Kjo është balada për muzgun e një njeriu të madh të veçantë dhe të vetmuar. Një fund që qëndron në kundërthënie me një jetë, pa dyshim stoike në skenën e artit teatror dhe filmi Duket paradoksale, por është e vërtetë: historia e këtij kombi që nga antikiteti thotë se më të mirët ose na kanë braktisur ose ne vetë i kemi përzënë!... Bekim Fehmiu mund të jetë i fundit. Samuraji i fundit!...
Selman Jusufi
“Më duket vetja si dikushi që ka kaluar nëpër ferr. Si te Dante…Para do ditësh isha te të mijtë, në Kosovë. Gjendja është absurde. Mund të shpërthejë nga çasti në çast. Në çdo çast je buzë masakrës…”.
(Gazeta “L’Unita”, 1995)
Prolog
Dikur dilte në skenën e shtruar me tepih të kuq e klithte: “A luhet guri pa Zot, o Zot o dru…”. Pastaj merrte rrugë nga aeroporti, biletë blinte për në Babilon…Tash nuk është më!...
Ishte i ri dhe ishte më i madhi në botë. Thonë se urna e trupit të tij nga Lumëbardhi i Prizrenit ka mbërritur në detin Jon. Thonë se ai nuk deshi t’ia shtojë dheut të Kosovës edhe një varr për trupin e tij… Dhe thonë se Homeri e shkroi Odisenë për te…
Po cila ishte Itaka e tij?...
Në fillim të viteve shtatëdhjetë lajmërohej nga Aeroporti i Romës dhe kërkonte ndjesë për vonesën e tij në ligjëratë. Para nesh, studentëve të aktrimit shfaqej figura e Odiseut, i cili kthehej nga një ishull xhirimi nga Itaka e lashtë, diku në Itali. Ai gëzonte përmasat e një miti dhe ishte i mbuluar me vellon e një aktori-legjendë.
Ylli i tij shkëlqente atëbotë…
Heroi homerik
Bekim Fehmiu është i vetmi aktor nga blloku socialist i Lindjes, i cili xhiroi në Evropë dhe Amerikë për njëzet vjet me radhë, para rënies së Murit të Berlinit. Që të luajë rolin kryesor në filmin “Aventurieri” të Lewis Gilbert, i është dashur ta mësonte gjuhën angleze për vetëm dhjetë javë. Pas premierës të të njëjtit film, për t’iu prezantuar të ftuarve të zgjedhur si yll i ri filmi, me aktorët më të njohur botërorë, për nder të tij organizohet mbrëmje e madhe promovuese në hotelin “Pierre” të New Yorkut, ku ai paraqitet para mysafirëve të shumtë me kostume kombëtare shqiptare.
Ka qenë i angazhuar në mbi pesëdhjetë filma ku ka aktruar role kryesore. Kritika italiane për rolin e Odiseut në serinë me të njëjtin emër të regjisorit Dino de Laurentis e quan hero homerik. Gjatë mbylljes së minatorëve të “Trepçës” në zgafelle, në mbrojtje të autonomisë së atëhershme të Kosovës është solidarizuar me ta dhe nga Beogradi u dërgoi telegram përkrahjeje. Në shenjë proteste për shkak të propagandës antishqiptare dhe përhapjes së urrejtjes ndaj popullit shqiptar nga regjimi serb, më 1987, Bekim Fehmiu demonstrativisht braktis shfaqjen “Madam Kolontajn” në Beograd dhe e lë publikisht veprimtarinë artistike. Pastaj zgjodhi heshtjen. Si te Hamleti…
Ai do të bëhet i famshëm me filmin jugosllav “Mbledhësit e puplave” në vitin 1966, film ky që u shpërblye në Festivalin e Filmit në Kanë dhe u nominua për “Oscar”, ku Bekim Fehmiut i hapen dyert e artit në botë. Rolet e tij në filmat: “Odiseu”, “Prova speciale”, “Aventuristi”, “Rruga”, “Dezertori”, “Fëmija me emrin Josif” e të tjerë, përmenden si kryevepra kinematografike. Ka bashkëpunuar me më të mëdhenjtë e filmit botëror, si me: John Huston, Olivia de Havillandin, Ava Gardnerin, Robert Showv, Dirk Bogartin, Charles Aznavour, Irene Papasin, Claudia Cardinale, e shumë aktorë dhe regjisorë të tjerë.
