Shtojca për Kulturë

Mitrovicë, 9 nëntor 1915: Para mullirit mbi Urën e Ibrit

Mitrovicë, 9 nëntor 1915: Para mullirit mbi Urën e Ibrit

“Para meje qëndron ura e lashtë e drurit. Pranë lumit qëndrojnë plepat e hollë, që turqit i kanë dashur dhe i kanë mbjellë gjithandej ku ata kanë pasur dëshirë. Pas urës dhe çative të ulëta e të rrafshëta, një minare gjysmë e rrënuar e xhamisë e ngre menjëherë kokën e saj. Sipas botëkuptimeve të këtushme, nuk llogaritet se xhamia është edhe aq e shkatërruar…”, shkruante Gerhard Gesemann në vjeshtën e vitit 1915

“Popullata valëzohet përtej urës. Në të majtë nga hyrja gjenden malazezët me dimitë e tyre blu dhe me revolet e futura në brezat e kuq. Ata vijnë prej Peje. Përpara iu dalin qerret e shqiptarëve të tërhequra prej qeve dhe buajve me rrotat e tyre të mëdha që e arrijnë lartësinë deri në dy metra dhe ato janë pa mbështjellëset e metaltë, prandaj kërcitja e rrotave dëgjohet prej së largu. Shqiptarët bartin miell për ushtrinë e cila akoma është duke e mbajtur Rashkën. Qerret ndalojnë, tejkalojnë, dëgjohen të shara. Shqiptarët kanë hasur në kolonën e të zënëve robër… Në të vërtetë në dyja anët e urës nën vranësirat e tymit dhe aromës së rëndë të shkaktuar nga dhjami i djegur gjendet nga një mejhane e improvizuar”, shkruante autori gjerman Gerhard Gesemann

Vjeshta e vitit 1915, autorin e njohur gjerman, sllavistin Gerhard Gesemann (1888 - 1948) e gjeti në Mitrovicë. Në librin e tij “Die Flucht: Aus einem serbischen Tagebuch 1915 und 1916”, München, 1935 ai ka lënë dëshmi unike.

“Qëndroj ulur para një mulliri në Ibër. Kur nuk kërkoj bukë nëpër qytet, ky është vendi im i preferuar dhe ku e kaloj pjesën më të madhe të ditës, së paku deri sa dielli i vjeshtës pa pushuar i derdh rrezet e tij të arta nëpër brigjet e afërta. Prej shiut që ka rënë, lumi është fryrë, uji godet fuqishëm lopatat e rrotës së madhe të mullirit. Kur shikoj në fletën e ditarit tim e kam ndjenjën se jam duke lëvizur prapa, sepse uji rrjedh në të djathtë prej meje duke i dhënë përpara me valët e tij të gjata e të bardha. Shkruaj për ta harruar urinë…

Para meje qëndron ura e lashtë e drurit. Pranë lumit qëndrojnë plepat e hollë, që turqit i kanë dashur dhe i kanë mbjellë gjithandej ku ata kanë pasur dëshirë. Pas urës dhe çative të ulëta e të rrafshëta, një minare gjysmë e rrënuar e xhamisë e ngre menjëherë kokën e saj. Sipas botëkuptimeve të këtushme, nuk llogaritet se xhamia është edhe aq e shkatërruar…

Popullata valëzohet përtej urës. Në të majtë nga hyrja gjenden malazezët me dimitë e tyre blu dhe me revolet e futura në brezat e kuq. Ata vijnë prej Peje. Përpara iu dalin qerret e shqiptarëve të tërhequra prej qeve dhe buajve me rrotat e tyre të mëdha që e arrijnë lartësinë deri në dy metra dhe ato janë pa mbështjellëset e metaltë, prandaj kërcitja e rrotave dëgjohet prej së largu. Shqiptarët bartin miell për ushtrinë e cila akoma është duke e mbajtur Rashkën. Qerret ndalojnë, tejkalojnë, dëgjohen të shara. Shqiptarët kanë hasur në kolonën e të zënëve robër… Në të vërtetë në dyja anët e urës nën vranësirat e tymit dhe aromës së rëndë të shkaktuar nga dhjami i djegur gjendet nga një mejhane e improvizuar, pra janë dy zjarre ku digjet qymyri: në anën e majtë është një rom ndërsa në të djathtën një grua e kërrusur dhe ata pjekin zorrë dhe veshkë!

