Në librin “Një amerikane në Kosovë”, Botimet KOHA, 2026, Janet Reineck me aq shumë stil dhe gjuhë të drejtpërdrejtë, ka shpalosur shumë gjëra për të cilat ne kosovarët mbase i kemi hamendësuar, porse nuk i kemi ditur me saktësi. Me sytë dhe mendjen e një amerikaneje, me plot dashuri për njerëzit që e shoqëruan gjatë gjithë qëndrimit këtu, tregon për atë që sheh dhe ndien. Tregon, mes rreshtash, për arsyet që në fund bënë që të kthehej të jetonte këtu
E besoj se shumica prej nesh që ishim mbledhur në sallën e Pallatit e Rinisë dhe Sporteve ku mbahet Panairi i Librit e njohim Janeten shumë para se të bëhej yll televiziv. Mua më rastisi të dëgjoja për një amerikane që kishte ardhur në Kosovë për t’i studiuar traditat e shqiptarëve të Kosovës qysh para thuajse 45 vjetësh – kur Janet Reineck u paraqit në “Ansamblin Shota”, të cilin atëbotë e drejtonte nëna ime, për t’u mishëruar me vallet e rajoneve të ndryshme shqiptare.
Nëna do të më fliste për të, si për një grua të re me aftësi të jashtëzakonshme për t’i mësuar gjuhët që për të ishin të largëta dhe të panjohura si dhe me talentin e rrallë për t’i mësuar vallet, lehtë e bukur dhe me ritëm mahnitës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEdhe pse Janet, pas dy vjetësh qëndrimi në Kosovë do të kthehej në Amerikë, e pastaj sërish do të vinte në Kosovë, nuk do ta takoja deri nga viti 1994 – në kohën kur punët në Kosovë po përkeqësoheshin përherë e më shumë.
Do të vinte si menaxhere e projekteve të organizatës “Oxfam” si dhe të International Rescue Committee me qëllimin e realizimit të projekteve të ujësjellësit dhe kanalizimit nëpër shkollat nga Gjilani e Vitia – për dallim nga puna e saj kërkimore e deritanishme, aty do të merrej me intervenime humanitare, me një përparësi krahasuar me të huajt e tjerë që vinin në Kosovë: Janet komunikonte shqip me fshatarët, ndërkohë që kishte mësuar shumë nga mentaliteti ynë, pra edhe qasjen mund t’ua përshtaste rrethanave në të cilat punonte.
Pa asnjë dyshim, tashmë si eksperte e traditave nga trevat e Opojës dhe Hasit, e kishte më lehtë t’i kuptonte dhe t’i përvetësonte edhe traditat e Anamoravës krahas punës së përditshme që e bënte në terren së bashku me ekipin e saj vendas.
E puna e saj, pos përmirësimit të kushteve sanitare nëpër shkolla, ishte edhe t’i bindte familjet patriarkale se vajzat duheshin shkolluar për të mirën e tyre dhe të shoqërisë kosovare.
Nga fundi i misionit të saj me IRC-në, autoritetet në Beograd do t’ia mohonin vizën e qëndrimit dhe të punës. Për pasojë, Janet do të kthehej në Amerikë, dhe do ta përcillte luftën e Kosovës nga larg – duke bërë përpjekje nga ajo anë e Atlantikut për të ndikuar në favor të një populli në të cilin ishte dashuruar gjatë atyre tetë vjetëve, me ndërprerje, që kishte qëndruar në Kosovë.
Janet do të vinte e shkonte por në mendje do t’i ngulitej një ide: që vitet e pensionimit t’i kalonte në Kosovë, duke bërë atë që di më së miri – që ta vazhdonte kërkimin në terren, por tash në një formë në ndryshe.
Për këtë që do të flas në vijim, nuk është përfshirë në librin në të cilin, me aq shumë stil dhe gjuhë të drejtpërdrejtë, ka shpalosur shumë gjëra për të cilat kosovarët mbase i kemi hamendësuar, porse nuk i kemi ditur me saktësi.
Me sytë dhe mendjen e një amerikaneje, me plot dashuri për njerëzit që e shoqëruan gjatë gjithë qëndrimit këtu, tregon për atë që sheh dhe ndien. Tregon, mes rreshtash, për arsyet që në fund bënë që të kthehej të jetonte këtu.
Para dy vjetësh, Janet erdhi me propozimin për ta bërë një emision në terren – ku pos që do të na i paraqiste vizuelisht ato për të cilat flet në libër, do të na njihte me Kosovën në sytë e saj. Ideja e saj ishte që të shtegtonte viseve të ndryshme të Kosovës dhe tokave të tjera shqiptare e të fliste me “njerëzit e rëndomtë” për veçoritë, telashet e gëzimet – me një fjalë, për jetën jashtë kornizave të paragjykuara.
Janet ia doli të na i pushtonte zemrat – e besoj se të paktë janë ata që nuk do ta kenë parë në ekran dhe të cilët nuk do ta njohin në rrugët e cilitdo vendbanim të Kosovës. E ne, nga ana tjetër, e përvetësuam: prej një kohe tashmë, Janet e ka edhe shtetësinë e Kosovës. Është bërë tamam kosovare. Shtetase e shtetit për të cilin kontribuoi që të krijohej me punën, energjinë dhe kurajën në kohë të komplikuara dhe të rënda.
Sot po e përurojmë ribotimin e librit të cilin e kishte botuar miku i saj, antropologu, Arsim Canolli me shtëpinë botuese “Cuneus” dhe në përkthim të Nazim Halitit.
Është ribotim, për shkak se rrëfimi i Janet Reineck gjithsesi ia vlen të mësohet. Është tashmë pjesë e historisë sonë rrëfyer nga një grua plot energji, kërshëri e dashuri për një popull që tash është bërë i saji.
Fjala e mbajtur në përurimin e veprës, “Një amerikane në Kosovë” të Janet Reineckut, të enjten më 18 qershor, në Panairin e Librit në Prishtinë