SOT

Bashkëpunimi ndërkombëtar rrit mundësitë për studentët dhe laboratorët në Kosovë

Rastet me ethe hemorragjike në Kosovë kanë shënuar rënie të vazhdueshme.

Kjo sipas profesorit Kurtesh Sherifi, është rezultat i bashkëpunimit ndërsektorial të monitorimit të virusit dhe përdorimit të pajisjeve të reja laboratorike, që kanë mundësuar detektim më të shpejtë dhe të saktë.

“Reduktimi ose zvogëlimi i rasteve me ethe hemorragjike sidomos në Komunën e Malishevës dhe në disa Komuna ka vazhduar nga viti 2013, këto janë edhe merita të shumë institucioneve të tjera duke përmendur ministrin e Shëndetësisë... por edhe komunat përkatëse dhe duke bashkëpunuar me një nivel ndërsektorial konsideroj që secili nga pjesa e vet ka ndikuar pozitivisht në uljen e rasteve, ne e kemi përcjellë ose e kemi bërë monitorimin e prezencës së virusit në rriqra dhe fatmirësisht rastet e detektimit të virusit janë zvogëluar, kjo mund të jetë edhe për arsye të qarkullimit të virusit në natyrë, mund të jenë edhe faktorë domethënë të tjerë, mirëpo ne kemi punuar ngushtë sidomos me fermerë gjatë marrjes së mostrave ne i kemi edukuar ata se si të mbrohen dhe të mos ekspozohen ndaj një rreziku që ka ndodhur në të kaluarën”, ka thënë Kurtesh Sherifi – Profesor në Mjekësinë Veterinare.

Sipas profesorit, përhapja e viruseve të rrezikshëm mund të ndodhë lehtë për shkak të ndryshimeve klimatike dhe të transportit.

“Shumë shtete janë të brengosura se numri i madh i patogjenëve ose i viruseve të cilët në një moment të caktuar mund të pësojnë një mutacion apo një ndryshim të gjenomit të tyre, ato mund të bëhen të rrezikshme në një moment të caktuar për njerëz dhe rreziku ekziston, fatkeqësisht rreziqet e tilla mund të jenë jo vetëm në vendin tonë por edhe në vende tjera dhe transmetimi pastaj të bëhet në njerëz mund të jetë si pasojë edhe e ndryshimeve klimatike që janë duke ndodhur për arsye që një pjesë e këtyre viruseve bartën nga mushkonjat dhe transmetimi apo ardhja e mushkonjave mund të ndodh përmes transportit të mallrave përmes transportit ajror dhe shumë lehtë mund të kemi edhe përhapje të këtyre patogjenëve për të cilët konsideroj se vendi ynë duhet të jetë i përgatitur”, ka shtuar ai.

Studentët gjithashtu theksojnë se përfshirja në projekte ndërkombëtare dhe puna praktike me profesorët po u mundësojnë avancim të vazhdueshëm.

“Në aspektin akademik ka vlerë shumë te ne studentët në pjesën praktike të lëndëve si patologjia dhe parazitologjia dhe lëndët tjera shkencore  që i kemi në fakultetin tonë dhe ka një rëndësi shumë të madhe në zhvillim e ushtrimeve në fakultetin tonë, ka thënë Besar Zeqiri – Student i Mjekësisë Veterinare. “Ndikon goxha mirë sidomos në pjesën laboratorike për të vërtetuar shumicën e sëmundjeve apo investimeve parazitare që i hasim në fakultetin tonë. Është një mundësi shumë e mirë sidomos edhe për punime shkencore edhe për punimet e doktoratës ose diplomës”, ka thënë ai.

“Është e rëndësishme se në të ardhmen e afërme mund të kemi mundësi për seminare jashtë vendit për të mësuar jashtë vendit dhe për diplomacinë sa i përket shteteve të huaja. Në vendin tonë kemi ende sëmundje apo investime parazitare që mund t’i prekë edhe njerëzit dhe po ashtu duke mbrojtur ushqimet edhe kafshët të cilët ne i mbajmë si ato të ushqimit dhe ato shoqëruese”, ka shtuar Zeqiri.

Përveç studentit Besar Zeqiri, edhe studentja Venera Beqiri ka ndarë perspektivën e saj mbi këtë temë.

“Kohëve të fundit ne kemi pranuar shumë projekte nga shumë shtete të ndryshme me ndihmën e profesorëve tanë të cilët janë më të mirët e kësaj fushe, puna jonë po bëhet edhe më e lehtë, ne çdo ditë po hulumtojmë po avancomi çdo ditë e më shumë në shumicën e fushave. Unë tani jam duke ndjekur lëndën e parazitëve ku kjo ishte një ndër eksperiencat më të mira pasi që është lëndë shumë diverse dhe kërkon shumë përkushtim, ne kemi mjete të cilat neve na ndihmojnë shumë dhe kjo punë për neve është lehtësuar shumë”, ka thënë Venera Beqiri – Studente e Mjekësisë Veterinare. “Ky projekt ndikon shumë në përgatitjen tonë profesionale, sepse mjekësia veterinare kërkon shumë praktikë, praktika është një ndër faktorët kyç që ne duhet me i pasë dhe ndikon shume mirë pasi që ne çdo ditë po bëjmë praktika të shumta dhe kjo ka ndikuar shumë në arritjet e mia profesionale”.