‘Mbrëmë Qeveria e Rusisë i ka shpallur luftë bullgarëve. Anijet luftarake ruse janë duke e bombarduar Varnën. Trupat ruse nga prapavija nëpërmes Rumanisë janë duke i sulmuar bullgarët – dhe kështu përnjëherë gjithçka fillon të ndihet mirë dhe të gjithë këta optimistë menjëherë marrin vesh se Sofja do të bjerë për 14 ditë. Dhe përnjëherë ‘rrjedh’ informacioni dhe nuk dihet se prej nga por edhe prej kujt rrodhi – se Shkupi tashmë ka rënë (në duart e bullgarëve) dhe pas këtij lajmi prapa parmakëve shqiptarët buzëqeshin me ironi! Atëherë dëgjohet se të shtënat e topave ushtojnë nga jugu. Akoma pa arritur nga konaku te ura, dëgjohen pëshpërimat: Manastiri ka rënë. Unë jam i bindur se Manastiri nuk do të bjerë as për katër javë, mirëpo tellalli mund t’ua shurdhojë veshët kalimtarëve:

‘Divizionet franceze dhe angleze i kanë mposhtur bullgarët te Babuna’ – asgjë nuk ndihmon. Çfarë Babune! Ata kanë dashur të kalojnë prej Mitrovice për në Tetovë, për të vazhduar nëpër Manastir për të kaluar në Greqi, ndërsa Manastiri tashmë ka rënë. Vetëm një orë më vonë të njëjtit njerëz buzëqeshin të entuziazmuar, secili prej tyre flet prej një lartësie që kuptohet. Vetvetiu ‘për të na shkëputur nga Greqia duhet ta marrin Tetovën, ndërsa Tetova do të mbrohet’. Në fjalët ‘do të mbrohet’ fshihet njëfarë ngushëllimi i çuditshëm. Prandaj shtrohet pyetja athua pse nuk u mbrojt asgjë që nga Beogradi deri në Rashkë”, shkruan Gerhard Gesemann, i cili pas martesës me një grua serbe, fillimi i luftës e gjeti në Beograd e në largim drejt Shqipërisë ai i kaloi disa ditë në Mitrovicë. Përjetimet e tij vazhdojnë.

Gerhard Gesemann (1888 – 1948)

Në berberhanen e shqiptarit

“Ndodhem në një berberhane të një shqiptari dhe e dëgjoj bisedën e myshterinjve të tij: të gjithë janë refugjatë dhe iu përkasin njerëzve të kamur. Por, një i porsarritur e ndërpreu debatin historiko – politik dhe tha: ‘A e dini se sa divizione franceze kanë zbarkuar në Selanik? As dy të plota!’ Një njeri që po rruhej e ktheu fytyrën e shkumuar dhe shtoi: ‘E tëra kjo është një komedi! A e di ti sesi i pritëm ne aleatët në Nish? Jo! Sepse ti ia mbathe? Një ditë paralajmërohej ardhja e tyre dhe në mbrëmjen e po asaj dite thuhej e kundërta. Bile një ditë na u urdhërua që t’i zbukuronim shtëpitë me lule, e rrugët me flamuj të aleatëve! U tha ‘aleatët do të vijnë sonte në ora gjashtë!’ Por në ora gjashtë në mbrëmje, në rrugë u paraqitën tellallët dhe në çdo udhëkryq të qytetit e bënë të ditur se ‘për shkak të frikës nga moti i lig, aleatët nuk patën mundësi të vinin’. Dhe së shpejti në vend të aleatëve erdhën bullgarët. Flamujt dhe lulet që ishin bërë gati për aleatët, bullgarët i kuptuan si shprehje të simpative që popullsia e çliruar i manifestoi për ta!’

Shqiptari më dha shenjë të ulesha. Ai do të ma rruajë kokën me kujdesin më të madh”, shkruan ai dhe vijon.

