SOT

Babë e bijë në sportin e atletikës

Vesa Jusufi është një 18-vjeçare nga Prishtina, e cila prej fëmijërisë është e lidhur me sportin e atletikës.

Ajo është pjesë e klubit “Prishtina” dhe deri më tani ka marrë pjesë në qindra gara brenda dhe jashtë Kosovës, ku shpesh është ngjitur në podium duke fituar vendin e parë, të dytë apo të tretë.

Sot, ajo garon si sprintere në disiplina nga 100 deri në 400 metra, por e ardhmja e saj duket se po shkon drejt garave të mesme, me synimin që ta zotërojë disiplinën 800 metra.

“I kam 6 çmime kryesore prej Federatës së Atletikës së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës. Po ashtu kam rreth 200 medalje nga garat që i kam mbajtur në Kosovë, ndërsa në garat ndërkombëtare e kam këtë medalje të Shkupit, ku kam vrapuar në disiplinën 100 metër dhe kam zënë vendin e tretë. Dy herë kam qenë edhe në olimpiadë për të rinjtë, ku janë mbajtur në Sllovaki dhe Slloveni. Këtu kam vrapuar në disiplinën 100 metra deri në 400 metra. Përveç olimpiadave për të rinj kam marrë pjesë edhe në Ballkaniadën për U18, gjatë vitit 2023-2014. E veçoj garën në Poloni, ku kemi vrapuar të gjithë atletët më të suksesshëm të Kosovës, që Kosovën prej divizionit të tret me vendosë në divizion të dytë”, ka thënë Jusufi. 

Vesa thotë se ndjenja kur përfaqëson Kosovën në arenat ndërkombëtare është e veçantë dhe e papërshkrueshme.

“Me përfaqësu shtetin në gara është një ndjesi e papërshkrueshme, unë kur dalë para startit ka shumë shikues dhe është një ndjesi e papërshkrueshme. Kisha pasur dëshirë me përjetu çdo i ri në sport. Të rinjve u them të merren me çfarëdo sporti që ata e duan, pse jo ta përfaqësojnë Kosovën në gara ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Suksesi i Vesës nuk është rastësi. Prindërit e saj kanë qenë gjithashtu atletë, dhe babai, Ismajl Jusufi, është ndër ata që dikur kanë shkëlqyer në skenën sportive të ish-Jugosllavisë.

Medalja e vetme që i ka shpëtuar nga lufta e fundit në Kosovë, Ismajl Jusufi ia ka dhuruar vajzës së tij, Vesës. 

Ai kujton kohën kur ka qenë vetë atlet, teksa thotë se ndihet krenar për sukseset e Vesës.  

“Jam 55-vjeçar edhe unë jam marrë me mbretëreshën e sportit, atletikën në kohën time. Nga viti 1985-1988 kam vrapuar, atë kohë kam qenë nënkampion i ish-Jugosllavisë, kam qenë edhe i treti në ish-Jugosllavi. Atletika është sport i vështirë, por edhe i shtrenjta, nja palë patike të vrapimit kushtojnë 200-300 euro. Ne pasi punojmë të gjithë në shtëpi mundohem me ia plotësu të gjitha kushtet Vesës. Vajzën në fillim e kemi angazhuar me atletikë për t’u dobësuar, por, shumë i ka pëlqyer edhe ka vazhduar tutje duke u bërë super sportiste. Pas luftës më ka mbetur vetëm kjo medalje e art, të cilën nuk e kujtoj cilën garë e kam marrë, por ja kam dhuruar Vesës për kujtim”, ka thënë ai.  

Sipas tij dikur atletët shqiptarë garonin përballë shumë sfidave, madje edhe me pajisje të papërshtatshme, por me vullnet të madh.

“Në kohën time kur jam marrë me atletikë nuk kanë qenë këto kushte që janë sot. Edhe pse as sot nuk qëndron mirë me infrastrukturë atletika. Atë kohë kem pasur urrejtje na thoshin pse shqiptari me arritë me marrë medalje në atletikë, me ditë se çka është atletika si sport etj. Më kujtohet në një gara që kam marrë medalje dhe pse nuk kam pasur pajisje adekuate për vrapim. Kam dalluar nga atletët e tjerë. Vullneti i madh na ka bërë të ishim të suksesshëm. Kam na mesazh për baballarët. Të angazhojnë fëmijët e tyre me një sport, uroj të kem kampionë nga Kosova prej krejt sporteve”, ka shtuar ai.

Për stërvitje, Vesa zakonisht shfrytëzon Parkun e Gërmisë dhe zonën e Taukbahçes në Prishtinë, në mungesë të një shtegu të mirëfilltë të atletikës. Kjo mbetet një prej sfidave kryesore për të gjithë sportistët e kësaj fushe në Kosovë.

Përkundër talentit, përkushtimit dhe rezultateve të jashtëzakonshme, atletika vazhdon të mbetet një sport i neglizhuar nga institucionet. Investimi në infrastrukturë është thelbësor nëse dëshirojmë që sportistë si Vesa të kenë mundësi reale për të konkurruar dhe fituar në skenën ndërkombëtare.