Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Një jetë e dytë” e artistes radikale që sfidon artin

Tracey Emin u bë ndërkombëtarish

Tracey Emin u bë ndërkombëtarisht e njohur me veprën ikonike “My Bed” (1998), e nominuar për çmimin prestigjioz “Turner”, një instalacion që paraqiste shtratin e saj të çrregullt të rrethuar nga objekte intime të jetës së përditshme që ndezi një debat të madh publik mbi kufijtë e artit bashkëkohor

Në ikonën e artit bashkëkohor “Tate Modern” të Londrës është hapur një nga ekspozitat më të rëndësishme të këtij viti kushtuar Tracey Emin. Ekspozita retrospektive “A Second Life” (Një jetë e dytë) përmbledh mbi katër dekada të një praktike artistike radikale dhe thellësisht personale. Ajo eksploron trupin femëror si një hapësirë ku përplasen konfliktet e brendshme ekzistenciale, revolta, pasioni, dhimbja dhe shërimi. Artistja që tronditi botën e artit në vitet ‘90 me veprën ikonike “My Bed” duke sfiduar kufijtë e asaj që mund të quhet art, vazhdon të mbetet një zë i pakompromis i rrëfimit autobiografik në artin bashkëkohor. Në një nga veprat e ekspozitës shfaqet edhe një nga pohimet e saj më të forta: “Pas abortit tim të parë kuptova më shumë për thelbin e jetës dhe për prejardhjen e gjërave sesa nga ç‘mund të mësoja në ndonjë shkollë arti apo çfarëdo ligjërate”

Nganjëherë ndodh që ulesh në një tavolinë me dikë dhe biseda merr një drejtim të papritur, ti dëgjon, i shkrumbon cigaret njëra pas tjetrës, gjersa personi përballë flet pa pushim, duke derdhur ngadalë para teje gjithçka, pa filtra. Frikërat, turpet, dashuritë e humbura, gabimet, plagët, ato të brendshmet dhe fiziket që ende nuk janë mbyllur, e ti, dëgjon dhe nuk ndien nevojën të nxjerrësh as një fjalë nga goja. Dhe pas një kohe e kupton se po dëgjon një lloj sinqeriteti që zakonisht njerëzit e mbajnë për vete.

Pikërisht këtë ndjesi jep dhe ekspozita “A Second Life” (Një jetë e dytë), e artistes britanike Tracey Emin në “Tate Modern” të Londrës, e cila u hap më 27 shkurt. Ajo rri larg nga të qenit një ekspozitë në kuptimin klasik, ku veprat qëndrojnë të rreshtuara për t’u admiruar në distancë, është më shumë si një rrëfim i gjatë dhe i pambrojtur ku artistja duket sikur vendos që në fillim të mos fshehë asgjë. Është një përvojë që të vendos përballë një sinqeriteti të rrallë, ndonjëherë të ashpër, ndonjëherë gati të pakëndshëm mirëpo gjithmonë thellësisht njerëzor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Piktura mbetet një dimension goxha identifikues i Emin. Në shikim të parë atomund të duken të thjeshta, pothuajse të papërfunduara...

Në një kohë kur arti shpesh pritet të jetë i bukur, i rafinuar dhe estetikisht i përsosur, Emin bën të kundërtën: ajo e zhvesh artin nga ideja e bukurisë si qëllim dhe e mbush atë me jetën reale, me dhimbjen, pasionin dhe kontradiktat e saj. Në vend të një estetike të rehatshme për syrin, ajo ofron diçka më të rrallë si një praktikë artistike e cila ka një qëllim të vetëm. Të qenit i vërtetë. E pikërisht në këtë brutalitet të sinqeritetit qëndron dhe forca e saj.

Autobiografia si materie e shprehjes artistike

Por kjo ekspozitë nuk është aspak një gjest i rastësishëm artistik, por thelbi i praktikës së Tracey Emin prej më shumë se katër dekadash. E lindur në Londër më 1963 dhe e rritur në qytetin bregdetar Margate, Emin vjen nga një familje me prejardhje të përzier, babai i saj ishte turko-qipriot, një sfond kulturor ky që shpesh përmendet si pjesë e historisë së saj personale. Jeta e saj e hershme, e shënuar nga përvoja të vështira dhe një ndjenje të vazhdueshme e cila e vendoste atë në pozicione të margjinalizuara, do të bëhej më vonë materia bazë e shprehjes së saj artistike. Pas studimeve në Royal College of Art në Londër, Emin u bë një nga figurat më të njohura të skenës artistike britanike në vitet ‘90 si pjesë e brezit të ashtuquajtur Young British Artists, një grup artistësh që transformuan skenën e artit në Britani duke sfiduar institucionet dhe pritshmëritë tradicionale të publikut. Emri i saj u bë ndërkombëtarisht i njohur me veprën ikonike “My Bed” (1998), e nominuar për çmimin prestigjioz “Turner”, një instalacion që paraqiste shtratin e saj të çrregullt të rrethuar nga objekte intime të jetës së përditshme që ndezi një debat të madh publik mbi kufijtë e artit bashkëkohor. Që atëherë, Emin ka punuar në mediume të ndryshme duke nisur nga piktura dhe vizatimi te tekstilet, neonët, skulptura, fotografia dhe veprat videografike duke ndërtuar një praktikë artistike ku autobiografia dhe arti përbëjnë një marrëdhënie simbiotike. Në vitin 2024, ajo u nderua nga Mbreti Charles III me titullin e Damës, një nga nderimet më të larta civile në Mbretërinë e Bashkuar, në vlerësim të kontributit të saj të jashtëzakonshëm në artin bashkëkohor.

Veprat e saj bartin një intensitet të jashtëzakonshëm emocional  

Nëse arti vërtet kërkon gjithmonë një interpretim, atëherë ekspozita e Tracey Emin në “Tate Modern” e ndesh vizitorin me një sfidë të vërtetë hermeneutike. Interpretimi zakonisht kërkon njëfarë distance mes veprës dhe vetë shikuesit, mirëpo këtu kjo distancë shpesh zhduket. Në ditën e hapjes, radha e gjatë për të hyrë në galeri krijon një ndjesi të veçantë pritjeje dhe ekskluziviteti, sikur publiku të jetë në prag të një përvoje që kërkon kohë dhe përqendrim. Brenda hapësirës së ekspozitës, disa vizitorë madje ulen në stola të vegjël të vendosur nëpër galeri, duke qëndruar për minuta të tëra përballë veprave teksa përpiqen të përthithin çdo detaj të tyre. Kush niset me idenë se është një ekspozitë që shëtitet shpejt, gabohet. Ajo bëhet e rëndë shumë shpejt, herë pas here tronditëse, madje edhe emocionalisht sfilitëse. Pikërisht në këtë intensitet fillon edhe udhëtimi vizual i ekspozitës.

Pjesën më të madhe të mureve zënë tapiceritë që ndërthuren konceptualisht mevideo projektimet përreth që pasqyrojnë inserte intervistash konfesionale të artistes përgjatëkarrierës

“Vetëvrasja emocionale” e shkatërrimit të pikturave

Dhoma e parë që të del përpara është e mbushur me rreth 180 fotografi të vogla të ngjitura mbi kanavacë, të cilat dokumentojnë pikturat e hershme të Emin të realizuara gjatë viteve të studimeve. Këto fotografi janë gjithçka që ka mbetur nga veprat origjinale. Pas një aborti në vitin 1990, një përvojë që artistja e ka përshkruar si një “vetëvrasje emocionale”, ajo vendosi t’i shkatërronte pikturat e saj pasi gjithçka që kishte krijuar deri në atë pikë asaj i ishte dukur e pavlerë. Pikturat origjinale ishin pjesë e një projekti që ajo e prezantoi në ekspozitën e saj të parë në vitin 1993 në galerinë “White Cube” në Londër.

“Kam menduar se ajo do të ishte ekspozita ime e parë dhe e fundit, prandaj e quajta My First Retrospective (Retrospektiva ime e parë)”, kujton artistja.

 Puna e Tracey Emin paraqitet si një praktikë artistike e papërmbajtur, epapërpunuar, pa filtër, shumë e dhimbshme, shpesh e trishtë por gjithmonë e ndershme nëmënyrën se si e vendos jetën e saj përpara shikuesit

Më tej, ekspozita hapet në një seri hapësirash ku mediumet ndryshojnë vazhdimisht. Pjesën më të madhe të mureve zënë tapiceritë që ndërthuren konceptualisht me video-projektimet përreth që pasqyrojnë inserte intervistash konfesionale të artistes përgjatë karrierës.

“Why I Never Became a Dancer” (1995), një film i shkurtër, me kohëzgjatje rreth gjashtë minuta e dyzet sekonda, është njëra ndër to. Videoja ndërthur pamje të qytetit bregdetar Margate vendi ku artistja u rrit, me një narracion të drejtpërdrejtë në zërin e saj. Përmes këtij rrëfimi, Emin rikthen episodet e adoleshencës së saj, me sekuenca si largimi nga shkolla në moshën trembëdhjetëvjeçare, dhe përvojat e hershme seksuale që ajo i përshkruan me një sinqeritet të pakompromis. Narrativa kulmon me një vallëzim në një studio të zbrazët nën ritmet e këngës “You Make Me Feel” të Sylvesterit, e cila shndërrohet në një akt simbolik rimarrjeje të kontrollit mbi historinë e saj personale, duke i mposhtur të gjitha damkat që iu ishin vendosur asaj përgjatë jetës.

Arti i Tracey Emin ka vetëm një rregull, të qenit i vërtetë dhe vetë ekspozita na tregon se, në fund, ky është rregulli i vetëm që ajo ka ndjekur

Bashkëjetesa e shkrimit dhe vizatimit

Piktura mbetet një dimension goxha identifikues i Emin. Në një shikim të parë ato mund të duken të thjeshta, pothuajse të papërfunduara, por që mbartin një intensitet të jashtëzakonshëm emocional. Teknikisht, ato ndërtohen mbi një gjuhë vizuale që i afrohet ekspresionizmit bashkëkohor, në to ka me bollëk figura njerëzore të zhveshura, shpesh të shtrembëruara ose të fragmentuara, të realizuara me lëvizje të vrullshme e të dhunshme të brushave. Linja të ashpra, të papërpunuara dhe të mbivendosura mbi shtresa ngjyrash, duke krijuar një ndjesi tensioni të vazhdueshëm në sipërfaqen e pikturës. Pastaj, ajo shpesh ndërthur figurën me fragmente tekstesh të shkruara nga vetë ajo, duke e kthyer pikturën në një hapësirë ku vizatimi dhe shkrimi bashkëjetojnë si dy forma të të njëjtit rrëfim. Mendimet, kujtimet dhe deklaratat intime që ajo fillimisht i shkruan, shpesh bëhen pjesë e veprës vizuale ose shndërrohen më vonë në neonët e saj të famshëm, gjithmonë në dorëshkrimin e saj personal. “It’s not me that’s crying. It’s my soul” (Nuk po qaj unë, po më qan shpirti), thotë njëra nga to. Zemërimi, dhimbja, revoltimi, janë të pranishme në çdo sipërfaqe te ekspozitës, e vetë akti i të bërit art nga ajo është një formë çlirimi.

