Shtojca për Kulturë

“Rikrijimi i shpisë” në videolojë ruan trashëgiminë

Videoloja “Rikrijimi i shpisë”, si një lloj paraleleje e një loje të ngjashme të fillimviteve 2000, kthen dyfish në kohë, për formën e dikurshme të argëtimit dhe për ambientet e shtëpisë tradicionale

Videoloja “Rikrijimi i shpisë”, si një lloj paraleleje e një loje të ngjashme të fillimviteve 2000, kthen dyfish në kohë, për formën e dikurshme të argëtimit dhe për ambientet e shtëpisë tradicionale

Luhet duke e zgjedhur vetë enterierin e dhomës së ndejës. Për ndryshimin e mobilieve aty janë opsionet. Është shtëpia tradicionale shqiptare. “Rikrijimi i shpisë” kthen nostalgjinë, arkivon kujtesën. Është e hapur që edhe imazhi që mund të dërgojë lojtari, në të ardhmen të bëhet pjesë e videolojës

Fëmijëria është kohë magjike, por ngjan se ka ndryshuar në mënyrë dramatike ndër vite. Videolojërat ishin diçka krejt e re dhe për to ishte një lloj orari i caktuar. Një botë krejt e re, unike, që prekte edhe kreativitetin e fëmijëve. E një e tillë është lansuar në Prishtinë duke iu përshtatur kontekstit të shtëpisë tradicionale shqiptare. “Rikrijimi i shpisë” kthen prapa në kohë me synimin e zgjimit të nostalgjisë, por edhe si një lloj arkivi i asaj shtëpie, imazhet e së cilës janë të pakta.

Fëmijëria në të kaluarën shpesh shihej si e shkujdesur, pa presione e pritshmëri nga të tjerët. Fëmijët rriteshin dhe mësonin me ritmin e tyre. Në rrethana të tjera, loja “Rikrijimi i shpisë” ka ardhur si projekt shumë i dashur. Si një lloj paraleleje e një loje të ngjashme të fillimviteve 2000, kthen dyfish në kohë, për formën e dikurshme të argëtimit dhe për ambientet e shtëpisë tradicionale.

Ajo luhet duke e zgjedhur vetë enterierin e dhomës së ndejës. Për ndryshimin e mobilieve aty janë opsionet për divanët, tavolinën, tepihun, ormanin, pikturën, komodinën, lulet, dritaret, llambën, orenditë, murin dhe dyshemenë.

Assesi nuk mungojnë sofra e djepi, shqiponja dykrenare, figura e Skënderbeut,  në përzgjedhjen e dekoreve që mund të bëjë ai që luan.

Ilustrimet i kanë punuar animatoret Flaka Kokolli, Elsa Talla, Diellza Franca dhe Leonita Thaçi, ndërsa është programuar nga Agon Ahmetaj.

Kokolli ka thënë se kjo ide ka ardhur nga ajo se si shqiptarët nuk janë mësuar ta romantizojnë shtëpinë shqiptare.

“Para disa viteve e kemi pasur një film që kemi qenë duke punuar në studio. Ka qenë në bashkëpunim me ZFD-në dhe një prej gjërave që e kemi diskutuar ka qenë fakti që kur kemi punuar në sfonde, nuk ishim mësuar ta romantizojmë një prapavijë shqiptare dhe një pikturë të bukur aty. Nga konteksti, gjithmonë e kemi pasur se disi, të mos jem shumë e vrazhdë, por pak e shëmtuar ideja se si është dukur shtëpia”, ka thënë ajo.

Ka treguar se kur kanë nisur të punojnë me to kanë kuptuar se kanë potencial për të qenë prapavijë e veprave të tyre.

“Ka pasur kulturë ndryshe, dizajni e estetika ndryshe. Sa kemi qenë duke punuar në këtë film e patëm vërejtur që ajo qëndron deri diku por se më shumë se ajo është fakti që nuk jemi mësuar ta romantizojmë sepse nuk e ke parë në një formë tjetër. Nuk e ke parë nëpër piktura, nëpër gjëra të bukura, e as në lojërat e fëmijërisë. E kemi diskutuar dhe pastaj ia nisën të na pëlqejnë sfondet që i bënim dhe thamë se ka potencial të duket bukur kjo prapavijë veçse nuk jemi mësuar ta shohim nëpër këso vepra”, ka thënë Kokolli.

Ka treguar se si model i kanë shfletuar albumet e familjeve të tyre, por se materiale kanë gjetur edhe në platforma online.

“Programimi më duket se ka marrë kohë më së shumti, ne e kemi kryer pjesën e ilustrimit për një kohë shumë të shkurtër. Ka qenë shumë argëtuese sepse kemi marrë fotografi prej albumeve të familjeve tona dhe pjesën tjetër e kemi marrë në ‘Merr Jep’ si i vetmi arkiv që ekziston për këto gjëra”, ka thënë Flaka Kokolli, e cila ka bërë thirrje nga publiku të dërgojnë imazhe të orendive të dikurshme për ta përditësuar lojën e tyre.

“Ideja është që edhe këtu, edhe në shtëpi nëse e luani, mund ta shkarkoni fotografinë. Pas asaj, nëse keni fotografi të orendive të cilat do të donit t’i shihni në këtë lojë, mund të na i dërgoni dhe ne do të tentojmë që çdo tre muaj ta përditësojmë dhe të fusim më shumë materiale si një lloj arkivi online. Besoj se do të jetë argëtuese duke parë mobiliet me të cilat je rritur dhe të mund të luash me to”, ka thënë Kokolli më tej.

Muzikën e ka punuar Viola Rrecaj. Është melodia me klarinetë e harpë që përsëritet vazhdimisht dhe krijon ritme nostalgjike.

“Doja të bëja diçka si ‘loop’ dhe m’u pat kujtuar klarineta, pastaj harpa është si sjellje. Kam dashur ta bëj sa më thjesht ashtu”, ka thënë ajo shkurt derisa e ka luajtur lojën. Në laptopin e lidhur me monitor për t’u njoftuar me të gjithë publiku, e para publikisht e ka testuar Vita Kasapolli.

Drejtoresha e kinemasë “Armata”, Rozafa Maliqi, është shprehur e lumtur me ngjarjen të cilën e ka konsideruar interaktive.

“Jam shumë e lumtur që e kemi këtë ngjarje, për shkak që gjithë vitin doja të kishim diçka më interaktive. Para disa muajve kam biseduar me Flakën, më ka treguar për këtë projekt dhe thjesht jam shumë e lumtur që ajo, këtë gjë interaktive e bën në Kosovë edhe atë me shumë pasion”, ka thënë ajo derisa ka bërë të ditur se ka një objekt që e mban mend nga fëmijëria e të cilin do të donte ta shihte në lojë.

“Kur kam qenë e vogël, te halla e kanë pasur një shqiponjë të balsamuar. Pas një kohe e kanë hequr dhe e kanë futur në dollap dhe prapë e shihnim kur e hapnim atë dollap. Do ta kërkoj një fotografi të saj sepse dua ta shoh në këtë lojë”, është shprehur ajo.

“Rikrijimi i shpisë” është një projekt i punuar nga studio “Flammorum”. Estetika e lojës është e frymëzuar nga shtëpitë shqiptare gjatë viteve ’90 dhe 2000 dhe ka për qëllim të zgjojë nostalgjinë e publikut.