kryeqytet, veçanërisht mungesën e shtigjeve për biçikleta. Sipas tij, Prishtina ka më shumë parkingje sesa shtigje çiklizmi. Për këtë arsye, ka zgjedhur ta zëvendësojë veturën me biçikletën, për t’iu shmangur trafikut të rënduar.
“Shtigjet në Prishtinë që i kemi nuk janë të mjaftueshme, për ne çiklistët. Kemi shumë vetura dhe pak shtigje të biçikletave, kemi probleme në komunikacion shumë. Unë mundohem me biçikletë me i kryer punët personale për t’iu larguar komunikacionit”, ka deklaruar Lumi tutje.
Iliri nuk ka ambicie për gara ndërkombëtare. Ai është më i fokusuar në aktivitetet e lira rekreative, të cilat i zhvillon bashkë me grupe çiklistësh brenda dhe jashtë Kosovës.