Arti është ai që ngre një qytet utopik të cilit ia hap dyert Bashkimi Evropian. Nën mentorimin e artistit Jakup Ferri të rinjtë janë bashkuar jo vetëm për të imagjinuar atë, por edhe për ta projektuar si realitet. “Kosova është një vend që pretendon që në të ardhmen të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, kështu që është një dëshirë jona dhe artisti më së miri imagjinon diçka që mund të ndodhë në të ardhmen pas disa dekadash”, ka thënë Ferri në punëtorinë i paraprin ekspozitës në Ditën e Evropës, më 9 maj
Derisa diskursi për Evropën mbetet në nivel politikash, “Europe House” në Prishtinë e zhvendos debatin tek imagjinata e të rinjve në vend. Punëtoria e udhëhequr nga artisti i mirënjohur, Jakup Ferri, ka qenë reflektim i thellë mbi atë çfarë përfaqëson Bashkimi Evropian për brezin që e synon ta jetojë atë si realitet. Është një nga aktivitetet e shumta të planifikuara për shënimin e Ditës së Evropës më 9 maj.
Për katër orë intensive punë, të shtunën në mesditë punëtoria ka mbledhur të rinj nga vendi, për të ndërtuar, nëpërmjet artit, një qytet utopik. Në veprat e rreth 15 pjesëmarrësve, nuk ka kufij, kushte, e kompromise, siç ngjan në realitet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBlloqet e bardha në të cilat projektojnë imazhe e hedhin ngjyra janë hapësirë simbolike ku kufijtë janë ura ku identitetet kombëtare bashkëjetojnë. Punimet e tyre janë gjuhë e përbashkët vizuale që do të bëhet një për t’i dhënë formë imazhit të qytetit imagjinar të të rinjve, përkatësisht të rejave të vendit, pasi të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë vajza.
Artisti Jakup Ferri njihet për stilin unik të punës së tij, veçmas për figurat e format e veçanta në punët e tij shumëngjyrëshe, për përditshmërinë si tematikë e për veprat që midis tjerash prekin edhe ëndrrat. Ato janë transmetuar edhe në punëtorinë si produkt paraprijës i ekspozitës me titull “Me art kremtojmë Evropën” me “qytetin” evropian që krijohet si kolazh i objekteve të pjesëmarrësve dhe me veprat e artistit Jakup Ferrit. Ekspozita do të hapet më 9 maj në mesditë. Ngjarja është paralajmëruar të hapet me fjalën e mirëseardhjes nga shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova.
Artisti Jakup Ferri ka thënë se në ekspozitë do të jenë tri vepra të tij.
“Do të kemi një kënd ku do të ekspozojmë. Unë kam sjellë tri piktura që ta dekorojmë pak ambientin, por në qytet të gjitha ngjarjet janë me vizatime të mia të dizajnuara prej dizajnerëve të kooperativës”, ka thënë ai.
Ai ka shpjeguar se ideja e punëtorisë, sa i përket përmbajtjes, është që të ndërtohet një qytet me ndërtesa sureale.
“Jam i ftuar prej ‘Europe House’ për ta mbajtur një punëtori, pasi që e kanë përdorur edhe brendin e imazhit me vizatimet e mia. Ideja ime ka qenë të provojmë ta ndërtojmë një qytet sa më utopik, me ndërtesa jo ekzistuese por shumë sureale”, është shprehur ai.
Sipas Ferrit, artisti imagjinon më së miri të ardhmen dhe kësisoj edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Kosova është një vend që pretendon që në të ardhmen të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, kështu që është një dëshirë e jona dhe artisti më së miri imagjinon diçka që mund të ndodh në të ardhmen pas disa dekadash. Krejt çfarë do të dizajnojnë pjesëmarrësit, këto figura, ndërtesa, i presim dhe e ndërtojmë një qytet në tërësi. Si ajo puna e Amsterdamit, kështu që ende jemi në proces”, ka thënë artisti Jakup Ferri.
Midis procesit të punës, është shprehur se punëtoria po shkon mirë dhe se vajzat janë shumë të përkushtuara.
Altina Gashi, nxënëse në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë ka thënë se përkundër drejtimit që ka zgjedhur për shkollim, vizatimi e piktura kanë qenë përherë dëshirë e saj. Se punëtoria ka qenë mundësi e mirë për ta vazhduar hobin e saj.
“Jam shumë e emocionuar që jam pjesë e kësaj punëtorie. Sa i përket punimit tim, e kam punuar një lloj ndërtese që është në formë të trungut dhe të pemës ku në degët e saj janë flamujt që janë pjesë e Evropës dhe pastaj në përgjithësi është flamuri i Evropës që stilizohet me 12 yjet e tij”, ka thënë ajo.
Do të jetë hera e parë që puna e saj do të ekspozohet për publikun dhe kjo është ndër gjërat emocionuese për të.
“Kjo është një prej arsyeve që më ka shtyrë të jem pjesë e punëtorisë, sepse punimi im do të shihet edhe në publik”, është shprehur ajo.
Në punëtori, Evropa qe një lloj harte ku idetë për të mund të pikturohen, të shpërbëhen e të rindërtohen. Kësisoj, qyteti utopik i imagjinuar nga të rinjtë nuk qe thjesht projekt arkitektonik, por edhe prezantim i vlerave si uniteti e diversiteti. Si model për realizim që vepra që shfaq imazhin e Amsterdamit, kryeqytetit holandez ku artisti Ferri jeton e punon.
Ngjarja vjen si pjesë e programit me aktivitete të shumta që shënojnë Ditën e Evropës në mbarë Kosovën. Muzika, sporti, arti e ngjarjet edukative janë në qendër të reflektimit kolektiv. Sivjet fryma artistike e organizimit mban vulën e Jakup Ferrit. Sipas “Europe House”, kësisoj përqafohet kreativiteti lokal duke kremtuar vlerat, kulturën, përfshirjen dhe unitetin evropian.
Interaktiviteti në punëtori nuk ka munguar. Bashkëbiseda midis pjesëmarrësve dhe artistëve është zhvilluar edhe për të ardhmen e tyre në fushën e artit. Disa e studiojnë, e për disa është punë qejfi. Por, në përgjithësi, më shumë ka pasur punë se biseda në ambientin e ngrohtë të “Europe House” në tavolinën ku pos blloqeve, lapsave e ngjyrave, janë shtruar edhe fruta e ëmbëlsira.
Organizatori i ngjarjeve në “Europe House”, Engjëll Berisha, ka thënë se duke e ftuar Jakup Ferrin për punëtori dhe brendimin e institucionit për Ditën e Evropës, kanë synuar që me një artist lokal të mishërohet kultura e vendit në një ditë të tillë.
“Ne e kemi pasur idenë fillestare që brendimin ta bëjmë të inspiruar nga Jakup Ferri, po ashtu me punime të tij. Nëse shihni në rrjete tona sociale gjithçka ka karakterin e punimeve të tij dhe në këtë rast kemi vendosur që përpos elementit të dizajnit, brendit gjeneral të Ditës së Evropës për këtë vit, kemi vendosur ta krijojmë këtë punëtori”, ka thënë Berisha.
Ai ka ilustruar se si puna e pjesëmarrësve ka për model punën e artistit Jakup Ferri.
“Një prej pikave specifike që ka kjo punëtori është se plot prej punëve të Jakupit inkuadrojnë pjesë nga qytetet, por me një paraqitje shumë interesante, për shembull, një prej punimeve që e shohim këtu është e inspiruar nga Amsterdami. Kështu kemi vendosur të ftojmë njerëz, të përdorin elemente të Jakupit, por në të njëjtën kohë të inspirohen nga objekte të famshme që gjinden në Evropë, specifikisht në shtetet e BE-së. Po mundohemi që si përmbledhje të krejt ngjarjeve për Ditën e Evropës ta shndërrojmë edhe një ekspozitë që hapet më 9 maj”, është shprehur Berisha.
Sipas tij, kur të gjithë pjesëmarrëset bëhen bashkë, krijohet diçka shumë e veçantë.
“Ideja gjenerale është që të krijojnë objekte e simbole të inspiruara nga Bashkimi Evropian për të cilat secili e ka lirinë të shprehet dhe të përdor ato në mënyrën që ka dëshirë. Kështu do të krijohet një kolazh gjeneral me veprat e krijuara sot”, ka thënë ai.
Ekspozita premton të jetë dritare për të parë Bashkimin Evropian përmes syve të një brezi që nuk e sheh atë si një projekt të largët, por si hapësirë të cilën mund ta formësojë vetë. Nëpërmjet artit.