Profesori Kurtesh Sherifi thekson se projekti ka arritur kapacitet të lartë laboratorik, duke përmirësuar kërkimin shkencor, praktikat për studentët,  deri te diagnostikimi i sëmundjeve në veterinari.

“Projekti është shumë i rëndësishëm, sigurisht ngritjen e kapaciteteve laboratorike dhe përmirësimin e kushteve sa i përket realizimit të kërkimit shkencor dhe mundësinë e praktikave për studentë dhe realizimin e temave të diplomës sepse projekti përveç se na ka mundësuar ardhjen e shumë pajisjeve laboratorike të rëndësishme për diagnostikon veterinare por edhe shëndetin publik respektivisht më këto pajisje kemi arritë që të mundësojmë diagnozën laboratorike për sëmundje të ndryshme ose patogjenë të ndryshëm dukë filluar nga parazit dhe viruse, përveç pajisjeve që kanë ardhur përmes këtij projekti kemi marrë edhe shumë material tjetër shpenzues, regjenca, kite të cilat janë të nevojshme për realizimi e analizave molekular-biologjike”, ka deklaruar Sherifi.

Instituti Gjerman që nga viti 2010 ka ndihmuar në trajtimin e sëmundjeve nga ethet hemorragjike deri tek infeksionet më të rrezikshme në Kosovë, shtoi Sherifi.

“Nga viti 2010 ne bashkëpunojmë me institutin Bernhard-Nocht në Hamburg, instituti është me një nivel të lartë të bio-sigurisë por është edhe laborator referent për sëmundje të ndryshme me rrezikshmëri të lartë në njerëz për shembull për arbo-viruset është laborator referent edhe nga organizata botërore e shëndetësisë. Bashkëpunimi me institutin ka filluar për shkak të problemeve që ne i kemi në Kosovë respektivisht etheve hemorragjike, që në disa regjione ka shkaktuar infeksione të rënda dhe kemi pasur edhe vdekje sidomos të një grupi të fermerëve, ata persona të cilët kanë pasur kontakte të ngushta me kafshët por gjithashtu edhe të cilët kanë punua në fushë”, ka thënë ai.

Gjithashtu gjatë Covid-19 pjesët e laboratorit u vunë në shërbim të Institutit të Shëndetit Publik për rritjen e kapaciteteve laboratorike, shtoi profesori.

“Në vitin 2013 kemi filluar me një projekt konkret që është financuar nga Ministria e Jashtme gjermane programi për bio-siguri dhe kemi realizuar disa nga këto aktivitete të përbashkëta dhe fokusi ka qenë në monitorimin dhe detektimin e virusit të llojit të rriqrave në vendin tonë. Gjithashtu me institute humane është vazhduar edhe me disa projekte e dimë që Covid-19 pandemia neve na ka mundësuar neve që të paktën këto pajisje që ne i kishim t'i ofrojmë në shfrytëzim edhe për institutin kombëtar të shëndetit publik dhe janë dërguar atje dhe janë përdorur për rritjen e numrit të rasteve për tu diagnostikuar me Covid-19”, ka shtuar ai.

Investimi në dije dhe praktikë do t’u mundësojë studentëve të Kosovës të kenë më shumë mundësi punësimi brenda vendit, thotë profesor Kurteshi.

“Në të gjitha hulumtimet që i kemi realizuar ne këtu janë të përfshirë studentë, studentët që janë të përfshirë këtu përveç që bëjnë praktikat në njëfarë mënyre pjesërisht janë kompensuar me mjete financiare jo edhe shumë të mëdha por për kohen cilën e kanë realizuar këtu. Mesazhi im është që ne duhet të investojmë, por edhe shteti ynë duhet të investojë më shume ne dije të cilën që duhet të jetë më praktike për edhe pjesën e studentëve dhe të jenë më të gatshëm për një treg të punës jo vetëm që disa prej tyre e mendojnë perëndimin apo se si të gjejnë një vend pune jashtë Kosovës por ne duhet të krijojmë kushte që studentët tanë të kenë mundësi më të mëdha dhe më të mira për tu punësuar në vendin tonë dhe një mesazh për partitë politike dhe për qeverinë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rritët buxheti për shkencë inovacion dhe të krijohen qendra të tilla që rinia jonë ata të cilët janë të përgatitur të gjejnë vende punë këtu dhe të krijojnë mundësi të mira në Republikën e Kosovës”, është shprehur Sherifi.

Universiteti i Prishtinës bën të ditur se edhe në të ardhmen priten projekte të tjera në zhvillim.