Studiuesi slloven, Niko Zhupaniq (1876 – 1961), është themelues i Muzeut Etnografik (1921) dhe nismëtar i revistës “Etnolog” (1926) si dhe drejtues i Departamentit të Etnologjisë në Lubjanë. Përveç antropologjisë dhe etnologjisë, Zhupaniq u përfshi edhe në politikë dhe në vitin 1919, ishte anëtar i delegacionit të Mbretërisë Serbo - Kroate - Sllovene në Konferencën e Paqes në Paris. Në raport me shqiptarët, Zhupaniq ka qenë përkrahës i ideologjisë serbomadhe të qarqeve të Beogradit. Ligjërata “Rëndësia etnologjike e çerkezëve të Kosovës” është mbajtur në Kongresin V të Institutit Ndërkombëtar Antropologjik në Paris, më 23 shtator 1931, ndërsa është botuar dy vjet më vonë, pra më 1933, në revistën “Etnolog“. Titulli dhe nëntitujt janë të përkthyesit, Skënder Latifi
Etnografët dhe historianët e dinë se atdheu i çerkezëve ekziston në pellgun e majtë të Kubanit, në Ciskaukaz. Deri në vitin 1864, çerkezët jetonin në zonën e maleve perëndimore të Kaukazit deri në bregdetin e Detit të Zi. Çerkezët janë shumë të diferencuar në planin e ndarjes në fise dhe atë gjuhësor të dialekteve, prandaj ne do t’i përmendim vetëm fiset e mëposhtme: Natuhazhi, Shapsuzi, Abaxheçi, Bzheduçi, Gatyukaj, Besleneev, Maçoshi, Temirgoj, Zhanev, Egerukoy, Kjaçi, Ubyçi, Çagak dhe Kabardins. Emërtimi kolektiv çerkez (Çircassi) ka shumë të ngjarë të jetë promovuar nga turqit më saktësisht Kicytrai-it e lashtë. Në mesjetë, rusët i quanin Kosogim, që duhet të lidhet me Käsäg ashtu siç sot osetianët në përgjithësi i quajnë kabardinët dhe çerkezët. Ndërsa vetë çerkezët e quajnë veten: Adzyge, Adyge. Këtë emër lingusitika e vë në lidhje me emrin e lashtë Zvyol (Straboni). Ne mendojmë se Jazigët janë ata që pas lindjes së Krishtit u vendosën në shkretëtirën midis Danubit dhe Tisës dhe ata janë identik me Zigët (Zvyoi) vetëm se ky emër mori një parashtesë gjatë rrugës përmes të dy Sarmatijave pra a- ose -ia.
Çerkezët ishin paganë për një kohë të gjatë dhe ishin të lirë deri në shekullin XIII pas Krishtit, kur u nënshtruan nga gjeorgjianët dhe këtë të fundit i konvertuan çerkezët në besimin e krishterë. Në gjysmën e parë të shekullit XV, ata u çliruan nga zgjedha gjeorgjiane, por të përfshirë në luftime të pandërprera me tatarët, ata po humbnin territorin e tyre në Kaukazin e Veriut, kështu që rreth mesit të shekullit XVI, zona e Kubanit në pjesën veriore u shndërrua në kufijtë e atdheut të tyre. Në vitin 1570, khani tatar Abbas Giraj i shtyri ata në anën jugore të Kubanit dhe i konvertoi në islam. Deri atëherë, çerkezët jetonin në veri të lumit Kuma dhe vendbanimet e tyre ishin të shpërndara në terren midis Kubanit dhe grykëderdhjes së lumit Don. Përpara se të