SOT

As toka prej 20 hektarësh në kryeqytet nuk e josh fermerin ta braktisë fshatin

Në një kohë kur shumë banorë braktisin fshatrat për t’u zhvendosur në qytete ose vende perëndimore, Gëzim Rexhepi është ndër fermerët që, me përkushtim të plotë, i kushtohet bujqësisë dhe blegtorisë. Ai është nga fshati Shaban i Prishtinës, ku dhe ka vendosur të vazhdojë të jetojë. As kryeqyteti nuk e josh ta braktisë fshatin

Gëzim Rexhepi është një fermer nga fshati Sharban i Prishtinës. Ai jeton dhe punon me përkushtim në blegtori dhe bujqësi, së bashku me familjen e tij. 

Edhe pse posedon 20 hektarë tokë në kryeqytet dhe gjithsej 30 hektarë në fshat, ai ka zgjedhur që jetën dhe të ardhmen ta ndërtojë pikërisht aty ku ka lindur.

“Nëse nuk i mbaj bagëtitë nuk rri në fshat hiç shkoj në Prishtinë. Ju kisha thënë me mbajtë bagëti, edhe pse rinia nuk i duan. Ne, babë e babagjysh gjithë i kemi pasë bagëtitë në familje. Kemi edhe në Prishtinë vend e shpija po kemi vendosë të qëndrojmë në fshat. Edhe pajisjet bujqësore i kemi krejt edhe rrimë në fshat. Për 15 minuta shkoj në Prishtinë”, thotë Rexhepi. 

Në fermën e tij, Gëzimi mban rreth 230 dele dhe 20 lopë. Përveç kësaj, kujdeset edhe për shpezët dhe ka të mbjella me drithëra.

“Në mëngjes zgjohem në ora 7:00 të mëngjesit pij kafe dhe dalim i shikojmë delet a janë mirë, i pastrojmë pastaj i lëshojmë në fushë delet. Është përfituese të merresh me dele, por jo edhe shumë, por duhet angazhim i madh. Lopët i mbaj në stallë, e delet në këtë pjesë prej 3 hektarë, të cilën e shfrytëzoj vetëm për kullosat e deleve”, shton Rexhepi. 

Qumështin e deleve, Gëzimi nuk e shfrytëzon për konsum apo treg, por e lë tërësisht për rritjen e qengjave.

“Një dele për afërsisht ka 1.50 litra qumësht, por nuk i mjelim i lëmë për qengja. Personat vijnë blejnë dele, qengja për kurban për restorante, për çka kanë nevojë vijnë te unë”, deklaron ai.  
Nëpërmjet subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë, Gëzimi ka përfituar 10 lopë, ndihmë kjo që ka lehtësuar punën dhe ka shtuar prodhimin e tij.

Përveç kësaj, ai përfiton subvencione të rregullta deri në 30 euro për çdo dele dhe 90 euro për çdo lopë. 

“Subvencionet i marrim gjithë. Vjet kemi fituar një grand, një stallë. Mirë është nuk është keq. Për drithëra, për dele, për krejt i marrim subvencionet”, shton ai. 

Edhe në kohën kur shumë banorë braktisin fshatrat për t’u zhvendosur në qytete ose vende perëndimore, Gëzim Rexhepi mbetet ndër fermerët që, me përkushtim të plotë, i kushtohet bujqësisë dhe blegtorisë.