Identiteti nacional është aksidental. Kështu kemi qëlluar, s’e kemi kërkuar. Sa më i kulturuar njeriu, aq më pak kombëtar bëhet e aq më shumë i shërben kombit. Por, i shërben atij kombi që shton kolorit në një mozaik, jo atij tjetrit që e shkatërron atë mozaik
I dashur mik i munguar,
po të drejtohem si dikujt që mungon sot e mund (dhe duhet) të shfaqet nesër. Jemi fqinj më shumë se trembëdhjetë shekuj, por s’kemi qenë miq as një shekull, as një vit, asnjë ditë. Ato çaste paqeje që kemi pasur mes nesh, kanë qenë si ato pushimet në ndeshje boksi, sa për t’u mbushur frymë e për t’i fashuar plagët, për t’ia nisur prapë rrahjes. Madje, edhe ajo periudha e “vllaznim-bashkimit”, larg për të qenë vëllazëri, s’mund të quhej as miqësi. S’mund ta kesh as vëlla, as shok dikë që të konsideron si më të ulët se veten. E, në Jugosllavi, të tillë konsideroheshim ne, “qytetarët e dorës së dytë”.
Nuk dua të hyj në atë se kush është më i vjetër e kush më i ri, sepse nuk ka pikë rëndësie. Kokat tona duhet t’i përshtaten kohës sonë, jo kohës së dyndjeve të kahershme. Si kudo tjetër në botë, popujt kanë lëvizur gjatë historisë. Dikush ka ardhë më herët, dikush tjetër më vonë. Kur një popull e quajmë autokton, thjesht s’e mbajmë mend kur dhe kah ka ardhur. Kështu, në Ballkan, ne mund të jemi pak më autoktonë se ju, por kjo s’na ka bërë të besojmë që jemi superiorë ndaj jush. Ka diell për të gjithë mbi këtë dhe.
Në lagjen time në Prishtinë, në ndërtesën ku banoj, më duket se jam më i riu, pra jam “serbi” i lagjes. Të gjithë të tjerët i kam gjetur aty. Ndryshe nga popujt, ne individët ose familjet, nuk zëmë terrene, por i blejmë. Kështu, secili ka shtëpinë e vet dhe nuk ua prishim muret njëri-tjetrit për t’i shtyrë kufijtë. Edhe pse jam më i riu, askush s’më përzihet. Me fqinjët merremi vesh për “politikat” banesore (instalime të ngrohjes, pagesa të pastrimit të kompleksit banesor, dhe ndonjë punë të përbashkët në lidhje me ndërtesën, ose oborrin e saj), kurse për “politikat e brendshme” s’i japim llogari njëri-tjetrit. Askush nuk del në mëngjes në ballkon të rrahë gjoks vetëm pse e ka blerë banesën para meje. Pra, kjo ideja “unë jam i pari’ është aq e vjetëruar, saqë në ditët e sotme është turp të përmendet edhe në lidhjet bashkëshortore.
Fqinjët mund të mbajnë dy lloje relacionesh: neutrale dhe miqësore. Neutrale mbahen kur s’njihen, miqësore kur njihen. Relacioni armiqësor është i rrezikshëm në nivelin fqinjësor, sepse është relacion me ambicie invaduese, territoriale, spastruese, pra kriminale. Kështu, logjika e do që ne, shqiptarët dhe serbët, nga ai relacion kriminal të kalojmë në relacion neutral, që pastaj të kalojmë në relacion miqësor. Relacioni kriminal ka shkuar aq larg, saqë në vend se të provojmë të pajtohemi si fqinj që jemi, ne vishemi, mbathemi, mbyllim dyert shpinë për shpinë, dalim nëpër të njëjtin korridor, nga e njëjta ndërtesë, dhe i hipim avionit e shkojmë në Bruksel për të diskutuar me njëri-tjetrin. Ja sa absurde është fqinjësia jonë! Ja sa absurdë jemi ne! Ja sa budallenj jemi ne!
