Shtojca për Kulturë

Një vit pas grevës së përgjithshme të TKK-së – Çka (s)ndodhi?

Dita e shpalljes së grevës më 17 nëntor 2024 (Foto: Driton Paçarada)

Dita e shpalljes së grevës më 17 nëntor 2024

Foto: Driton Paçarada

Dua t’i ftoj të reflektojnë ata që u tërhoqën pa asnjë kërcënim, për arsyet e tyre personale; edhe ata që u tërhoqën nga greva dhe e penguan atë në ndjekje të interesave personale, e në fund as ato nuk arritën t’i realizojnë. I ftoj të reflektojnë ata që si të vetëpolitizuar që ishin, deshën ta politizojnë grevën; ata që me fjalë të mëdha premtuan se do të kthehen në grevë sërish nëse kërkesat nuk realizohen; ata që na premtuan ligjërata për mënyrat e të bërit grevë dhe si mbrohen të drejtat, atëkohë ndoshta të mashtruar, ndoshta të vetëmashtruar

Sot është bërë një vit prej kur nisëm grevën e përgjithshme të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Një vit prej kur i mbyllëm dyert tona jo për të heshtur, por për të folur më fort se kurrë. Ky përvjetor është moment i mirë për të reflektuar për gjithë çka ndodhi në ato 110 ditë të grevës dhe gjithë çka (s)ndodhi deri më sot.
Sot dua t’i ftoj të marrin një moment e të reflektojnë, disa grupe të palëve të përfshira në këtë proces. Duke u nisur nga kolegët që pa asnjë presion e me vullnet të pastër, e nisën grevën. Ata që besuan se e drejta dhe dinjiteti nuk negociohen, se heshtja nuk është zgjidhje.

Falënderoj ata që u ngritën dhe mbajtën qëndrim. 

Dua t’i ftoj të reflektojnë ata që u tërhoqën pa asnjë kërcënim, për arsyet e tyre personale; edhe ata që u tërhoqën nga greva dhe e penguan atë në ndjekje të interesave personale, e në fund as ato nuk arritën t’i realizojnë.

I ftoj të reflektojnë ata që si të vetëpolitizuar që ishin, deshën ta politizojnë grevën; ata që me fjalë të mëdha premtuan se do të kthehen në grevë sërish nëse kërkesat nuk realizohen; ata që na premtuan ligjërata për mënyrat e të bërit grevë dhe si mbrohen të drejtat, atëkohë ndoshta të mashtruar, ndoshta të vetëmashtruar.

Ndërsa ata që synuan të shpërbleheshin me ndaljen e grevës, por që nuk e morën atë që prisnin… Presin ende! Le të reflektojnë sot për çka ka ndodhur.

Le të reflektojnë edhe ata që na siguruan me garancitë e ministrit Çeku se “kjo është çështje javësh”. Çka tash? Një vit pas? Na u dëshmua se “çështje javësh” mund të nënkuptojë aq javë sa ka një vit, dhjetë vjet, njëqind vjet… Garancitë i kemi prapë se vërtetë “është çështje javësh”. Komike!
Dua t’i përfshij të gjithë, sepse ky vit na mësoi se sa të pambrojtur jemi kur përballemi me sistemin, dhe sa të përçarë mund të bëhemi kur ai sistem na e vë barrën mbi supe. Përballë rezistencës, pushtetet mobilizohen për të përçarë dhe zakonisht ia dalin, por ne ua bëmë tepër të lehtë! Tepër të lehtë! Nga gjithë ato grupe që u ndanë në ndjekje të këtij apo atij interesi, këtij apo atij presioni, mund të duket sikur jemi 5 mijë, e në fakt jemi vetëm 22.

Ata të paktët, shumë të paktët, që me të vërtetë e kishin grevën në shpirt dhe në moral dhe që e bartën peshën e saj deri në fund, dua t’i falënderoj.