binin në varësi të tatarëve gjatë mbretërimit të Car Ivanit “të Tmerrshëm" (1530 – 1584), çerkezët gëzonin protektoratin e rusëve, por pas largimit të tyre ata ranë nën sundimin e tatarëve. Kështu ata e braktisën shumë më shpejt dhe më lehtë besimin e krishterë, sepse e njihnin atë vetëm sipërfaqësisht, siç më vonë do të jenë gjysmë paganë gjegjësisht, gjysmë myslimanë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoÇerkezët si kalorës të shpejtë dhe grabitës agresivë
Çerkezët janë dalluar gjithmonë për trimërinë dhe si kalorës të shpejtë dhe grabitës agresivë, por në anën tjetër, në mjediset e tyre familjare ata i kryenin me përpikëri detyrat e tyre, mikpritjen, si dhe gjakmarrjen. Këngët dhe tregimet orientale e ngrenë lart bukurinë e vajzave çerkeze, të cilat prindërit e tyre para disa dekadave i shitën ato në haremin e Sulltanit në Bririn e Artë, si dhe për haremet e turqve të njohur, por edhe njerëzve të pasur. Martin Gjurgjeviq në kujtimet e tij flet se gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë dhe në Fushë Kosovë (1869-1870) ishte dëshmitar kur u shitën tri vajza çerkeze, vajza me bukuri të jashtëzakonshme për 6.000 grosh (1.200 korona) dhe i njëjti Gjurgjeviq ka vënë re se çerkezët e Kosovës e vlerësonin shumë mishin e kalit dhe e hanin atë, gjë që e kujton origjinën e tyre nga Sarmatia e vjetër aziatike, e cila në perëndim shtrihej deri në lumin Don.
Çerkezët u rezistuan fuqishëm rusëve gjatë pushtimit të Kaukazit dhe u mundën plotësisht vetëm në vitin 1864. Por shumica e tyre nuk mundën të pajtoheshin me fatin dhe gjendjen e re, dhe në vitin 1864 mbi 400.000 çerkezë e lanë atdheun e tyre të vjetër në Kuban dhe malet perëndimore të Kaukazit. Qeveria turke i pranoi ata dhe i dërgoi në Siri, Azi të Vogël dhe Gadishullin Ballkanik. Një pjesë e vogël e çerkezëve ngelën në vatrat e tyre në Kaukaz, ku në vitin 1895 numri i tyre arrinte në vetëm rreth 111.000 banorë (midis tyre rreth 80.000 kubardianë).
Shumica e çerkezëve që erdhën në Gadishullin Ballkanik, qeveria osmane i vendosi përgjatë kufirit të Principatës së atëhershme të Serbisë, me qëllim që ato koloni t’i përdorte për të forcuar pushtetin dhe për të terrorizuar serbët. Pastaj çerkezët u vendosën në Fushë Kosovë, ku autori i këtij artikulli në vitet 1924, 1929 dhe 1930 i gjeti dhe i takoi dhjetëra familje, pasi pjesa dërmuese e tyre tashmë kishin emigruar në Azinë e Vogël dhe Siri. Në fakt ata janë një element njerëzor jashtëzakonisht jo i qetë, i cili nuk mund të adaptohet jashtë Kaukazit dhe nuk pajtohet lehtë me fatin e vet, një element që nuk shoqërohet me fqinjët e huaj, por për shkak të shpërndarjes së tij është i dënuar të shkatërrohet.

Afërsia e çerkezëve me serbët
Për serbët, çerkezët dhe gjuha e tyre janë veçanërisht interesante, sepse ata ishin bartësit e parë të emrit serb të kaukazianëve aborigjenë (banorëve autokton), me shumë mundësi çerkezë, që dikur në migrimin e madh sarmatian së bashku me Antimët, Kisimët (Ziçimët), Çhorvatiët, Valimët, e të tjerë duke i kaluar lumenjtë Don dhe Dnjepër, hynë midis sllavëve dhe krijuan organizatat e para fisnore atje. Gjithsesi që këta kalorës kaukazianë-sarmatë u shkrinë kryesisht në masën sllave, pra njëkohësisht u zhbënë edhe karakteristikat e tyre etnike, veçanërisht gjuha, por emrat fisnorë dhe idetë e organizatave shtetërore primitive megjithatë mbijetuan. Nga atdheu proto-sllav, i cili shtrihej në pellgun e sipërm të Dnjeprit të mesëm, Pripet dhe Bugua, serbët erdhën në pellgun e Labesë së Mesme dhe lumit Shall, dhe prej andej një pjesë e tyre, të organizuar si ushtarë, u zhvendosën në Ilirik. Ka shumë të ngjarë që kjo ka ndodhur në vitin 626 pas Krishtit, kur Kostandinopoja u rrethua nga avarët dhe persët, me ç’rast perandori bizantin Herakliu iu drejtua për ndihmë udhëheqësit sllav Samit, i cili iu përgjigj pozitivisht perandorit bizantin…
Si njëri prej tri grupeve kryesore të aborigjenëve kaukazianë, çerkezët e flasin gjuhën alarode (jafetike), e cila e përfaqëson familjen gjuhësore sui generis, e cila nuk është as indo-evropiane (ariane), as semite, as fino-ugrike, as turke dhe as mongole. E theksoj këtë, sepse edhe sot e kësaj dite disa studiues shkruajnë sikur çerkezët janë me origjinë ariane, domethënë, me origjinë indo-evropiane. Të vetmit të afërm edhe atë familjarë të largët të aborigjenëve kaukazianë sot janë baskët në Gadishullin e Pirineut, të cilët para mbërritjes së indo-evropianëve ishin organikisht të lidhur me kaukazianët. Ishte ky një zinxhir fisesh dhe popujsh siç ishin për shembull. iberët, ligurët, etruskët, retët, pellazgët (banorët para-arianë të Gadishullit Ballkanik) kapadokianët, amazonët, kalibët, kolkët etj. Ky zinxhir popujsh parahistorikë u shpërbë nga indo-evropianë kur ata erdhën në jug dhe sot mbetjet e këtij zinxhiri fshihen si fosile të mbuluara me shtresa etnike të helenëve, iliro-thrakëve, italikëve (romakë), keltëve, gjermanëve dhe sllavëve....

Vendbanimet çerkeze në Kosovën e viteve ‘30 të shekullit XX
Fushën e Kosovës e kam vizituar tri herë në jetën time, përkatësisht në vitet 1924, 1929 dhe 1930, dhe të tri herët pashë çerkezët atje si dhe vendbanimet e tyre në fshatrat: Stanovc i Epërm dhe i Poshtëm, Rekë të Madhe dhe Azizije (Milloshevë). Gjatë këtyre vizitave kamë regjistruar të dhëna antropo-gjeografike, folklorike dhe antropologjike. Studimin e bukur dhe të plotë rreth çerkezëve në vendin tonë e ka paraqitur Tihomir Gjorgjeviq, profesor në Universitetin e Beogradit. Prej studimit të tij deri më tani ne e dimë që çerkezët u vendosën në këto fshatra dhe qytete të Kosovës: Ferizaj (tani Uroshevac) – 25 shtëpi deri në vitin 1912, Sadovinën Çerkeze – rreth 60 shtëpi, Mazgit – rreth 100 shtëpi, Hajvali – rreth 30 shtëpi, Sllakovc – mbi 100 shtëpi, Stanovc (mëhalla e vogël e veçantë çerkeze). Kishte disa shtëpi në Prishtinë, në Mitrovicë dhe në Vushtrri. Nga zotëria Qerim Hyseni, imam i Komunës së Samadrexhës, me origjinë çerkeze, mësova se çerkezët kanë jetuar edhe në fshatrat: Zveçan – shtëpitë çerkeze afër Mitrovicës, Rekë të