E kuptoj që politikanët, për arsye të ndryshme dhe të kuptueshme, krejt çka mund të arrijnë është fqinjësia neutrale, që ata e quajnë “normalizim të raporteve reciproke”. Pushteti i politikanit shtrihet brenda shtetit të vet, kurse njerëzit e liruar nga ambicia e pushtetit, duan të lëvizin në çdo shtet. Prandaj, nëse politikanët krejt çka mund të bëjnë është ta kthejnë fqinjësinë nga relacioni armiqësor në relacion neutral, ne të tjerët duhet dhe mund ta kthejmë në relacion miqësor, sepse ne e dimë që politika na ka ndarë dhe që politika s’mund të na ndalë. Derisa ende, as ne dhe as ju, nuk kemi shpresë që në krye të shtetit tuaj të vijë një Willy Brandt që të bie në gjunjë para viktimave në Prekaz, Mejë, apo kudo tjetër ku janë kryer masakra ndaj shqiptarëve, mendoj se nuk duhet të lëmë gur pa lëvizur për një të ardhme miqësore mes nesh. Por, së pari t’i lëshojmë nga duart gurët me të cilët marrim në shenjë kokat e njëri-tjetrit. Le të bëjmë urë me ata gurë!
Më sipër thashë: jemi fqinj më shumë se trembëdhjetë shekuj. As këtu s’pajtohemi. Ne themi: kur erdhët ju, na gjetët ne. Ju thoni: kur erdhëm ne, ju s’ishit këtu, ose s’ishit veçse barinj. Pastaj ne mbështetemi në antikitet, e ju thoni se ne dhe ata s’kemi kurrfarë lidhjeje. Ju thoni për ne, njësoj siç themi ne për grekët modernë, që ua mohojmë lidhjen me grekët e lashtë.
Me një fjalë, kur njeriu dëshiron të grindet, gjen arsye sa të dojë. Mjerisht, as njëri, as tjetri, s’kemi hedhur kurrë hapin drejt pajtimit. (Madje, ne shqiptarët, mezi arritëm për njëfarë kohe të pajtohemi mes vete). Duhet ta kuptojmë se ato ishin të tjera kohë, funksiononte vetëm ligji i forcës. Kur ne ishim të fortë, i shtrinim këmbët deri në Nish. Kur ju ishit më të fortë, zbytheshim deri në Mat. Ju kishit një ‘zhupan’ mizor, Stefan Nemanjën, që s’la gjë pa bërë mbi shqiptarët, të cilëve ua nxirrte sytë për së gjalli dhe ua prente hundën. Pastaj, ne kishim një vezir po aq katil, Koxha Sinan Pashën, që, për hakmarrje, ju torturoi kudo që ju zuri nëpër Kosovë, dhe erdhi në vendin tuaj e jua dogji eshtrat e shenjtorit tuaj, Shën Savës, që ishte bir i Stefan Nemanjës. Në fakt, krejt historia jonë nëpër shekuj ka qenë si një lloj kolovajze, ku herë ngrihej Stefani, dhe kuku për ne, herë ngrihej Sinani, e kuku për ju.
Kjo histori kolovajze mund të përsëritet deri në pafundësi, po përsëritet edhe në Bruksel, ku duke qenë të gjithë politikanë, e kuptojnë zgjidhjen e problemit vetëm nga prizmi politik, dhe politikën e shohin vetëm nga këndvështrimi ekonomik. Ata sikur s’e kuptojnë se konflikti mes nesh s’ka të bëjë me ekonomi, por me krenari (superioritet). Ju jeni në gjendje të na bleni të gjithëve nga një banesë në çfarëdo shteti tjetër, me kusht që ta lëshojmë Kosovën. Ne, po të kishim mundësi, do të bënim të njëjtën gjë me ju, duke ju larguar në ndonjë kontinent tjetër. Nuk dallojmë fare. Dhe ekonomia s’hyn fare këtu. Ata që mendojnë ndryshe, egon tonë nuk e njohin fare, një ego kjo që ‘ka me na qitë fare’.
Në sytë e të huajve, herë jeni ju më të mirë, herë ne. Por mes nesh, ne e dimë se s’jemi më të mirë sesa ju, as ju më të mirë sesa ne. Dallojmë vetëm te mundësitë që kemi për ta lënduar njëri-tjetrin. Herën e fundit, ju na keni lënduar më shumë. Tash është radha jonë. Pikërisht për këtë, letrën po e shkruaj unë, nga radha e të lënduarve, për t’jua zgjatur dorën. Qysh në antikitet, zgjatja e dorës kishte kuptimin e pajtimit. Kur njeriu i parë me armë ia zgjati dorën tjetrit, kështu e garantoi që s’do ta vriste.
Ne po armatosemi, po blejmë dronë nga ish-pushtuesi tjetër. Më vjen turp për vendin tim që mburret me blerjen e armëve nga Turqia, e cila, de jure, e njeh shtetin tonë, por, de facto, e konsideron si vend nën protektorat të saj, sepse e ka sunduar mizorisht pesë shekuj dhe tani po e mashtron duke e sunduar “vëllazërisht”. Pra, po përpiqet të krijojë njëfarë mashe, apo Sinan Pashe të ri, për t’ju goditur juve e për të shkuar më përtej.