Në vitin 2001 theu heshtjen me librin autobiografik të titulluar: “Blistavo i strašno” (“E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”), ku ai flet mbi jetën e tij që nga fëmijëria në Prizren e deri në vitin 1955, kur fillon angazhimin e tij në Teatrin e Kosovës në Prishtinë. E la në dorëshkrim pjesën e dytë të të njëjtit libër ku ai flet mbi jetën e tij (botuar në shqip më 2016 v.j.)
Po sjellim fragmente nga një intervistë dhënë gazetës italiane “L’Unita” para shumë vitesh, gjatë luftës në Bosnjë, e që mund të konsiderohet si një nga intervistat më të mira të tij.
Lufta e Trojës, Sarajeva dhe Kosova
“Qytetërimi i madh helen prodhoi një formë të paleimperializmit – dërgoi anijet greke ta rrethojnë e ta rrënojnë një qytet, i cili meqenëse ishte i ndërtuar në një pikë strategjike e pengonte trafikun e tyre. Po ai qytetërim prodhoi edhe këngë që e celebronin atë luftë. Ndoshta i shkruante një njeri i vetëm, të cilin legjenda na e tregon si të verbër me emrin Homer. Pastaj, mijëra vjet më vonë erdhi në shtëpitë tona një film që nëpërmjet ekranit na e prezantoi fytyrën dhe shpatullat e Uliksit, aktorit që do të kishte mundur të jetë edhe ai vetë në plazhet e Trojës...
Ky njeri është Bekim Fehmiu dhe ky është rrëfimi i tij:
‘…Familja ime është nga Kosova. Im atë ishte fëmija i vetëm dhe ishte shkolluar në Shkup. Ishte mësues. Tërë rininë e tij kishte luftuar kundër turqve, qoftë me pushkë, qoftë me libra. Qëllimi i tij ishte që ta bënte popullin e tij koshient për identitetin e vet kulturor. Ka punuar vazhdimisht për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Më 1972 isha në Shqipëri, dhe në një arkiv të Shkodrës zbulova se im atë kishte qenë i dënuar me vdekje dy herë nga serbët: me 1914 dhe me 1917… Me 1929 u martua me nënën time Dijen, dhe dy javë më vonë mërguam. E tërë familja ime u transportua me tren në Sarajevë. Atje u linda, në qytetin që sot është simbol i hipokrizisë së botës. Prindërit e mi qenë më me fat se të tjerët, sepse mbijetuan. Kur isha trevjeçar u kthyem në Shqipëri e më 1941 u transferuam prapë në Kosovë, në Prizren, që sipas Lë Korbyziesë është qyteti më i bukur në botë. Nga viti 1981 e këndej jeta ime ka qenë një ferr. Sepse urrejtja filloi që atëherë në Kosovë, ndaj shqiptarëve. Mirëpo atëherë askush nga jashtë nuk e kuptonte se çfarë po ndodh. Askujt nuk i hante palla për Kosovën. Tragjedia rritej ngadalë dhe në mënyrë të pamëshirshme. Unë nuk mund të punoja. Nuk mund as të mendoja për aktrimin. Hyra në një periudhë depresioni të thellë. Kam menduar shpeshherë të bëj vetëvrasje. Të digjem në shesh, ndoshta!... Depresioni im mori fund tash vonë. Këtu në Beograd jeta e një shqiptari nuk është e lehtë, por nuk mund të mohoj se duke qenë aktori më i njohur i këtij vendi, kam kaluar më mirë se të tjerët… Shpesh me lehtësim mendoj se Nëna Terezë e Kalkutës është shqiptare dhe se kjo nuk është rastësi. Frojdi na mëson se te njeriu, instinkti për të vrarë është gjithmonë i pranishëm, por Jungu e Adleri e thonë të kundërtën. Dhe mendoj gjithashtu se bota është hipokrite, pasi po lejon të shpërthejë një luftë në Evropë. Mu si në vitin 1912…Sa më përket mua, unë nuk aktroj më dhe nuk i vajtoj vitet kur isha një yll. Kam kujtime të bukura, e kam parë botën, kam njohur kultura, kam mësuar gjuhë, kam miq në pesë kontinente, dhe e di mirë se bota është e vogël…’”
“’Pra, Sarajeva është e rrethuar si Troja, e Uliksi nuk është kthyer ende në Itakë. Ndonjëherë edhe kriza personale e një aktori mund të shpalosë dramën e një kontinenti. Kur e lëshova receptorin e telefonit m’u kujtua se as nuk e pyeta nëse e mbante ende mjekrën si në kohën e Odiseut. Mëkat!...“, e përfundon intervistën e saj gazetarja italiane në vitin 1995.
