Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Mitrovica në itinerarin e “Snarky Puppy” për një drejtim të ri të jazzit

“Snarky Puppy” do të mbajë koncert në Mitrovicë më 16 shtator

“Snarky Puppy” do të mbajë koncert në Mitrovicë më 16 shtator

Fitues i shumëfishtë i më të madhit çmim në muzikë sikurse “Grammy” është vetëm një dëshmi e nivelit të grupit amerikan “Snarky Puppy” e në “biografinë” e tij tashmë futet edhe Mitrovica. Shtatori do ta sjellë në “Mitrovica International Jazz Days”, data tashmë është konfirmuar. “Edicioni i sivjetmë i ‘Mitrovica International Jazz Days’ do t’u kushtohet muzikantëve të rinj që kanë ndryshuar perceptimin e muzikës jazz, siç është edhe rasti i ’Snarky Puppy’. Përmes këtij programi synojmë të prezantojmë artistë që po e çojnë këtë zhanër në drejtime të reja dhe po e afrojnë atë me audienca të reja”, ka thënë drejtoresha e festivalit, Rona Nishliu

Në hartën muzikore botërore – ku ritmet e qyteteve të mëdha pulsojnë me energjinë e skenave prestigjioze –  këtë vit është edhe Mitrovica. Në kuadër të festivalit “Mitrovica International Jazz Days”, për herë të parë në Kosovë do të performojë grupi i famshëm amerikan “Snarky Puppy”. Data: 16 shtator. Bendi që në botën e jazzit tingëllon si frymë e fuqishme krijimtarie, e sjell rrëfimin edhe në Kosovë nëpërmjet zhanrit improvizues muzikor.

“Mitrovica International Jazz Days” kishte goditur që në nisje, duke sjellë legjendën e muzikës, Richard Bona, në gushtin e vitit 2023. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për tri edicione rresht ka sjellë jehonën e këngës e muzikës jazz në qytetin verior të Kosovës. E në të katërtin nuk synon të sjellë thjesht një koncert që pritet të jetë i paharrueshëm për ata që pëlqejnë jazzin, por edhe një moment që shton kapitull të ri të historisë së këtij zhanri në vend. 

Për organizatorët e Festivalit, ky është një hap i rëndësishëm që e vendos Mitrovicën në një itinerar të veçantë kulturor të Evropës.

“Sjellja e ‘Snarky Puppy’ në ‘Mitrovica International Jazz Days’ është një moment shumë i rëndësishëm për skenën kulturore në Kosovë. Duke qenë pjesë e turneut të tyre evropian, Mitrovica automatikisht rreshtohet në listën e qyteteve dhe metropoleve evropiane ku grupi performon këtë vit. Ajo që e bën edhe më të veçantë është fakti se ky është lokacioni i vetëm në Ballkanin Perëndimor në këtë turne. Kjo tregon se festivali ynë po fiton besim dhe vëmendje ndërkombëtare, si dhe është rezultat i një pune dhe përpjekjeje të gjatë për ta sjellë një grup të këtij niveli në Mitrovicë”, ka thënë drejtoresha e festivalit, Rona Nishliu. 

“Snarky Puppy” vjen në Kosovë në kuadër të turneut botëror përgjatë këtij viti që nisi më 13 mars me koncert në Miami. Bendi jazz-fusion i udhëhequr nga basisti Michael League do të vazhdojë turneun në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e më pas do të zhvendoset për të prezantuar veprat në Tokyo e Osaka të Japonisë. Në Evropë do të mbajë koncerte në Itali, Norvegji, Spanjë, Holandë, Gjermani, Austri, Francë, Belgjikë, Zvicër, Danimarkë, Finlandë, Estoni, Çeki dhe jo vetëm. 

Në Mitrovicë vjen më 16 shtator e dy ditë më pas turneun vazhdojnë në Stamboll ndërsa më 19 shtator do të interpretojë në Athinë. Turneu vazhdon më tej në shtetet tjera të Amerikës dhe përmbyllet më 22 tetor. 

Në epokën kur  jazzi perceptohet si gjuhë e rafinuar e skenave elitare, ardhja e bendit të vlerësuar me pesë çmime “Grammy” zgjon interesimin e publikut që veçse ka nisur të ndihet si valë, mbase që shtrihet edhe përtej kufijve të Kosovës. Athina dhe Mitrovica janë destinacionet e vetme në Ballkan ku ndalet bendi i shquar. E interesimi për ta ndjekur koncertin, nuk ndalet vetëm nga audienca në Kosovë. 