Raporti ynë me turqit ka qenë si raporti me ju: armiqësor. A mund të kthehet tash në miqësi? Patjetër që po, si me ju. Juve duke ju treguar që ne kurrë s’do të nisim konflikte me fqinjtë, kurse Turqisë duke ia bërë të qartë se s’kemi asnjë dëshirë dhe interes ta mbajmë për vëlla të madh. Nëse na duhet një vëlla i madh, kemi Amerikën, e cila na ka çliruar dhe i detyrohemi për mbijetesën tonë si popull dhe për realizimin e shtetit të Kosovës, këtij shteti që mund të konsiderohet si i vetmi shtet amerikan në Evropë.
Aktualisht, raporti mes nesh dhe jush është i tipit “kush është më i forti”. Ju provoni të hyni ilegalisht, ne ju arrestojmë. Për përforcime e keni Rusinë, për mbrojtje e kemi Amerikën. Nuk do të na mposhtni kurrë, nuk do të mund t’ju mposhtim kurrë, sepse jemi vetëm dy fëmijë grindavecë, grindjes së herëpashershme të të cilëve u japin fund dy të rriturit e superfuqishëm, duke na i ngrehur veshët.
Përderisa nuk jam politikan, flas në emrin tim e nga përvoja ime. Unë kam qenë në shumë shtete të Evropës, por kurrë s’kam qenë në Serbi. Fëmijëria ime ka qenë traumatike pikërisht për shkak të regjimit monstruoz serb. Nuk dua ta personalizoj letrën, sepse përvojë traumatike në atë regjim dhe për shkak të atij regjimi, kush më shumë e kush më pak, kanë pasur të gjithë shqiptarët e Kosovës, por dua të them se kam një mijë arsye për t’i urryer serbët, dhe vetëm një për t’i dashur. Dhe kam vendosur të kapem për këtë arsyen e vetme. Cila është ajo? E ardhmja. S’kemi të ardhme pa u miqësuar.
Një poet yni ka thënë se “n’mni t’sho-shoqit kemi le”. Kjo mni (mëni, mëri, inat) është origjina e armiqësisë sonë. Tashmë e dimë që urrejtja për njëri-tjetrin ka origjinën, historinë dhe bilancin e vet. Le t’i lëmë dy të parat, ta shohim vetëm të tretin: bilancin! Ai është përplot shtypje, rrahje, vrasje, luftëra, përdhunime, masakra, vaje dhe trauma. Shtetet tona po shahen e po armatosen, s’ka rëndësi se kush po i mpreh dhëmbët e kush po bëhet gati t’ia thyejë. Shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, intelektualët dhe gazetarët duhet të ngrihen në këmbë, se marrëzinë e pushtetarëve gjithmonë e paguajnë qytetarët e thjeshtë, mjerisht.
Deri më 1999 kemi qenë të pushtuar nga amoku, kemi urryer njëri-tjetrin për vdekje; ju na urrenit, sepse ishit viktimë e një propagande të gjatë historike, ndërsa ne ju urrenim, sepse ishim viktimë e një politike tiranike. Ju mund të vazhdoni ta konsideroni Kosovën djep tuajin, ne do ta mbrojmë si djep tonin, por djepi është për foshnje. Duke përdorur figura si “Jerusalem” e “djep”, ne vetëm grindemi. Është koha t’i tregojmë botës se jemi rritur. Ne nuk guxojnë ta shohim vetëm të djeshmen dhe të sotmen. E kaluara dhe e tashmja jonë janë të mbushura me sherre dhe sharje, me dajak dhe gjak. I kam dëgjuar shpesh serbët (edhe disa që quhen shkrimtarë) të thonë se Kosova është e shenjtë për ta, se është Jerusalemi i Serbisë. Por, e vërteta është se Kosova s’është as e shenjtë, as Jerusalem, as e Serbisë.
E kuptoj që shteti ynë i cili prej disa shekujsh mban emrin në gjuhën tuaj, krijon një ndjenjë të përzier si tek ju, ashtu edhe tek ne. Kudo. Por ky është problemi më i vogël dhe më i lehtë për t’u zgjidhur, sidomos kur e dimë si quhej para se të vinin fiset sllave. Probleme serioze janë ndërveprimi normal dhe vlerësimi ndaj njëri-tjetrit. Ju jeni serbë, ne jemi shqiptarë, por të dy palët jemi njerëz, ose, së paku, të tillë duam të jemi tash e tutje.
Unë kam shkruar një roman që do të duhej të lexohej së pari nga ju. Ai roman është “Guernica” ime. Atë dhimbje unë e kam shkruar, por ju e keni shkaktuar. Edhe pse jemi fqinj, rruga e romanit tim për në Serbi është më e largëta. Fillimisht, pasi u botua në shqip, askush në Serbi s’pranoi ta përkthente, se kishin frikë se, më e pakta që mund t’u ndodhte, ishte të përjashtoheshin nga puna. Pasi u gjet përkthyesi, që jeton në Kosovë, nisën përpjekjet për të gjetur botues në Serbi. Nuk u gjet asnjë botues. Madje një botues nga një vend tjetër fqinj na tha se jemi të çmendur që kemi besuar se ky roman do të lejohej të botohej në Serbi. Urrejtje ndaj popullit serb s’kam ndjerë kurrë, por nisa të ndiej keqardhje. Më dhimbseshit që tash, kur ne po e shijojmë më se çerek shekulli lirinë, ju jetoni ende në një regjim të tillë, që mbijeton falë propagandës, duke u kujdesur me çdo kusht që e vërteta mos të arrijë te qytetarët e tij.
Serbia ka kryer gjenocid (edhe) tek ne. Para disa shekujsh, edhe shqiptarët (muslimanë) kanë bërë krime mbi serbët e Kosovës, përfshirë spastrimin etnik. Në luftën e fundit, si në çdo luftë, janë bërë krime në të dy anët, por krimet e bëra ndaj nesh, janë pakrahasimisht më të mëdha. Ju mburreni se e luftuat pushtuesin osman, kur në Betejën e përbashkët të Fushë Kosovës, të vitit 1389, bashkë me ne (të udhëhequr prej jush) luftuat kundër Perandorisë Osmane, por harroni, ose bëni sikur harroni, betejën tjetër, rreth gjashtëdhjetë vjet më vonë, kur Huniadi, po në Fushë Kosovë, e humbi betejën kundër osmanëve, pasi Brankoviqi juaj e pengoi Skenderbeun tonë t’i vinte në ndihmë. Gjithsesi, shqiptarët rezistuan një çerek shekulli nën udhëheqjen e Skenderbeut, mirëpo pas tij, u dorëzuan, u nënshtruan dhe u konvertuan.
Si qenie humane, jo fetare, as nacionale, imagjinoj ndonjëherë: po sikur pykat osmane (turke), çfarë janë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut (gjysma shqiptare) dhe Bosnja përballë Evropës, të ktheheshin në fenë paraprake? Kështu, Evropa do të ishte krejtësisht e krishterë, ndërsa faktor destabilizues për kontinentin do të ishte zona ortodokse, ose krishterimi lindor. Pra, dalin muslimanët nga loja, dhe lufta mbetet brenda krishterimit (katolicizmi versus ortodoksizmi), ku kryefaktori destabilizues i Evropës do të mbetej Serbia, si mashë e superfuqisë ruse. Domethënë, i bie që sikur shqiptarët të ktheheshin në të krishterë, Evropa do të ishte më integruese ndaj tyre, dhe zona të rrezikut potencial do të mbeteshin shtetet ortodokse. Natyrisht, këtë vetëm mund ta ëndërrojmë, sepse Kosova, e cila zyrtarisht ka 91 për qind shqiptarë, tashmë po zyrtarisht i ka 93 për qind muslimanë, dhe, aktualisht, mund të quhet jo vetëm republika më muslimane e kontinentit evropian, po edhe njëfarë Vatikani islamik i Evropës.
Edhe pse intelektualët evropianë mendojnë se Evropa duhet të jetë laike, realiteti politik tregon për një vendosmëri për ruajtjen e identitetit të saj me sfond të krishterë. Prandaj, supozohet se në kontinentin evropian, Kosova do të jetë gjithmonë vend i nëpërkëmbur. Unë, duke qenë neutral ndaj religjioneve, nuk e them dot nëse është i mirë apo i keq islami, por në sytë e Evropës ai duket i rrezikshëm, kërcënues dhe destabilizues, sepse e kërcënon kompaktësinë e saj. Evropa qoftë e krishterë, qoftë laike, do ta refuzojë gjithmonë islamin, sepse ky është rrezik si për identitetin e saj të krishterë, ashtu edhe për identitetin laik të saj. Mirëkuptim ndaj tij mund të ketë nganjëherë, pranim të tij – kurrë. Viteve të fundit ne jemi pozicionuar fort në këtë pjesën e kurrës, ashtu siç jeni pozicionuar ju fort në identitetin tuaj bizantin që e ka humbur betejën qysh në Mesjetë dhe s’do të këndellet kurrë. Pra, edhe ju bëni pjesë në një kauzë të kurrës, të pashpresë.