Bekimi bëri një karrierë të bujshme ndërkombëtare dhe një jetë si në përrallë. Aktrimi për të ishte një profesion i shenjtë dhe një mision i bekuar. Emri i tij për së gjalli ishte i radhitur në të gjitha enciklopeditë e rëndësishme të aktorëve botërorë.
Bekim Fehmiu, një aristokrat dhe asket në një botë depresive, më 15 qershor të vitit 2010 e privoi veten nga jeta me një plumb mbi kokë në shtratin e tij të gjumit në një banesë në Beograd. Hedoni, djali i tij, tha në Prishtinë se Bekim Fehmiu, babai i tij, kishte bërë jetën e një Samuraji dhe se ishte krenar për te. Filip Davidi një shkrimtar i njohur serb deklaroi në Beograd: Bekimi nuk ka bërë kurrë pakt me djallin. Ka qenë njeri parimor, i guximshëm, i papërkulur dhe i pakorruptuar. Ka jetuar drejt dhe me dinjitet.
Epilog
Kjo është balada për muzgun e një njeriu të madh të veçantë dhe të vetmuar.
Një fund që qëndron në kundërthënie me një jetë, pa dyshim stoike në skenën e artit teatror dhe filmik. Në vitin 1974 ai e braktisi rolin e Hamletit në Teatrin e Kosovës, pothuajse në provat e përgjithshme. Në fillim të viteve tetëdhjetë ansamblit të Teatrit shqiptar të Shkupit i premtoi se do të luajë rolin e Aleksandër Moisiut, por as kjo nuk ndodhi. Regjisori nga Tirana, Kujtim Çashku, i ofroi rolin kryesor në filmin “Gjeneral Bunkeri”, por pas shumë pune në skenar as atë nuk e realizoi. Ku ishte faji: te teatri dhe filmi shqiptar apo te Bekim Fehmiu, kjo mbetet enigmë… Dhe paradoksalisht, fati i aktorit Bekim Fehmiu i ngjan paraardhësit të tij, aktorit të madh gjerman me prejardhje shqiptare, Aleksandër Moisiu.
Fund me testament të njëjtë: Trupi i Bekimit u dogj nën tingujt e Beethovenit. I njëjti ritual mortor ndodhi me Aleksandër Moisiun më 1935. Ishin këta aktorët më të mëdhenj shqiptarë dhe evropianë të shekullit njëzet. Për kulturën dhe artin shqiptar pasuri kjo e humbur përgjithmonë…
Duket paradoksale, por është e vërtetë: historia e këtij kombi që nga antikiteti thotë se më të mirët ose na kanë braktisur ose ne vetë i kemi përzënë!...
Bekim Fehmiu mund të jetë i fundit.
Samuraji i fundit!...
Ky tekst është botuar për herë të parë në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” më 16 qershor të vitit 2012, në dyvjetorin e vdekjes së aktorit Bekim Fehmiu. Ribotohet me rastin e 15-vjetorit të vdekjes.