E gjithë kjo më shtyn që këtë shkrim ta lë publik, pikërisht sepse nesër janë të shumtë ata që do të flasin për “disidencën e madhe” ndaj pushteteve, pavarësisht se sot që flasim, janë e mbeten të rreshtuar përkrah pushtetit, cilido qoftë ai.

Unë vazhdoj të besoj në të drejtën tonë dhe kjo e drejtë do të realizohet me një ministër normal. Me një qeveri normale. Me institucione që e kuptojnë se arti është shtetformues, jo dekor politik.
E quaj “normale”, sepse sot, nga pozicioni im, e shoh të nevojshme të them se nuk është normale një qeveri ku: Ministri i Kulturës, sipas përvojës dhe perceptimit tim, ka dështuar të tregojë integritet dhe përgjegjësi. Nuk po flas këtu për punët e tjera të tij, por vetëm për sjelljen dhe (mos)punën e tij në raport me Teatrin Kombëtar, të cilin e degdisi në një birucë, e mbylli pa kurrfarë plani tash e 40 muaj e siç duket do ta mbajë të mbyllur edhe për 40 të tjerë; dhe për dëmin vleror e institucional, shkeljen e përçmimin që i ka bërë me një Këshill Drejtues që gëlon nga militantët e paramilitarët partiakë.

Ndërkohë kryeministri thonë se është më i edukuari dhe më artdashësi. Jo vetëm të teatrit, por e përshkruajnë edhe si kritik arti, njohës filmi. E mos të flasim për muzikën… Për atë flitet si të ishte pishtar i rocknrollit. Kështu flasin për të edhe vetë “artistët”. Megjithatë për 110 ditë grevë, 110 ditë pa Teatër Kombëtar, kryeministri artdashës nuk nxori as edhe një fjalë nga goja.

As presidentja – te e cila kërkuam ndihmë përmes këshilltares së saj – nuk gjeti kohë as për një letër të vetme në mbrojtje të dinjitetit të artistit, ndonëse gjen kohë të promovojë videoklipe turbofolk dhe pseudonacionaliste të figurave që i pëlqen.

Shteti që udhëhiqet nga të edukuarit e artdashësit, nuk u alarmua se nuk kishte teatër. Vazhdoi të mos alarmohet edhe për një vit mospunë të ministrit të tyre për të përmbushur kërkesat e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, përkundër “javëve” që kanë kaluar.

Mirë. Do t’i mbaj në mend. Dhe, eci para. Edhe për mua ky përvjetor i nisjes së grevës është moment reflektimi. E pranoj këtë humbje si edhe shumë humbje të tjera. Gjithashtu e pranoj edhe mësimin e marrë. Siç e thotë Ibseni tek “Armiku i popullit”, e mësova se “njeriu më i fuqishëm është ai që është i vetëm”.

Po. Kërkesat tona do të realizohen me siguri në ndonjë javë të ndonjë viti. Dhe atëherë, meritat do t’ua lëmë atyre kolegëve, siç ua kemi lënë edhe në të kaluarën kur na u tregua se ngritja e pagave pas grevës së vitit 2018, nuk paska ardhur si rezultat i përbashkimit e mobilizimit tonë rreth një kauze, por vetëm falë “forcës madhore dhe gjenialitetit të një individi”. Edhe tani, le të jetë ashtu! Nëse ashtu doni ta tregoni historinë, unë do ta shkruaj vet me dorën time. Por ne e dimë të vërtetën tonë. Dhe do ta mbajmë gjallë, sa të ketë teatër, artistë e publik.

P.S. Nuk e kam harruar menaxhmentin e TKK-së. Le të reflektojnë edhe ata nëse e kanë këtë aftësi. Thjesht nuk janë të denjë as për t’i komentuar. Po hesht edhe unë, sikurse menaxhmenti i TKK-së heshti përgjatë 110 ditëve grevë dhe çdo dite tjetër deri më sot në këtë përvjetor të nisjes së grevës.

(Autori është aktor i ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës)