Rruga e tyre do të përshkojë 2.200 kilometra brenda 18 deri në 19 ditë. Përmes Francës, mbi Alpet zvicerane, poshtë në Itali dhe me traget përtej Adriatikut në Shqipëri, e kah Maqedonia e Veriut, për të mbërritur më në fund në Prishtinë rreth 26 shtatorit. Cani shpreson që gruaja, vajza, djali dhe pjesa tjetër e familjes të bashkohen me të aty, në shtëpinë tonë të fëmijërisë, për të kujtuar jetën e babait dhe për të ngritur vetëdijen për kancerin e pankreasit. Çiklimi i Canit është pjesë e kësaj lufte...
Emri im është Eki Rrahmani. Jam regjisor dhe producent, dhe punoj për Al Jazeera English.
Ky artikull nuk është për mua, por për vëllain tim të vogël.
Në vitin 1999, gjatë ditëve të errëta të luftës në Kosovë, isha student në “Surrey Institute of Art” në Mbretërinë e Bashkuar.
Hareja dhe gëzimi që kisha mundësi të studioja në një nga shkollat më të mira të filmit në Britani, u ndërpre papritur nga lajmet e tmerrshme që vinin nga shtëpia në Kosovë.
Një nga momentet më të rënda erdhi në fillim të prillit, kur e gjithë popullsia e Prishtinës u dëbua nga shtëpia e saj nën tytat e armëve të paramilitarëve serbë
Mijëra shqiptarë i detyruan të marshojnë drejt stadiumit të qytetit, pastaj drejt stacionit të trenit, ku kaluan një natë të tërë mbi shina, para se t’i mbërthenin me forcë brenda në trena. Pamjet ishin tronditëse, të ngjashme me deportimet naziste të hebrenjve drejt kampeve të shfarosjes. Familja ime, bashkë me dhjetëra e mijëra të tjerë, përfundoi në Bllacë, në kufirin famëkeq me Maqedoninë, ku mbi 65.000 shqiptarë të Kosovës mbetën të bllokuar në tokën e askujt – No Man’s Land.
Për 11 ditë e net të gjata, unë humba çdo kontakt me familjen time.
Nuk funksionoja assesi në Angli; gjithçka që doja ishte të ktheja kohën pas, vetëm që të isha me familjen – edhe sikur të vdisja bashkë me ta.

Kur më në fund arritën të kalonin kufirin dhe gjetën strehim e siguri në Gostivar, në Maqedoninë e Veriut, një kushëri më telefonoi për të thënë se një familje shqiptare i kishte marrë në shtëpi. Shumë shpejt masandej fola me ta. Të gjithë ishin tepër të traumatizuar për të folur, përveç vëllait tim të vogël 12-vjeçar, Hasanit, ose Cani, siç e thërrasim ne.
Ai më tregoi në detaje, me hollësi të dhimbshme, se si u dëbuan nga paramilitarët me maska, si ua morën të gjitha kursimet, valutat, stolitë, madje edhe kartat e identitetit dhe pasaportat – një akt barbar që donte të thoshte: “Nuk do të ktheheni kurrë më në shtëpi”.
Fjalët e Canit më thyen, por ishin gjithashtu fillimi i një lidhjeje të veçantë vëllazërore që e ruajmë edhe sot.
Për të lehtësuar krizën e refugjatëve, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera evropiane ranë dakord të sistemojnë mijëra prej tyre.
Kështu familja ime përfundoi në Britani, Qeveria e Lartmadhërisë së Saj – Elizabeth II, i solli me aeroplan.

Shpesh anëtarët e familjes i quaja “refugjatë të klasës së lartë”.
Mikpritja e njerëzve ordinerë-britanikë ishte e paharrueshme – diçka që nuk do ta harrojmë derisa te jemi gjallë. Do të doja të reagonin njësoj edhe sot për të gjithë ata refugjatë që ikin nga luftërat e vatrat e krizës.
Megjithatë, jeta pas traumës së luftës ishte e vështirë. Babai im ka vuajtur shumë, por kurrë nuk u dorëzua.
Sipas fjalëve të Hasanit: “Babai na mbronte, sidomos mua. Isha vetëm 12 vjeç atëherë, më i vogli prej katër djemve. Bënte gjithçka që të ma largonte mendjen nga lufta, bombardimet dhe frika që na rrethonte. U bë një lloj superheroi për mua, duke fshehur realitetin e tmerrshëm dhe duke u përpjekur ta bënte jetën më të lehtë për ne, ndërsa jeta jonë përmbysej”.
Edhe pse përshtatja, në një shtet të ri nuk ishte e lehtë, Cani lulëzoi. Që nga fillimi, ai ishte i uritur për gjithçka: festivale, teatër, muzikë, galeri arti – madje edhe pantomimën e Josef Nadjit. Më kujtonte qengjin e pangopur nga libri i fëmijëve, më i preferuari i djalit tim – “Marvin Wanted More”.
Cani gjithmonë donte më shumë, i uritur për ta përjetuar botën.
Pikërisht ajo energji, në njëfarë mënyre, ndihmoi që prindërit të vendosnin të qëndronin në Britani.
U bë një pikë krenarie kur Cani, që kishte mbërritur në Angli pa ditur asnjë fjalë anglisht, arriti të diplomohej në universitet pa humbur asnjë vit.
Jeta në Britani ishte e mirë për familjen tonë, deri në dhjetor 2019, kur tragjedia goditi. Babai ynë, Emini, ndërroi jetë nga kanceri i pankreasit, vetëm katër javë pas diagnostikimit. Ishim të shkatërruar. Katër vëllezër, duke folur me njëri-tjetrin si havera, burazera që jemi, por të pafuqishëm: “Nëse familja e Steve Jobs nuk mundi ta shpëtonte atë, çka mundemi me ba ne?” Por shpresa, siç themi, vdes e fundit, dhe ne kurrë nuk u dorëzuam.