“Interesimi për koncertin e ‘Snarky Puppy’ në kuadër të ‘Mitrovica International Jazz Days’ tanimë ka filluar. Interesimi vjen kryesisht nga audienca në Maqedoni por dhe nga Shqipëria. Kjo tregon se ngjarja po perceptohet si një moment i rëndësishëm muzikor për publikun e jazzit dhe jo vetëm”, ka thënë Nishliu. 

Ky interesim i hershëm e bën edhe më simbolike hapësirën ku pritet të zhvillohet koncerti. Në zemër të qytetit, pritet të takohet gjelbërimi dhe qytetarët me muzikën në skenë të hapur.

“Duke pasur parasysh interesimin e madh dhe mungesën e hapësirave të mëdha koncertale në qytet, mendojmë se Parku i Qytetit është një hapësirë e denjë për një numër të kënaqshëm të publikut”, ka thënë Nishliu. 

Në edicionin e parë të festivalit, dy prej anëtarëve të këtij bendi – Bill Laurance dhe Michael League, që udhëheq bendin “Snarky Puppy” –  ishin në Mitrovicë në një koncert ku pos tyre kishin interpretuar edhe dy grupe të tjera muzikore.  Dy kompozitorët, producentët dhe poli-instrumentistët nëpërmjet muzikës kishin rrugëtuar publikun në vende imagjinare me përplot bukuri e paqe.

Bill Laurance që kishte luajtur në piano, pati thënë se paqja ka qenë synimi kryesor i të bërit muzikë në Mitrovicë.

“Është shumë privilegj për ne të luajmë këtu në këtë edicion të parë, të jemi përkrahës të Festivalit. Kam dëgjuar për ngjarjet e fundit këtu dhe e gjeta veten, duke luajtur më ndryshe për shkak të kësaj. U inspirova për të përçuar një lloj paqeje. Kam pasur ndjesinë e një koncerti të fuqishëm dhe të rëndësishëm. Ne luajmë gjithkund, por ky koncert ishte shumë i veçantë”, pati thënë ai. 

Muzika kishte qenë krejtësisht nga albumi i tyre “Where you wish you were”. Kishin interpretuar edhe “Anthem for a tiny nation”, “Sant Esteve”, “Ngoni baby”, “Duo”, “Meeting of the mind”, “Tricks”, “Bricks” e “Round House”. 

Amerikani Michael League, që pati luajtur në kitarë, e kishte konsideruar të veçantë komcertin në Mitrovicë. 

“Si muzikantë udhëtojmë nëpër botë, luajmë në shumë koncerte dhe çdo mbrëmje është e ndryshme, çdoherë ndryshon audienca. Por ka qenë një ndjenjë e veçantë sonte, besoj për shkak se Festivali është një gjë e re dhe se është një gjë që Rona e ka bërë me dashuri. Mund ta ndieja nga skena mirënjohjen e secilit”, kishe thënë ai. 

Ky koncert, siç ka bërë me dije Nishliu, ka qenë një lloj reference e futjes së Mitrovicës si një nga destinacionet e turnout të bendit. 

“Pas koncertit kemi biseduar dhe në momentin e parë që është organizuar turneu evropian, ky në gusht/shtator 2026, kanë përfshirë dhe Mitrovicën”, ka thënë ajo në një përgjigje për KOHËN. 

Por festivali këtë vit nuk është vetëm një festë e një grupi të madh. Ai është një homazh për një brez të ri muzikantësh. Në shtator të këtij viti organizohet edicioni i katërt i festivalit.

“Edicioni i sivjetmë i ‘Mitrovica International Jazz Days’ do t’u kushtohet muzikantëve të rinj që kanë ndryshuar perceptimin e muzikës jazz, siç është edhe rasti i ’Snarky Puppy’. Përmes këtij programi synojmë të prezantojmë artistë që po e çojnë këtë zhanër në drejtime të reja dhe po e afrojnë atë me audienca të reja”, ka thënë Nishliu. 

Ka paralajmëruar për program të pasur artistik.

“Festivali këtë vit do të zhvillohet përgjatë tri netëve me një program të pasur artistik. Nata e tretë do të jetë një befasi dhe një dhuratë e veçantë nga ne për publikun mitrovicas. Fatkeqësisht, në këtë moment nuk mund të ndajmë më shumë detaje, por shumë shpejt do të zbulojmë më tepër rreth saj”, ka thënë ajo. 

Në Mitrovicë, “Snarky Puppy” pritet ta bëjë publikun pjesë të një rrugëtimi muzikor që kalon nga improvizimi tek emocioni.