Ai ka mbi një dekadë që përballet me varësinë nga droga, heroina ishte dera e parë pas saj e shumë substanca të tjera.
B.R. sot lufton jo vetëm për veten, por për të mos u bërë shembull që të tjerët ta ndjekin, e sidomos vajza e tij 18-vjeçare.
“Me heroinë e kam nisë në fillim, kur kam qenë 17-vjeçar, pastaj me këto të tjerat. Prej kureshtjes kam filluar abuzimet me substanca narkotike. Edhe emrat jau kam harru substancave të cilat i kam përdorur. Përveç shoqëria që është distancua prej meje, ka filluar edhe familja. Tash të shohim çka po ndodh nëse jam shënosh e mirë”, ka thënë B.R.
Pas shumë përpjekjeve në ambulanca private, asgjë nuk pati sukses. E vetmja gjë që nuk e braktisi ishte dëshira për të shpresuar në shërimin nga drogat.
“Vullneti më shumë i imi më ka shtyrë që të trajtohem. Përkrahja e familjes është më e mirë se e shoqërisë, por ka edhe prej shoqërisë që janë të mirë. Shpresoj të shërona edhe t’i kthehem normalitetit. Kam pengesa edhe në shëndet, sidomos me mëlçinë, po pres se si po tejkalohet kjo”, ka shtuar ai.
Ai e di se sa e vështirë është të largohesh nga droga dhe sa e domosdoshme është të mos fillosh kurrë.
Apelon tek të rinjtë të mos zgjedhin rrugët e gabuara të jetës.
“Për të rinjtë, për vajzën time po flas, nuk ua kish preferua ta ndjekin këtë rrugë. E kisha ndërpre krejt. Nuk ish e mirë, kush mundet le ta tejkalon, jeta e mirë ish. Shembullin qe ku e keni, larg, sa ma larg prej substancave narkotike”, ka thënë ai.
Vjollca Ramiqi, mjeke specialiste, është një nga ata që e sheh përditë betejën e përdoruesve të drogave nga momenti i pranimit e deri te sfida më e madhe - trajtimi nga varësia.
“Pacienti është trajtuar edhe përpara në ambulanca private. Ndërsa te ne ka ardhur me një gjendje jashtëzakonisht të rëndë. Tri ditët e para i japim infuzionet për dehidrim. Për shkak se ushqim e kanë drogën dhe nuk ushqehen mirë. Kur vijnë në hospitalizim janë të varfëruar në kuptimin e ushqyeshmërisë. Pastaj fillojmë me terapi simptomatike, nëse ka elemente depresive apo çrregullime të tjera. Krejtësisht janë të shkëputur nga realiteti. Nëse pacienti nuk ka vendosur ta ndërpresë përdorimin e substancave narkotike, ata bëjnë përpjekje të kota, për të motivuar me ardhë në trajtim. Nëse ata vendosin që të dalin nga kjo shoqëri e sëmurë, atëherë ia dalin, i tejkalojnë edhe simptomat shumë më të rënda”, ka thënë Ramiqi.
“Shoqëria jonë, por është familja së pari, që këta persona arrijnë t’i stigmatizojnë, t’i izolojnë, të distancohen dhe kjo nuk është zgjidhja. Por jeta 10-vjeçare, siç ishte e pacientit, është shumë e rendë. Sepse këta vetëm një synim e kanë si të arrijnë te droga. Edhe shpenzimet materiale janë problem për këta persona”, ka shtuar ajo.
Ajo thotë se pas pandemisë COVID-19 ka ndryshuar edhe profili i përdoruesve. Të rinjtë tashmë përdorin kombinime të rrezikshme drogash.
“Mosha që më së shumti vijnë për të kërkuar ndihmë te ne janë nga 17-vjeçare deri 25-vjeçar. Pas Covid -19 ka filluar struktura e moshës, po ashtu ka ndryshuar përdorimi i substancave narkotike dhe kombinimi i tyre. Pra, pas Covid-19 kemi përdorues të shumtë të kombinimeve alkool me kokainë. Disa pacientë thonë se arsyeja e kombinimit është që nuk ka kriza të mëdha, është e vërtetë, edhe shkenca e thotë. Zakonisht kur vijnë pacientët në klinikë thonë ‘marihuana’ është e lehtë, cigare. Por përdorimi dyvjeçar i ‘marihuanës’, shkakton dëmtime shumë të larta të sistemit nervor, kryesisht te të menduarit abstrakt. E nuk po flasim për drogat e tjera si heroina etj., që janë të mëdha dëmtimet shëndetësore. Heroina ka jetëgjatësinë 4 orë, nëse pas 4 orëve nuk ke heroinë mund të shkojë edhe në fatalitet. Të gjitha drogat janë të dëmshme për çdokënd. Më shqeton fakti që të rinjtë i përdorin rrjetet sociale, por nuk lexojnë për efektet anësore të substancave narkotike. Nga aspekti shëndetësor është një vetëmohim”, ka thënë ajo.
Doktoresha thekson se rruga për shërim është e gjatë. Edhe nëse droga është ndërprerë për një periudhë të caktuar, rreziku i rikthimit mbetet i lartë.
“Ekziston një kohëgjatësi e mospërdorimit të substancave narkotike. Nëse një pacient nuk ka përdorë 8 vjet drogë, mundësia e rikthimit është shumë e madhe, sikurse fillet e përdorimit. Familja entuziazmohet se e ka ndërpre, nuk po përdor, por mundësitë e rifillimit janë shumë të mëdha. Patjetër që duhet të bëhet përpjekje, por mundësitë e rifillimit janë të mëdha për ata që kanë qenë përdorues afatgjatë. Nuk është e njëjtë si një përdorues afatshkurtër si afatgjatë. Aq gjatë që është përdorues, kërkohet kohë për trajtim. B.R., pacient anonim, i duhet një kohë e gjatë për trajtim, sepse është 10 vjet nën ndikimin e substancave narkotike”, ka deklaruar ajo.
Në Klinikën e Psikiatrisë, përveç rasteve të drogës, trajtohen edhe pacientë me varësi nga alkooli. Numri i vajzave që kërkojnë ndihmë është gjithashtu në rritje. Këtë vit në QKUK u regjistrua edhe një përdorues heroine, vetëm 12 vjeç.