Zemërgjerësia e plakës mitrovicase

“Përjetova diçka të mrekullueshme. Qëndroja i uritur pranë mullirit, ku merrja aromë të miellit dhe e testoja dëshpërimin tim. Një dash i ri kruhej për murin e ngrohtë. Ai përpiqet të luajë me mua dhe dëshiron që unë ta kruaja në mes brinjëve ashtu siç bëjnë mullinxhinjtë e rinj me të… Një djalosh që punon në mulli më përshëndeti. Ka kohë që më njeh pasi unë qëndroj tërë ditën këtu. Është boshnjak, ashtu më rrëfen vëllai më i ri i pronarit të mullirit të cilin e thërrasin ‘beg’. Edhe unë e njoh atë. Është një fisnik i veshur me rroba të zeza që shpeshherë shëtit me atin e tij të bardhë, por ky është më i paqasshëm se vëllai më i ri. Ky i riu edhe pse nuk e kupton asnjë fjalë turke më thotë se janë turq, ndërsa me mua flet me një boshnjako-serbishte të pastër. E pyes ‘Si është e mundur që të keni kaq shumë për të bluar në këtë kohë të urisë së madhe dhe gurët e mullirit nuk ju pushojnë gjithë ditën?’.

‘Bluajmë vetëm për shtetin. Nuk guxojmë të pranojmë kurrfarë drithi tjetër për të bluar, më pastaj të shesim apo të ndajmë miell. Prandaj edhe kemi kontrolle të vazhdueshme dhe këtu në çdo çast vjen një efendi për të na kontrolluar. Bile ai dje më pyeti për ty. I thashë se ‘ju rreziteni këtu dhe kurrë nuk më keni kërkuar miell’.

Në rrugë e takova një plakë e cila i kishte dy bukë, një të plotë dhe një të ngrënë pak. ‘Do të ma shisni një copë bukë’, e luta. Ajo ma ndau një copë, por kur unë desha t’ia paguaja refuzoi t’i merrte paratë.

‘Gjysmën e kësaj buke ua kam dhënë ushtarëve të uritur. Është gjynah të marrësh para prej njerëzve të uritur. Por nuk mund t’iu jap më shumë se kaq, kam fëmijë në shtëpi’ – më tha plaka. Ia afrova një copë djathë. ‘Kemi djathë’ – tha ajo dhe hyri në oborrin e saj”, përshkruan autori gjerman.

12 nëntor 1915: Shqiptari mikpritës dhe plaka mosmirënjohëse nga Nishi

Në vazhdim Gerhard Gesemann e ka përshkruar strehimin e një familjeje serbe nga Nishi në shtëpinë e një shqiptari mitrovicas. Përshkrimet e detajuara që i bën Gesemann dëshmojnë për të satën herë me radhë për mosnjohjen ndërfqinjësore, sidomos të mosnjohjes së kulturës dhe zakoneve shqiptare nga ana e fqinjëve serbë.

 “Që të siguroja miell misri i hallakata të gjithë mullinjtë që ndodhen në veri të qytetit në Ibër. Akoma bluhet gjithandej, dhe aroma e misrit shpërndahet në të gjitha anët, kështu njeriut i shtrëngohet barku prej dhembjeve dhe truri i turbullohet. Tashmë dihet se të gjithë mullinjtë bluajnë për shtetin. Dëshmi për këtë janë rojet pranë tyre. Por tani barku nuk dhemb prej urie por prej së qeshuri! Kur hyra në shtëpinë në dy dhomat e së cilës deri kohë më parë jetonte i zoti i shtëpisë me katër anëtarë të familjes së tij, qysh para avllisë dëgjova piskamat e grave, mërmërimat e burrave dhe të qarat e fëmijëve. Shtëpia ishte përplot me njerëz dhe bagazhe. Një familje e posaarritur ishte ‘shpërndarë’ nëpër shtëpi: i ati, e ëma, dy djem, tri vajza, dy dhëndurë dhe disa miq e bashkëfamiljarë. Ata qëndronin të mbështetur apo ulur deri te shkallët e gurit.

