Shtojca për Kulturë

“Sentimental Value”, fitues i “Oscarit” evropian që thërret për liri

“Kinemaja është vendi ku mësojmë se jemi njerëz”, ka thënë Joachim Trier, fitues absolut në edicionin e 38-të të “European Film Awards” me “Sentimental Value”

“Kinemaja është vendi ku mësojmë se jemi njerëz”, ka thënë Joachim Trier, fitues absolut në edicionin e 38-të të “European Film Awards” me “Sentimental Value”

I vlerësuar për autenticitetin e tij emocional, filmit “Sentimental Value” nuk i ka mjaftuar vetëm një trofe në “European Film Awards” të shtunën mbrëma por pesë sosh. I cilësuar si një “eksplorim intim i familjes, kujtimeve dhe fuqisë pajtuese të artit”, mesazhet për fuqinë e filmit janë përcjellë edhe në ceremoni

Filmi “Sentimental Value” që eksploron dinamikën familjare dhe traumën midis brezash nën regji nga danezo-norvegjezi Joachim Trier është Filmi më i Mirë i edicionit të 38-të të Çmimeve Evropiane të Filmit. Është fitues i pesëfishtë i ngjarjes që konsiderohet si “Oscar” evropian. Filmi është vlerësuar për autenticitetin e tij emocional, në ceremoninë e mbajtur të shtunën mbrëma në Berlin.

“Sentimental Value” sjell rrëfimin e Norës, një aktore e suksesshme teatri e cila ribashkohet me të atin e saj, një regjisor filmi me emrin Gustav Borg, i cili planifikon rikthimin me një skenar të bazuar në familjen e tyre. Në shpjegimin për përmbajtjen e filmit, bëhet me dije se kur Gustav i ofron Norës rolin kryesor, të cilin ajo e refuzon menjëherë, ai e kthen vëmendjen e tij te një yll i Hollywoodit.

Regjisori Trier i është drejtuar publikut shkurt pasi filmi është shpallur fitues.

“Ka qenë mbrëmje befasuese për ne. Duam të ju themi që ky grup pas meje më ka bërë të ndihem shumë mirë. Jemi të bekuar”, ka thënë ai.

E pasi ka pranuar Çmimin për Regjisorin më të mirë ka bërë thirrje për shprehje të lirë kinematografike.

“Kur kinematografia është në rrezik, shumë kineastë duhet ta mbrojnë për shprehje të lirë në një vend kur polarizimi po përhapet në shkallë të gjerë. Është koha të kuptojmë se tjetri nuk është armiku ynë, kinemaja është vendi ku mësojmë se jemi njerëz”, ka thënë ai duke bërë me dije se profesionin e ka trashëguar nga gjyshi i tij. “Gjyshi im ishte filmbërës dhe ishte në burg gjatë luftës në Norvegji për shkak të rezistencës. Nuk kishte shumë infrastrukturë kështu që e bëri vetëm një film të gjatë artistik”, ka thënë ai.

Në mbrëmjen ku u është bërë homazh filmave të të gjitha kohërave e trashëgimisë kinematografike ndër vite, e edhe kineastëve, për Trier çmimin e ka ndarë aktori italian Toni Servillo.

Filmi ka marrë gjithashtu Çmimin për Skenarin më të Mirë për Eskil Vogt dhe Joachim Trier, për Aktorin më të mirë, me të cilin është vlerësuar Stellan Skarsgård si dhe për Aktoren më të mirë të cilin e ka marrë Renate Reinsve. Filmi është shpërblyer edhe për Muzikën më të mirë.

Pretendentë për këtë çmim kanë qenë edhe filmat “Sirāt” të Oliver Laxe, filmi debutues i regjisores Mascha Schilinski – “Sound of Falling” si dhe filmi “It Was Just An Accident” i Jafar Panahit.

Ky i fundit, vjet, në edicionin e 78-të të Festivalit të Filmit në Cannes mori “Palmën e Artë”.

“Sirāt” ka dominuar në çmimet për pjesën e punës së filmit duke marrë Çmimin për Dizajnin më të Mirë të Produksionit, Dizajnin më të Mirë të Zërit, Montazhin më të Mirë, Regjisorin më të Mirë të Kastit, çmim që është ndarë për herë të parë sivjet në kuadër të Çmimeve Evropiane të Filmit si dhe Çmimin për Kinematografin më të mirë.

Filmi “Arco” i Ugo Bienvenu mori çmimin “Filmi më i Mirë i Animuar Evropian”.

Çmimi për arritje jetësore i është ndarë aktores norvegjeze Liv Ullmann ndërsa ai për Arritje në botën e kinemasë për regjisoren e skenaristen Alice Rohrwacher nga Italia. Pasi ka marrë çmimin u është drejtuar kineastëve të rinj.

“Më pëlqen të jetoj në një vend dhe të shkoj në rrugë të tjera. Është natyrale dhe logjike të hyj në këtë rrugë nga veriu dhe të shkoj drejt jugut. Shpesh ndihemi vetëm dhe në rrugë të gabuara në këtë rrugëtim. Por shpesh ngushëllohemi kur shohim se shumë të tjerë janë në të njëjtin drejtim me ne”, është shprehur ajo.

Çmimi ndërkombëtar i bashkëprodhimit “Eurimages” është ndarë për Maren Ade, Jonas Dornbach dhe Janine Jackowski nga “Komplizen Film” në Berlin.

“Nuk e shohim bashkëprodhimin vetëm si mjet financiar, por si mjet filozofik”, ka thënë midis tjerash Dornbach.

Regjisori iranian Jafar Panahi e bëri hapjen e ceremonisë. Ai foli për situatën në vendin e tij duke dënuar dhunën e regjimit në Teheran dhe sulmin ndaj protestuesve antiqeveritarë. I bëri thirrje botës të flasë hapur dhe të marrë veprime.

“Dhuna e lënë pa përgjigje normalizohet dhe kur normalizohet, përhapet dhe bëhet ngjitëse. Kur e vërteta shtypet në një vend, liria mbytet kudo. Atëherë askush nuk është i sigurt. Kudo në botë, jo në Iran, jo në Evropë, jo në Amerikë… kjo është pikërisht arsyeja pse sot si regjisorë dhe artistë, më shumë se kurrë, nëse jemi të zhgënjyer me politikanët, të paktën duhet të refuzojmë të heshtim sepse heshtja në një kohë krimi nuk është heshtje neutraliteti, heshtja është pjesëmarrje në errësirë”, ka deklaruar ai.

Fjalimi i tij vjen dhjetë ditë pas shtypjes brutale të protestave mbarëkombëtare. Besohet se të paktën tre mijë protestues janë vrarë dhe se 18 mijë të tjerë janë arrestuar. E në fjalimin e tij, Panahi flet për 12 mijë vrasje të raportuara.

Politika qe e pranishme edhe kur Liv Ullman, e nominuar dy herë për çmim “Oscar” mori çmimin për arritje jetësore. Ka thënë se Norvegjia ka rregull që nëse keqpërdoret Çmimi Nobel ai i hiqet atij individi.

“Dikush në pushtet në Shtetet e Bashkuara mund të zhgënjehet. Ai do ta humbasë atë”, ka thënë ajo duke iu referuar vendimit të udhëheqëses së opozitës venezueliane, María Corina Machado, e cila u kritikua pas vendimit për t’ia dhënë presidentit Donald Trump medaljen e saj të “Nobelit” për paqe që e mori vitin që shkoi.

Ceremonia e 38-të e çmimeve u hap me spektaklin e filmave klasikë që ngjalli nostalgji te kineastët. Një skenë e vendosur në kohë dimri e filmit “Les parapluies de Cherbourg” nga Jacques Demy i përfshiu edhe ata në magjinë e filmit me spektaklin e borës. Është bërë homazh për gjenocidin në Ukrainë, Siri e Palestinë.

Në vitin 2021, historik për kinematografinë e Kosovës qe nominimi i filmit “Pa vend”, nën regji të Samir Karahodës për Çmimin për Filmin më të mirë të shkurtër.

Për transmetim direkt të ngjarjes i është dhënë e drejta edhe festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Sipas festivalit, kjo ka ardhur si rrjedhojë e bashkëpunimit të gjatë midis tyre dhe Akademisë. Në sallën ku është mbajtur ceremonia është parë të jetë edhe Eroll Bilibani nga “DokuFesti”, anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit që prej vitit 2023.

I 39-ti edicion i Çmimeve Evropiane të Filmit do të mbahet në Athinë.