Shtojca për Kulturë

Paradoksi i dijes: Studimet doktorale që s’magjepsin më

Paradoksi i dijes: Studimet doktorale që s’magjepsin më

Paradoksi është pikërisht ky: dija nuk ka humbur vlerën e saj. Ka humbur thjesht vlerën ekonomike. Dhe kjo i shtyn brezat e rinj të zgjedhin rrugë të tjera, rrugë më të shpejta, më pragmatike, më të sigurta nga ana financiare. Ajo çfarë dikur ishte rruga kryesore, sot është kthyer në një shteg të ngushtë që ndjekin vetëm ata që e duan vërtet. Nuk ka më turmë që rend drejt bibliotekave; ka një grusht njerëzish që e bëjnë këtë nga dashuria dhe jo nga frika e së ardhmes

Yllka Maqedonci

Ka diçka të çuditshme në mënyrën se si e shohim dijen sot, apo ndoshta gjithmonë ka qenë kështu. Ndoshta sepse jetojmë në një kohë ku gjithçka duket e shpejtë, e menjëhershme dhe e konsumueshme. Studimet, ato vite të lodhshme, që dikur ishin krenaria e një familjeje, e një fshati apo qyteti madje, tani shpesh duken si një rrugë anësore, si një devijim që nuk të çon askund, përveç se në një punë monotone me orar të plotë (9 to 5). E ndërkohë, kudo dëgjon njerëz me master, me doktoratë, me diploma të varura në mure që nuk sigurojnë as qiranë e muajit.

Sipas historisë, në fillimet e tyre, universitetet ishin përzgjedhje e pak njerëzve. Të hyje aty dhe të dilje prej tyre me titullin “doktor” ishte diçka e rrallë. E interpretuar me gjuhën e sotme, do të thoshim se ishte një status që askush nuk e vinte në dyshim. Dije e paktë, njerëz të paktë, përvoja që kalonte nga një brez te tjetri me peshën e autoritetit moral. Dhe gjithë kjo mbështetej në një bindje që dija është çelësi i botës. Titulli doctor lindi në shekullin XII–XIII si licencë mësimdhënieje, jo si kërkim shkencor. Ai përfaqësonte prestigj, autoritet dhe një rol publik. Me përhapjen e metodës shkencore, doktoratura filloi të lidhej me kërkimin, por ende ishte elitare. Në Gjermani, lindi modeli që njohim sot, që është një kërkim i pavarur me mentor të fushës (një këshilltar i besueshëm dhe me përvojë), kontribut origjinal e disertacion dhe mbrojtje publike. Shekulli XX solli masifikimin e universiteteve. Arsimi nuk ishte më privilegj i elitave, por u bë i qasshëm për të gjithë. Kur doktoratura ishte e rrallë, vlera e saj simbolike ishte e lartë. Kur numri i të diplomuarve u rrit, tregu i punës nuk u zgjerua me të njëjtin ritëm. Tregu global nisi të favorizojë: inovatorët, sipërmarrësit, njerëzit që prodhojnë shpejt shërbime ose produkte, dhe jo domosdoshmërisht studiuesit afatgjatë.

Përsëri ne kemi shumë doktorë që mbrojnë temat e tyre para komisioneve, më shumë njerëz që investojnë vite pa fund në hulumtime, më shumë libra të shkruara që mbase nuk lexohen kurrë nga askush përveç atyre tre anëtarëve të komisionit. Dhe ndërkohë, gjenerata që vjen pas tyre nuk po është e gatshme të ndjekë këtë rrugë. E sheh një 19-vjeçar që hap një biznes të vogël online dhe fiton para brenda muajit të parë. Një tjetër që jep mësime për marketing në rrjetet sociale. Një që hap një kanal në TikTok, bën tre video, bën dy bashkëpunime, dhe papritur konsiderohet i suksesshëm. Asnjë diplomë nuk kërkon kjo. As master, as doktoratë. Vetëm guxim, një ide, dhe strategjinë e duhur për të kapur vëmendjen e njerëzve. Dhe ndoshta, pikërisht këta janë dijetarët, duke përfillur edhe faktin që tani dijen e posedon edhe një inteligjencë artificiale që është një klikim larg. Nuk është se brezi i ri është dembel. Në të vërtetë, ata punojnë shumë, në mënyra të tjera, jashtë rrugëve të zakonshme. Janë thjesht të bindur, me të drejtë ose jo, se shkolla nuk të garanton më asgjë. Se historia e “mbaro shkollën dhe gjeje punën e jetës” është thjesht një këngë e një epoke të vjetër.

Dhe nëse e shikon me sy të ftohtë, investimi në studime të larta nuk është i vogël. Pesë, gjashtë, shtatë vjet shkollë, ndërkohë që pagat në universitet janë të ulëta, vendet e punës të pakta, dhe konkurrenca e çmendur. Një doktoratë shpesh është një përpjekje e gjatë që nuk të kthen mbrapsht as paratë, as kohën, as sakrificat. Dhe kjo është një e vërtetë për të cilën askush nuk të paralajmëron.

Por, brenda gjithë këtij realiteti të ri, më duket se ka diçka që ende nuk ka vdekur: kuptimi i dijes si diçka e vyer, e thellë, që nuk matet me para. Ka njerëz, dhe besoj do të ketë gjithmonë, që studiojnë jo sepse presin shpërblime të mëdha, por sepse nuk dinë të jetojnë ndryshe. Sepse libri, kërkimi, ideja e re, ajo energjia që të vjen kur zbulon diçka të vogël që askush tjetër nuk e ka shkruar më parë, ka një lumturi të heshtur brenda vetes. Një lumturi që nuk matet dot në euro apo në çfarëdo valute tjetër.

Paradoksi është pikërisht ky: dija nuk ka humbur vlerën e saj. Ka humbur thjesht vlerën ekonomike. Dhe kjo i shtyn brezat e rinj të zgjedhin rrugë të tjera, rrugë më të shpejta, më pragmatike, më të sigurta nga ana financiare. Ajo çfarë dikur ishte rruga kryesore, sot është kthyer në një shteg të ngushtë që ndjekin vetëm ata që e duan vërtet. Nuk ka më turmë që rend drejt bibliotekave; ka një grusht njerëzish që e bëjnë këtë nga dashuria dhe jo nga frika e së ardhmes.

Dhe ndoshta kështu duhet të jetë. Ndoshta dija e thellë është gjithmonë punë e pak njerëzve. Ndoshta është një zgjedhje intime, e brendshme, e pavarur nga tregu i punës. Ndoshta gjenerata e re ka të drejtë në mënyrën e vet të të jetuarit, edhe pse duket e huaj për ne. Sepse, në fund, secili brez zgjedh ato rrugë që i duken më të arsyeshme për kohën e vet.

Ajo që nuk ndryshon është fakti se dija mbetet aty, e qetë, e durueshme, e pandryshuar, duke pritur ata që kanë ende dëshirë t’i afrohen. Ajo nuk kërkon duartrokitje, as tituj, as certifikata. Mjafton të duash ta ndjekësh. Dhe për ata pak njerëz që zgjedhin ende këtë rrugë, dija ka ende shpërblimin e saj: jo në llogarinë bankare, por në kthjelltësinë me të cilën e sheh botën.