Për shkak të përkatësisë fetare, Evropa ju sheh si rusë të vegjël në juglindje të kontinentit të saj, ashtu siç na sheh ne si turq (dhe arabë) të vegjël. E vërteta është se të dy palët, ju dhe ne, duhet ta bindim Evropën se s’jemi as rusë, as turq (as arabë), por që jemi fqinj evropianë që mund, duhet dhe duam të jemi miq. Natyrisht, nuk ka asgjë të keqe të jesh rus, apo turk, apo çfarëdo qoftë, por kur s’je, bëhesh qesharak të pretendosh se je.
Evropa po përpiqet të bashkohet. Ajo herëdokur do të jetë një SHBE (Shtetet e Bashkuara të Evropës), dhe atëherë s’do të ketë më rëndësi nëse shqiptarët do të jetojnë në Kosovë, Serbi, apo gjetiu. E njëjta do të vlejë edhe për serbët. Atdheu ynë do të jetë kontinenti ynë. Dhe ky identitet kontinental do të realizohet sapo ta kuptojnë politikanët e Evropës se ky identitet nuk mund të ngrihet mbi baza fetare, por mbi baza sekulare. Nëse Evropa do të insistojë në identitetin e krishterë të saj, ajo kurrë s’do t’ia dalë të bashkohet. Vetë kombi është kombinacion identitetesh të bashkuara rreth një qëllimi, e lëre më një koleksion kombesh. Dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se identiteti evropian, demokracia evropiane, është proto-kristiane. Evropa kishte identitet kristian vetëm në Mesjetë kur autoriteti kryesor ishte Papa, ndërsa institucioni kryesor ishte Kisha. Pastaj erdhi Rilindja, periudha që rilindi konceptet proto-kristiane, mësimet klasike dhe dijen (racionalizmin). Kështu nisi Moderna. Pra, duhet ta dimë që Evropa e sotme nuk është mesjetare (e krishterë), por moderne (sekulare). Prandaj s’ka kuptim të flitet për rrezikun që mund t’i vijë Evropës nga muslimanët. Jo. Evropës i vjen rreziku nga feja, jo nga muslimanët. Pra, rreziku i vjen nga insistimi në identitetin fetar të saj, që është identitet mesjetar, dhe që s’mund të jetë identitet aktual, por mund të jetë një nga elementet e identitetit. Natyrisht, nëse e shohim gjendjen e fesë islame aktualisht, meqë në historinë e saj nuk ka një Reformë (siç pati krishterimi), duket më e prapambetur, prandaj edhe shihet si faktor destabilizues. Por, nëse ajo reformohet, a do të pranohet në Evropë? Jo. Nëse Evropa insiston në identitetin fetar, kurrë s’do ta pranojë shtrirjen e një feje tjetër. Sipas logjikës evropiane, një fe njëson, dy fe përçajnë.
Jo njëherë është thënë që Kosova, ashtu si Bosnja, është vend musliman, dhe si i tillë s’ka përkrahje nga shtetet evropiane. Nëse shtetet evropiane qenkan fetare, ne njerëzit sekularë duhet të kërkojmë kontinent tjetër, apo ndoshta planet tjetër. Evropa nuk do të mbijetojë me arrogancë, por me tolerancë. Një tolerancë që ia garanton tjetrit besimin, por pa ia dhënë frenat fesë. Ajo çka njohim sot si mitologji, dikur ishte fe. Ajo çka njohim sot si fe, nesër do të jetë mitologji.
Identiteti evropian është identitet humanist. (Edhe me humanizmin është abuzuar, por etimologjia është më e fortë se ideologjia, prandaj le të kapemi për rrënje). Humanizmi është botëkuptim joteistik (jofetar) që e ka vënë në qendër njeriun, dhe garanton lirinë e fjalës, të drejtat e njeriut, politikat progresive, zhvillimin e shkencës dhe demokracinë. Pak a shumë, humanizmi i garanton të gjitha ato që i proklamonin filozofët e racionalizmit etik. Evropa do të duhej t’i pranonte të gjithë: të krishterët, muslimanët, hebrenjtë, budistët dhe, natyrisht, sekularët, që e nxorën atë në modernitet. Do të duhej, por nuk do.
I dashur mik i munguar, më vjen keq që jemi këta që jemi. Identiteti nacional është aksidental. Kështu kemi qëlluar, s’e kemi kërkuar. Njeriu sa më i kulturuar, aq më pak kombëtar bëhet e aq më shumë i shërben kombit. Por, i shërben atij kombi që shton kolorit në një mozaik, jo atij tjetrit që e shkatërron atë mozaik.
Nuk më pëlqen të futem në politikë, por, herë pas here, s’mund ta shmang një reflektim ‘metapolitik’, siç e quan Peter Bien, pra një reflektim që s’e kam kthyer në involvim, por që është i pashmangshëm dhe me qëllime më të larta se ato politike. Kultura duhet ta emancipojë politikën, dhe shteti është çështje shumë serioze për t’ua besuar politikanëve, të cilët, më përjashtim të ndonjë figure historike, jo vetëm që ngriten nëpërmjet një partie, por edhe e ngrenë atë parti mbi shtetin. Sipas tyre, shteti vlen vetëm nëse qeveriset prej tyre.
Ky këndvështrim miop nuk i shërben shtetit dhe, mjerisht, shtetet tona s’po lirohen prej këndvështrimeve të tilla. Nëse them se asnjë popull s’duhet t’u bindet politikanëve të vet, kjo nuk duhet parë si thirrje për anarki, por si thirrje për vigjilencë. Mjerisht, në Kosovë dhe në Serbi, s’ka votues kritikë aq sa pë të bërë ndryshimin. Votuesit në të dy vendet janë tifozë. E, me tifozët s’mund as të diskutosh. Ata thjesht bërtasin, e përkrahin dhe e mbrojnë ekipin e vet, edhe kur ai ekip sjell vetëm humbje.
Ne duhet të jemi kritikë ndaj politikave konfliktuoze. Vendet tona kanë nevojë për paqe. Në momentin që e shohim se shtetet tona po garojnë se kush është më i forti, duhet ta dimë se do ta pesojmë ne të dobëtit, qytetarët e papushtet. Politika manipulon si me pesimizmin, ashtu edhe me optimizmin, ndërsa kultura insiston në mbajtjen gjallë të shpresës, edhe kur drita e kandilit dridhet në furtunë. Letërsia na mëson se më i forti nuk është ai që e mund tjetrin, por që e do më shumë tjetrin. Le t’ia nisim kësaj gare që edhe pse s’ka cak, do të ketë rezultat, një rezultat të pabesueshëm: e fal të kaluarën, e qetëson (pacifizon) të tashmen dhe e bën më të bukur të ardhmen.
Edhe pse mbrapa kemi një histori të përgjakshme mes nesh, do të doja që falë historisë së miqësisë që mund të kemi në të ardhmen, të nisim të kujdesemi së bashku për njëri-tjetrin. Sigurisht që duhet kohë e punë për këtë, por prandaj duhet nisur sa më parë, që nesër fëmijët serbë dhe shqiptarë mos të lindin “n’mni t’njeni-tjetrit”.
Sa më parë që ta kuptojmë se humanizmi është më i rëndësishëm se religjioni dhe nacionalizmi, aq më shpejt do të jemi fqinj të mirë, miq të mirë, njerëz të mirë.
I dashur mik i munguar, shfaqu se të kërkon e sotmja, për të mirën tënde nesër! Le t’u tregojmë politikanëve tanë që grinden si fëmijë, se ne të rriturit s’do të bëjmë sehir duke i parë në televizon e duke heshtur në shtëpi. Kurrgjë mos bëfshim, do të qeshim e do t’i përqeshim. Se, edhe përqeshja tregon relacion distancues nga rrahagjoksat që duan ta elimonojnë tjetrin. Tjetri s’është patjetër armik. Atë duhet parë si mik potencial. Për ta kthyer tjetrin në mik, duhet mund, mirëkuptim e kohë. Por, përderisa politikanët tanë turren për ta trembur njëri-tjetrin, ne le ta zgjasim dorën për t’ia hequr frikën njëri-tjetrit, në një përshëndetje si ajo në kohët e lashta. Dhe, meqë s’jemi popull hyjnor asnjëri, le ta kuptojmë që koha është po aq e shtrenjtë sa edhe miqësia.