Madhe, Stanovc të Epërm (dikur 60 shtëpi, tani 40 shtëpi), Bivolak, Azizije – sot 4 shtëpi, Hamedije, Bellaçevc të Madh dhe të Vogël (dikur 40 tani 2 shtëpi), Sllatinë të Madhe dhe të Vogël, Dobrevë të Epërme dhe të Poshtme, Dobranjë, Magurë, Rekë të Vogël.... Siç pohon A. Lejean, pushteti turk në mënyrë brutale ua mori tokën e punueshme të krishterëve dhe në të u vendosën 40.000 çerkezë. Ky numër më duket shumë i lartë, sepse vetë çerkezët më thanë se në Kosovë nuk kishte më shumë se 2.000 bashkëkombës të tyre. Nëse llogarisim se familjet çerkeze u rralluan për shkak të udhëtimit të gjatë nga Kaukazi dhe sëmundjeve infektive, atëherë mund të llogarisim se familjet e tyre nuk kishin më shumë se 6 anëtarë. Prandaj para luftës serbo-turke të viteve 1877-1878 numri i çerkezëve të Kosovës arriti në rreth 12.000 krerë. Çerkezët në Kosovë si qendër gravituese të tyre e kishin fshatin Belaçevc të Vogël, ku i mbanin edhe kuvendet e tyre. Në mënyrë të ngjashme, për kuvendimet e tyre shqiptarët e Kosovës e kishin Kullën e Madhe të Çagllavicës (midis Prishtinës dhe Llapllasellës). Jashtë Kosovës, kishte vendbanime më të vogla çerkeze si në: Livoç të Poshtëm rreth 50 shtëpi, Dobresh – 50 deri në 60 shtëpi, në Qarkun e Gjilanit në Pozharan... Në qytetet Nish, Prokuple dhe Kumanovë kishte fshatra mëhallë të mëdha çerkeze me 100 familje; në Gjevgjeli në kufirin e sotëm jugosllavo-grek kishte 175 shtëpi çerkeze.
Por për çerkezët nuk ishte e shkruar që ata të qëndronin për një kohë të gjatë as në Gadishullin Ballkanik, sepse lufta ruso-turke (1877) dhe lufta serbo-turke 1877-1878) ua shuan shpresat e mbijetesës së gjatë të perandorisë turke në Evropë.
Zhvendosjet e çerkezëve
Gjatë hyrjes së ushtrisë serbe në pellgun e sipërm të Moravës së Binçës, sikurse dhe në Fushën e Kosovës çerkezët gjithashtu e lanë Nishin dhe Prokuplen për t’u zhvendosur në Kosovë, megjithatë një pjesë e mirë e tyre emigruan në Azinë e Vogël (Adana, Angora) dhe Siri. Ky proces u përsërit në vitin 1912 dhe në vitin 1918, saqë në Jugosllavi mbetën vetëm rreth 50 familje çerkeze domethënë rreth 300 shpirtra, të cilët kryesisht jetojnë në Fushën e Kosovës dhe në fshatrat: Stanovc i Epërm dhe i Poshtëm, Rekë e Madhe (4 familje) dhe Azizie (4 familje).
Hoxhë Ahmet Aliu nga Azizija dhe imami Qerim Hyseni nga Stanovci i Poshtëm, më dhanë informacione në lidhje me emrin, origjinën dhe kohën e mbërritjes së çerkezëve në Fushën e Kosovës. Sipas informacionit të tyre, unë gjithashtu i regjistrova edhe disa fjalë çerkeze. Çerkezët e quajnë veten Adizhe (Adizha) dhe u përkisnin tri fiseve: Abzaksëve, Shapsugë (Shapsu) dhe Ubyhëve, siç më tha Ahmet Aliu ndërsa atij i kishte rrëfyer babai i tij Ali Abazi, i cili vinte nga qyteti Dibsh i Kaukazit. Çerkezët në Kosovë ishin kryesisht Abzakë (Apsazh), vetëm një numër i vogël i Shapsugëve u përqendruan rreth xhamisë së Azizijes, ndërsa Ubihët dhe disa Kabardianë u vendosën në Shkup. Është interesante se si kabardinasi Nuria Tishekov një ushtar i ushtrisë së gjeneralit Wrangel erdhi në vizitë te çerkezët e Stanovcit të Poshtëm në Kosovë dhe mbeti aty (1930). Dëshira për të parë të afërmit nga gjuha dhe gjaku e solli këtë refugjat kaukazian nga Sarajeva në Fushën e Kosovës. Autorit të këtij artikulli, ai ia tregoi armën e tij të stolisur me argjend dhe ishte i gatshëm që t’ia shiste atë për 4.000 dinarë.