Prej veprës “My Bed”, Emin ka punuar në mediume të ndryshme duke nisur nga piktura dhe vizatimi te tekstilet, neonët, skulptura, fotografia dhe veprat videografike duke ndërtuar një praktikë artistike ku autobiografia dhe arti përbëjnë një marrëdhënie simbiotike

Korridori i ballafaqimit brutal

Pastaj vjen korridori. Njëri ndër elementet më brutale të ekspozitës e cila na ballafaqon me vulnerabilitetin e Emin. Në një korridor të gjatë e të errët dritat ndriçojnë mbi fotografitë polaroidë të artistes që dokumentojnë momente intime të jetës së saj. Trupin e saj të zhveshur, plagët kirurgjikale dhe gjurmët fizike të trajtimeve mjekësore nga përvoja e saj me kancerin në vitin 2020. Ky pasazh i ngarkuar emocionalisht funksionon si një hyrje drejt asaj që shumëkush e konsideron kryeveprën e artistes. Një dhomë e madhe, sërish e errët, me një dritë që ndriçon “My Bed”, krevatin që për vite me radhë ka qenë në qendër të një prej debateve më të mëdha në historinë e artit bashkëkohor. Në mes të hapësirës qëndron shtrati i vetë artistes, në gjendjen reale, me çarçafë të rrudhur dhe të njollosur, ndërsa rreth tij janë shpërndarë objekte të jetës së përditshme, shishe bosh, cigare, të brendshme, letra dhe gjësende të tjera intime që zakonisht mbeten të fshehura nga sytë e publikut. Vepra është një fragment i papërpunuar i jetës së artistes, mirëpo paraqitet si një moment i ngrirë në kohë nga një periudhë e karakterizuar nga një depresion i thellë që artistja e kishte kaluar në vitet ‘90. Për disa sekonda, hapësira përreth veprës mbetet pothuajse e heshtur, vizitorët afrohen ngadalë, dhe tek-tuk dëgjohet ndonjë psherëtimë apo reagim i papritur nga dikush që nuk arrin ta fshehë habinë, nga çka ka para vetes. Aty kaplohesh nga një ndjesi e fortë se je duke ndërhyrë në intimitetin e dikujt, sikur ke hyrë në dhomën e gjumit të një personi të panjohur, pa leje.

Dhoma e parë që të del përpara është e mbushur me rreth 180 fotografi të vogla të ngjitura mbi kanavacë, të cilat dokumentojnë pikturat e hershme të Emin të realizuara gjatë viteve të studimeve. Këto fotografi janë gjithçka që ka mbetur nga veprat origjinale. Pas një aborti nëvitin 1990, një përvojë që artistja e ka përshkruar si një “vetëvrasje emocionale”, ajo vendosi t’ishkatërronte pikturat e saj

Përgjatë ndërveprimit me pothuajse njëqind vepra të Emin në “A second Life”, të shpërndara nëpër dhoma e kthina të shumta, mbetet një ndjesi që është e vështirë të përkufizohet saktësisht. Dikush mund ta quajë edhe si mbingarkesë, dhe me të drejtë. Por, arti ka një lloj alkimie me ata që shkojnë ta shohin, një mënyrë për të marrë përvoja krejtësisht personale dhe për t’i kthyer ato në diçka të përbashkët për publikun. Kështu edhe Tracey Emin e bën të qartë se forca e veprimtarisë së saj nuk qëndron aspak në përsosmërinë teknike. Në disa momente, pikturat e saj mund të duken të papërpunuara, pastaj skulpturat lënë për të dëshiruar. Por pikërisht këtu qëndron fuqia e tyre.

Arti i Tracey Emin ka vetëm një rregull, të qenit i vërtetë dhe vetë ekspozita na tregon se, në fund, ky është rregulli i vetëm që ajo ka ndjekur. Puna e saj paraqitet si një praktikë artistike e papërmbajtur, e papërpunuar, pa filtër, shumë e dhimbshme, shpesh e trishtë por gjithmonë e ndershme në mënyrën se si e vendos jetën e saj përpara shikuesit. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse kur del nga ekspozita, del me një lloj reflektimi të heshtur, i ngashënjyer, sikur ke qenë dëshmitar i një rrëfimi që kërkon kohë për t’u përpunuar. Ndoshta edhe pak kohë për ta rimarrë veten.

Ajo shpesh ndërthur figurën me fragmente tekstesh të shkruara nga vetë ajo, duke e kthyer pikturën në një hapësirë ku vizatimi dhe shkrimi bashkëjetojnë si dy forma të të njëjtit rrëfim