Edhe pas vdekjes së babait, vëllai im i vogël Cani nuk mund t’i linte sendet me kaq. Diçka duhej bërë.
Më fal vëlla që po e them publikisht – por vëllai im i vogël ishte njeriu, i cili stërvitje të vetme dikur e kishte ecjen nga tavolina te bari e mbrapa. Megjithatë, vitin e kaluar ai filloi të çiklojë – seriozisht, pa u ndalur. Dhe disa muaj më parë, në nder të babait tonë, shpalli publikisht se do të çiklojë nga Hendoni në veriperëndim të Londrës, ku babai jetoi, deri në varrezat e qytetit në Prishtinë, ku ai prehet.
Cani dëshiron që në këtë mënyrë të falënderojë popullin britanik që dikur na strehoi, të tregojë se shqiptarët nuk harrojnë. Dhe dëshiron, me aq sa mundet, të ndihmojë në luftën kundër sëmundjes që na mori babanë.
Me mbështetjen e Pancreatic Cancer UK, më 7 shtator, Cani u nis për në Kosovë, bashkë me fqinjin dhe partnerin e tij të çiklimit, Gary Lloyd, dhe ekipin përkrahës: vëllai i dytë Mentori me mikun tim të universitetit, Jake Corbett, drejtojnë timonin e kamperit, ndërsa Fatoni vëllai i tretë është kuzhinieri i tyre.
Ishte me të vërtet madhështi t’i shohësh bashkëvendësit e Canit në Haslemere që kishin dalë në numër nëpër rrugët e qytezës për t’iu dhënë përkrahje.
Rruga e tyre do të përshkojë 2.200 kilometra brenda 18 deri në 19 ditë. Përmes Francës, mbi Alpet zvicerane, poshtë në Itali dhe me traget përtej Adriatikut në Shqipëri, e kah Maqedonia e Veriut, për të mbërritur më në fund në Prishtinë rreth 26 shtatorit. Cani shpreson që gruaja, vajza, djali dhe pjesa tjetër e familjes të bashkohen me të aty, në shtëpinë tonë të fëmijërisë, për të kujtuar jetën e babait dhe për të ngritur vetëdijen për kancerin e pankreasit.

Kanceri i pankreasit është një nga sëmundjet më vdekjeprurëse, me shkallë mbijetese pothuajse të pandryshuar prej 50 vjetësh. Simptomat e paqarta dhe mungesa e programeve të zbulimit e bëjnë pothuajse të pamundur diagnostikimin në kohë. Pancreatic Cancer UK po investon në kërkime dhe po ofron mbështetje jetike për familjet.
Çiklimi i Canit është pjesë e kësaj lufte. Kerry Thomas, drejtoreshë e Mbledhjes së Fondeve Publike në Pancreatic Cancer UK, tha:
“Jemi jashtëzakonisht mirënjohëse që Hasani [Cani] po na mbështet duke marrë përsipër këtë udhëtim kaq personal, drejt shtëpisë që u detyrua ta linte aq vite më parë. I urojmë fatin më të mirë. Fatkeqësisht, si Emini, 80% e personave me kancer të pankreasit diagnostikohen vetëm pasi sëmundja është përhapur dhe trajtimi shpëtimtar nuk është më i mundur. Prej 50 vjetësh, ky kancer ka mbetur në harresë, i nënfinancuar dhe i lënë pas dore. Familjet shpesh mbeten vetëm me shpresë, por ata meritojnë më shumë se kaq. Fondet e mbledhura nga Hasani [Cani] do të na ndihmojnë të ofrojmë mbështetje për të prekurit nga kjo sëmundje, të investojmë në kërkime jetike për përparime që i nevojiten urgjentisht shkencës dhe të jemi zëri i të gjithë atyre që preken nga kanceri më vdekjeprurës ndër të zakonshmit”.
Për mua, si vëllai i madh që e shikon nga larg, kjo kauzë ka diçka thellësisht personale. Babai ynë gjithmonë ishte në adhurim të njerëzve bamirës dhe sidomos të bujarisë së britanikëve.
Ai shpesh thoshte: “Zoti gjithmonë do t’i mbrojë njerëzit bamirës”. Këto fjalë sot janë të gdhendura në gurin e tij të varrit në Prishtinë. Hasani, vëllai im i vogël Cani, na ka bërë të gjithëve krenarë.
Tani është koha që ne ta mbështesim, ta ndihmojmë të arrijë qëllimin për të mbledhur £10.000 për Pancreatic Cancer UK.
Nëse dëshironi ta mbështesni Hasanin, mund ta bëni në faqen e tij për mbledhjen e fondeve për Pancreatic Cancer UK - Kliko këtu
Faleminderit, Cani, që na kujton se sa e mirë është të jesh shpirtmadh, bamirës dhe mbi të gjitha – të jesh human.
Vëllai yt i madh po të shikon – me krenari dhe admirim.
Eki Rrahmani
Doha, shtator 2025