Çerkezët e Kosovës i përkasin fisit Abzaçë
Çerkezët e Kosovës thonë se i përkasin fisit Abzaç dhe lind pyetja se me cilin fis të Kaukazit janë identikë këta Abzaçë? Etnologjia gjuhësore njeh në rajonin veriperëndimor të Kaukazit, dy fise emrat e të cilëve tingëllojnë ngjashëm dhe ata janë: abaxheçii (abexhax) dhe abçazi (bizantin. “Aßaoxoi”. Këta të fundit nuk u përkasin drejtpërdrejt çerkezëve, por ata përfaqësojnë vetëm një komponent etnik të grupit veriperëndimor (çerkezo-abhazz) të aborigjenëve kaukazianë. Orientalisti rus, Lopatinski, pohon se abhazët janë identikë me ahajët e lashtë dhe e lidh emrin e tyre me fjalët abch. achuh’y – “fshatar, bujk”. Nëse i pyesim çerkezët në Kosovë nga cilat rajone të Kaukazit emigruan, atëherë sipas përgjigjeve të tyre, ne mund të konkludojmë nëse çerkezët në Kosovë janë abzaçë (abzash) abadzeç apo abçaza. Ibrahim haxhi Jusufi nga Reka e Madhe në vitin 1924 më tha, se çerkezët e Kosovës vinin nga rajone të ndryshme dhe se disa prej tyre ishin nga lumi Dibsh, disa nga lumi Kaçu, më pastaj nga lumi Pshakups dhe zonës së lumit kufitar të Çalshykut midis rusëve dhe çerkezëve. Sipas këtij orientimi, në fakt duhet të kërkohet edhe origjina e abzakëve të Kosovës, pra në krahinën e çerkezëve e jo në atë të Abkhazit, sepse lumi Pshekups buron në malet e Kaukazit dhe rrjedh në drejtim verior, ndërsa në perëndim nga Jekaterinodari lumi derdhet në Kuban. Në rrjedhën e sipërme, Pshekupsi e krijon një kufi midis Shapsugiy dhe Abaxheçit dhe në atë të poshtme midis Natuçahit dhe Bzheduhit. Në këtë mënyrë, abzaçët në Kosovë janë identikë me abzaçët të cilët jetojnë në shpatin verior të Kaukazit Perëndimor.
Çerkezët e Kosovës përveç gjuhës së tyre amtare, flasin një serbishte të dobët, pak turqisht dhe shqip. Ndërsa pas vitit 1912 njohja e gjuhës turke gjithnjë e më shumë po zhduket në favor të serbishtes.
Edhe pse çerkezët ishin kalorës dinakë dhe të guximshëm dhe shpeshherë banditë të rrezikshëm, sot ata ende tregojnë dashuri për përparimin e familjes dhe komunitetit të tyre. Ata gjithashtu merren me tregti të vogël të produkteve bujqësore dhe blegtori. Në atdheun e tyre të vjetër në Transkaukazi, çerkezët shpeshherë i shisnin bijat e tyre, sapo ato rriteshin, por megjithatë femra çerkeze gëzon respekt dhe liri më të madhe sesa që gëzojnë femrat te osmanlinjtë apo te shqiptarët. Falë kësaj lirie, një djalë i ri çerkez mund të shohë vajza vendase dhe në prani të vëllait të vogël apo motrës të flasë me vajzën e zgjedhur para dasmës, ndërsa zakoni shqiptar nuk e lejon një takim të tillë midis një vajze dhe një djali, por ata hyjnë në martesë pa një njohje të ndërsjellë. Kjo është arsyeja pse martesat midis çerkezëve prishen rrallëherë, ndërsa te shqiptarët ndodh që ato të prishen shpeshherë për shkak të zhgënjimit...
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë