Rikthimi i “Por-nó”-së në Prishtinë ka ardhur pas shumë vjetësh mungese nga skena e kryeqytetit, një mungesë që ndërkohë është shoqëruar me krijim të vazhdueshëm dhe me publikime që e kanë pasuruar diskografinë e bendit. Performanca e së premtes është shfaqur si një përmbledhje e gjithë kësaj rruge, duke ndërthurur material të ri me këngë nga albumet e mëhershme, në një mbrëmje ku nostalgjia dhe aktualiteti muzikor kanë bashkëjetuar natyrshëm
Për më shumë se dy dekada karrierë kanë bërë muzikë alternative, mirëpo ka 11 vjet prej kur herën e fundit kanë performuar në Prishtinë. Bendi “Por-nó” ka hapur të premten mbrëma një kapitull të ri në kryeqytet, duke promovuar mes tjerash edhe albumin e tyre të ri “Dritëhije”, të cilin e kanë incizuar live, pa publik, gjatë pranverës në Prishtinë. E për herë të parë i kanë sjellë këngët e tij live, duke e shndërruar skenën e vogël të hapësirës për kulturë alternative “Defy Them” në një vend të stërmbushur me njerëz. Edhe të rinjtë e kanë përqafuar muzikën e tyre e të gjithë njëzëri kanë dëshmuar se publiku i Prishtinës akoma e mban në vete adhurimin e muzikës alternative.
Rikthimi i “Por-nó”-së në Prishtinë ka ardhur pas shumë vjetësh mungese nga skena e kryeqytetit, një mungesë që ndërkohë është shoqëruar me krijim të vazhdueshëm dhe me publikime që e kanë pasuruar diskografinë e bendit. Performanca e së premtes është shfaqur si një përmbledhje e gjithë kësaj rruge, duke ndërthurur material të ri me këngë nga albumet e mëhershme, në një mbrëmje ku nostalgjia dhe aktualiteti muzikor kanë bashkëjetuar natyrshëm.
Hapjen e mbrëmjes e ka bërë projekti muzikor “Toka shitet”, i udhëhequr nga Idriz Ameti, një emër i njohur i rockut alternativ nga Shkupi. Projekti ka sjellë në skenë një qasje të veçantë, duke eksploruar një territor ende pak të shkelur mes muzikës popullore shqiptare dhe indie-rockut. Në qendër të performancës ka qenë sharkia, instrument tradicional, i përdorur gjerësisht në muzikën popullore të Ballkanit. Këto janë ndërthurur me vokalin e thellë dhe emocional të Ametit, duke prodhuar një shprehje autentike dhe të pazakontë për skenën alternative vendore, një hyrje që e ka përgatitur publikun për pjesën e mbetur të mbrëmjes.
EP-ja “Dritëhije” përfaqëson një fazë të re në diskografinë e “Por-nó”-së, duke u renditur përkrah albumeve si “Kokë plot fotografi”, “Zhurmuesi” dhe “Dyfytyrëshi”. Projekti ruan gjuhën muzikore karakteristike të bendit, por njëkohësisht e zhvendos fokusin drejt përvojës së drejtpërdrejtë dhe energjisë së skenës. Kjo qasje është reflektuar edhe në performancën e Prishtinës, ku publiku ka qenë pjesë aktive e rrjedhës së koncertit.
Në deklaratën e tij, Dritëro Nikqi, njëri nga boshtet krijuese të bendit, ka theksuar se motivimi kryesor për vazhdimësinë e “Por-nó”-së mbetet vetë procesi i të bërit muzikë dhe dinamika mes anëtarëve të grupit.
“Një, është ajo nevoja për të bërë muzikë, pjesa tjetër është me kë je duke bërë muzikë, kështu që me Krenarin, me Nesimin dhe tash me Lumin si anëtar të ri, prapë jemi një grup kompakt dhe kjo për mua është kënaqësia e të bërit muzikë, kur përnjëmend e ke një ekip, me të cilët merresh vesh, me të cilët e ndan dinamikën, thjesht kuptohesh në skenë, mund të shkosh prej një ekstremi në tjetrin. Në fund të fundit, ‘Por-no’, arsyeja pse ne ekzistojmë është kjo, skena live, edhe pse ironikisht s’kemi bërë që 11 vjet në Prishtinë muzikë”, ka thënë ai.
Qasja ndaj EP-së së fundit “Dritëhije” përbën një kthesë domethënëse në mënyrën e krijimit të bendit. Nikqi ka sqaruar se ky projekt është realizuar si një live-EP, i performuar dhe i incizuar drejtpërdrejt në Kino “Armata”, pa publik, duke shmangur procesin klasik të incizimit në studio.
“Fakti që ne kemi publikuar EP live, se ‘Dritëhije’ është live-EP, të cilin thjesht e kemi performuar live në Kino ‘Armata’, aty e kemi incizuar, xhiruar dhe ajo ka qenë mënyra se qysh i jemi qasur albumit, e jo në mënyrën e zakonshme në stuio, kështu që në njëfarë mënyre, ‘Dritëhije’ është diçka që ne e kemi lypur... nëpërmjet asaj e kemi lypur prapë në skenë të bëjmë live, e jo të mbyllemi në studio ta bëjmë si albumin e fundit para këtij, ‘Dyfytyrëshi’, që është strikt krijesë e studios”, ka shtuar Nikqi.
“Dritëhije”, në këtë kuptim, shfaqet si një projekt që e vendos përvojën live në qendër të krijimit artistik. Me kusht që të ketë hapësira për performanca live, sipas tij, do të ketë edhe koncerte të tjera.
“Nëse s’kemi për të hasur në atë mungesën e skenës, mungesën e organizimit të mirë të live-koncerteve... nëse ajo ekziston, atëherë ne jemi të gatshëm të bëjmë live, të bëjmë më shpesh koncerte”, ka thënë artisti.
Edhe Krenar Ismaili, violinist i bendit, ka folur për procesin e shpejtë dhe intensiv të krijimit të EP-së. Ai ka theksuar se përvojat e përbashkëta dhe njohja e gjatë mes anëtarëve e kanë lehtësuar procesin, ndërsa incizimi në Prishtinë, pa publik, ia ka dhënë projektit një karakter të veçantë.
“Albumin realisht e kemi bërë për një kohë të shpejtë, pasi që njihemi për një kohë të gjatë dhe përvojat e përbashkëta i kemi kombinuar dhe e kemi krijuar albumin, normal që puna më e madhe ka qenë e Dritërosë. Albumi është krijuar dhe incizuar në pranverë në Prishtinë pa publik, i kishte hije të publikohet dhe të dalë para publikut në Kosovë dhe në Shqipëri,”, ka thënë ai.
Ka treguar se “Dritëhije” është promovuar fillimisht në Tiranë, ndërsa performanca në Prishtinë ka qenë e domosdoshme, si kthim para publikut që e ka ndjekur bendin që nga fillimet.
“Ishim para disa ditësh në Tiranë, e bëmë një lloj promovimi të albumit dhe ja sonte në Prishtinë, para publikut të Prishtinës dhe kaluam besoj që shumë, shumë mirë. Sonte ka pasur nëse s’gaboj pothuajse prej të gjitha albumeve këngë, ashtu që pasi realisht hera e fundit... ka ndoshta 11 vjet që nuk kemi performuar në Prishtinë dhe brenda këtyre 11 vjetëve kanë dalë dy albume të reja, ashtu që ka pasur sonte përveç albumit të fundit, ka pasur këngë edhe prej pothuajse prej të gjitha albumeve të tjera”, ka shtuar Ismaili.
Reagimi i publikut ka qenë i menjëhershëm dhe i vazhdueshëm gjatë gjithë mbrëmjes. Shpat Deda, artist i pranishëm në publik, e ka cilësuar koncertin si një dëshmi të gjallë se muzika alternative vazhdon të ketë audiencë në Prishtinë.
“Ka qenë një atmosferë super, kushdo që ka qenë këtu besoj që e ka ndier sonte. Bendi ‘Por-no’ është një prej bendeve më të rëndësishme të skenës alternative të Prishtinës, po mendoj një prej shtyllave. Për mua ishte kënaqësi t’i dëgjoj prapë, Dritëronë e kam shok dhe bashkëpunëtor dhe e vlerësoj shumë edhe si muzikant edhe si shok, por sot më bëri të ndihem shumë mirë që ka hala audiencë për muzikë alternative në Prishtinë”, është shprehur ai.
Ka theksuar rëndësinë e faktit që gjeneratat e reja e kanë përqafuar këtë muzikë. Sipas tij, kjo përbën një shenjë shprese për vazhdimësinë e skenës alternative dhe për interesimin e publikut për forma muzikore që dalin jashtë rrymave dominuese. Ka folur edhe për albumin e tyre të ri.
“Albumi është në zhanrin e ‘Por-no’-së, është vazhdimësi e zhanrit të tyre dhe është arsyeja pse njerëzit e vlerësojnë, t’i qëndrojë besnik asaj çka beson Dritëro në këtë rast. Mua më ka pëlqyer shumë projekti, është live, që lyp përvojë dhe dije për ta bërë dhe sot u pa prej reagimeve të njerëzve që ai është me sukses”, ka shtuar këngëtari Deda.
Rikthimi në kryeqytet vjen gati pesë vjet pasi bendi “Por-nó” ka performuar edhe në Prizren, ku ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm të lidhjes me publikun. Koncerti atje ka shërbyer si pararendës i mbrëmjes në Prishtinë, duke dëshmuar se interesi për muzikën e bendit mbetet i gjallë edhe pas një pauze të gjatë nga skenat vendore.
Në tërësi, koncerti në “Defy Them” nuk ka qenë vetëm një promovim albumi, por një rikthim i plotë i një bande që ka ndërtuar identitetin e saj përmes qëndrueshmërisë artistike dhe refuzimit për kompromis estetik. Prania e publikut të ri dhe reagimi i fortë i audiencës kanë treguar se muzika alternative vazhdon të gjejë hapësirë në Prishtinë, ndërsa “Por-nó” mbetet një prej emrave që e mban këtë skenë të gjallë.