Duhet të ketë ndodhur ndonjë e keqe e madhe, sepse e ëma që qëndron në mes, është aq shishmane saqë është ulur në të dyja karriget e vetme që i kemi – ajo vuan nga shtrëngimet në zemër, e ka astmën, e ka shtypjen e lartë por është edhe e unët. Zonja nënë shan ashtu saqë unë qysh kur jam nisur në rrugë nuk kam dëgjuar diçka të tillë! Ajo i shan të gjithë farefisin me një dallim të pabesueshëm, i shan të gjitha mjetet e amvisërisë në kuptimin eufemist (p.sh. hellin e Zotit) në këtë sharje ajo i ndërthur fantazitë kozmike (diellin e kallajisur dhe hënën e rruar) shpeshherë flet në dhjetërrokëshe si lahutë.

‘Mjerë për mua, për qorren e marrë! E lashë shtëpinë time, pallatin tim, dy shtëpi në Nishin tim të artë, bile njëra prej tyre ndodhet atje në qoshe. Që të dy shtëpitë ishin plot miell e lakra. Oh mjerë për mua fatzezën! I kam lënë shtëpitë e mia të arta dhe shporetin tim me katër pllaka. Ah, i dëgjova ata që ishin më budallenj se unë! Ty të dëgjova bija ime e qofsh e mallkuar. Dhashtë Zoti e u verbofsh! Pse më nxite ta braktisi shtëpinë time, Nishin tim të artë, ta braktisi kuzhinën time me shporetin me katër pllaka… të vraftë Shën Mëria! Ja më solle midis turqve e shqiptarëve! Sikur të mos ia mbathnim, ata do të na vrisnin, do të na dhunonin! Dhe çfarë ngjau tani? Kjo edhe ashtu ka ndodhur! Ne tani qëndrojmë në dhomën e madhe të cilën na i kanë dhënë shqiptarët. Kuptohet vetëm ne gratë dhe fëmijët; e burrat tanë… A thua a janë njerëz këta? A jeni ju njerëz? Ju nuk jeni kurrfarë njerëzish. Pra, ne gratë qëndrojmë në dhomën e madhe, burrat tanë në një dhomë tjetër diku në bodrum, sepse burrat tanë nuk guxojnë të hynë në dhomën ku janë gratë. Por ata, ata shqiptarët, këta qen, këta blasfemues, ata mund të hyjnë në çfarëdo kohe në dhomën tonë ndërsa dera është pa bravë dhe ata mund të vijnë te ne veçmas derisa ne vishemi e ndërrohemi, pa trokitur në derë, sa herë që ata kanë dëshirë dhe atëherë mund të shohin shumëçka. Shqiptarët ulen këmbëkryq mu në midis të dhomës, në brekë, oh Zot o Zot, në brekë! Dhe ata mendojnë, ja ato krishteret menjëherë do t’i ngritin fustanet! Edhe ai shqiptari plak, i ka gjashtëdhjetë vjet, dhe ia zgurdullon sytë e kriposur si peshku i Ohrit, bijës sime, kësaj këtu që i ka tetëmbëdhjetë vjet, mu në kohën më të mirë! Ndërsa në Nish sikur të mos vinin gjermanët bijën time kam munduar ta jap për profesor … ah Nishi im i artë, qofshi të mallkuar o gjermanë, që i mbani helmetat si të zjarrfikësve…”.

Pas këtyre fyerjeve e mallkimeve dhe mosmirënjohjes ndaj shqiptarit mitrovicas, i cili i kishte ofruar strehim familjes serbe nga Nishi, Gerhard Gesemann më në fund ka sqaruar se “ishte i mendimit që zonja nënë i bëri padrejtësi shqiptarit. Së pari shqiptarët nuk janë blasfemues apo politeistë. Së dyti nikoqiri që mysafirëve të tij deshi t’u bëjë nder nuk ishte vetëm në brekë por mbante tirq pambuku. Dhe unë pyes athua, plaku duhej të qëndronte në shtëpi në pantallona të trasha zhguni… Dhe më pastaj atë bijën e dashur nga Nishi i artë, shqiptari nuk deshi ta grabisë, ta çojë lart në grykat e maleve dhe pastaj duke bërtitur ta çnderojë. Shqiptari deshi që të ishte vetëm i njerëzishëm, i sjellshëm. Zonja mëmë duhet ta dijë se ajo mund të mbështetet te shqiptarët në çastin kur i huaji e ka kaluar pragun e shtëpisë së tyre”, ka përfunduar Gerhard Gesemann.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë