Nuk ishte kohë e njerëzve që mendonin për të ardhmen. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë nga njerëzit e nëntokës dhe pastaj edhe ishte vrarë nga vrasës të panjohur, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë. Rexhep Luci është si doktor Stokmani i Ibsenit, veçse, për të vërtetën e tij për Prishtinë, ky pagoi çmim shumë më të lartë. Pas vrasjes së tij, askush tjetër më nuk ka guxuar të konfrontohet me mafinë e ndërtimit në Prishtinë
Sipas disa bilanceve (jozyrtare) të dëmeve të luftës, thuhet se rreth 60 për qind të fshatrave të Kosovës kanë qenë të djegura e shkatërruara. Ka ekzistuar një plan sistematik, mirë i menduar, që ushtria dhe paramilitarët serb e kanë zbatuar në shumicën e fshatrave shqiptare të Kosovës, e që ka përfshirë djegien e shkatërrimin e shtëpive dhe pastaj plaçkitjen e tyre. Prandaj, kur përfundoi lufta në qershor të vitit 1999, streha mbi kokë ishte njëra ndër çështjet më emergjente për shumicën e njerëzve që po ktheheshin nga kampet e refugjatëve në Maqedoni dhe në Shqipëri. Njerëzit hallexhinj vërshuan qytetet, në fillim uzurpuan banesat e serbëve që largoheshin nga Kosova, por ato ishin të pamjaftueshme. UN-i e organet lokale që po administronin Kosovën, nuk kishin zgjidhje të shpejtë, por atë e ofruan njerëzit e nëntokës, biznesmenët e kompanitë e ndërtimit të lidhura me botën e krimit. Një shoqëri e tërë e traumatizuar nga lufta, në një përpjekje epike për t’iu rikthyer jetës, iu nënshtrua, pavullnetshëm, këtij grupi të nëntokës, që u ofronte “zgjidhje” banimi. Prishtina filloi të gëlojë nga ndërtesat që po mbinin brenda natës, me cilësi të dobët ndërtimi, pa përfillur asnjë kriter ndërtimi e pa plan urbanistik. Parqet ktheheshin në kantier ndërtimi, sheshet ngushtoheshin e në to ndërtohej, shtëpitë e vogla rrënoheshin e mbi atë truall mbinin rrokaqiej. Arkitekti e planifikuesi hapësinor i Prishtinës, Rexhep Luci, pothuajse i vetëm, po bënte përpjekje të vinte kontroll urbanistik në Prishtinë. Ai kishte punuar si drejtor i Zyrës për Planifikim Hapësinor që nga vitet e 70-ta. Ishte larguar nga puna dhunshëm në kohën e Millosheviqit, por tani pas luftës ishte kthyer sërish, me shpresë që mund ta vazhdonte implementimin e master-planit të tij urbanistik, që e kishte quajtur “Vizioni për Prishtinën 2000-2005”, e që ishte modeluar mbi një plan urbanistik ekzistues të viteve të 80-ta. Por ajo nuk ishte kohë e njerëzve që mendonin për të ardhmen. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë nga njerëzit e nëntokës dhe pastaj edhe ishte vrarë nga vrasës të panjohur, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë. Rexhep Luci është si doktor Stokmani i Ibsenit, veçse, për të vërtetën e tij për Prishtinë, ky pagoi çmim shumë më të lartë. Pas vrasjes së tij, askush tjetër më nuk ka guxuar të konfrontohet me mafinë e ndërtimit në Prishtinë. Një qytet i tërë, nga ajo kohë, i është dorëzuar në heshtje shkatërrimit e degradimit urbanistik. I njëjti sindrom shkatërrimi është kopjuar edhe në krejt qytetet tjera të Kosovës. Duke u ndërtuar pa plan e pa kontroll, qytetet janë bërë ngufatëse, të pasigurta dhe jo miqësore. Prishtina, e tre apo katërfishuar në përmasa, sot është prej qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Ndërtimet nuk kanë të ndalur akoma edhe sot, madje, janë intensifikuar. Banesat i blejnë kryesisht njerëzit nga diaspora, të cilët natyrisht nuk vijnë të jetojnë në to. Prishtina për këta 25 vjet ka qenë një kantier i madh ndërtimi – ndoshta më i madhi në planet – mbi të është ndërtuar një qytet paralel, fantazmë, që i rri kërcënueshëm jetës dhe të ardhmes…
Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit
Botohet në shqip me leje të autorit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo