Shkrimtari Elias Canetti dhe historia e familjes së tij
Cañete. Në Spanjë ende ekziston kjo komunë, që dikur ka qenë qytet. Kur më 1492 ra Granada, kalaja e fundit arabe, kurora spanjolle i përndoqi jo vetëm myslimanët, por edhe hebrenjtë. Ata u shpërndanë nëpër botë. Në Angli, në Holandë dhe në Perandorinë Osmane – nga Maroku deri në Detin e Zi.
Në Cañete jetuan edhe paraardhësit e Elias Canettit (1905-1994), shkrimtar nobelist, i varrosur në Zürich. Nga Cañete ata morën mbiemrin dhe e italianizuan në Canetti. Nga atje morën edhe gjuhën, spanjishten e shekullit XV. Canettët u përcaktuan për Perandorinë Osmane. Në shekullin XIX ata përmenden si tregtarë të njohur në Edrene, në Adrianopojë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë fund të atij shekulli, rreth vitit 1890, gjyshi i Elias Canettit vendosi të shpërngulej në Ruse, një qytet në Bullgari, pranë kufirit me Rumaninë. Ruse ishte qytet me plot ngjyra dhe me shumë etni – bullgarë, rumunë, turq, grekë, shqiptarë (të cilët Canetti i përmend në kujtimet e tij), armenë, romë. Dhe, natyrisht, hebrenj.
Ruse ishte qytet i njohur për tregti. Tregtinë e mundësonte jo vetëm talenti i tregtarëve, e sidomos i hebrenjve. Tregtinë e bënte të mundshme edhe gjeografia. Pranë Ruses kalon Danubi, i cili përbën edhe kufirin me Rumaninë. Nëpër Danub shkonin e vinin anije me mallra. Nga Vjena në drejtim të Detit të Zi. Nga Deti i Zi drejt Vjenës. Më 1866 nga stacioni i trenit në Ruse u inaugurua vija e parë hekurudhore e Bullgarisë – deri në portin e qytetit të Varnës në Detin e Zi.
Arkitektura nën ndikimin austro-hungarez ka bërë që Ruse të quhet edhe “Vjena e vogël”. Ruse ka qenë vendbanim i rëndësishëm edhe në kohët romake. Romakët e quajtën Sexaginta Prista, qyteti i 60 anijeve, për kaq anije kishte vend për ankorim në portin e lumit. Përmes Danubit nuk vinin vetëm anije, por edhe ide politike e kulturore, e nganjëherë edhe oferta për punë.
Njëri nga paraardhësit e Elias Canettit ishte konsull i përgjithshëm i Austrisë në Ruse. Prindërit e Elias Canettit u arsimuan në Vjenë. Në metropolin e madh nëpër të cilin po ashtu kalon Danubi, ata zbuluan dashurinë e tyre për teatrin, muzikën, letërsinë, kulturën në përgjithësi. Këtë kulturë ia “injektuan” edhe të birit të tyre, Eliasit. “Wien” (Vjena) ishte fjala e parë gjermane që prindërit ia mësuan Elias Canettit. Elias është emër biblik. I përket edhe traditës hebraike. Ilaz është emri i profetit mysliman.
Në Ruse, Elias Canetti jetoi 6 vjetët e parë të jetës së tij. Pastaj Anglia u bë atdheu i tij i dytë. I treti – Zvicra. Vjena ishte atdheu i katërt. Vitet mes 1971-1994 Canetti i kaloi në atdheun e tretë, në Zvicër.
Për të qenë shkrimtar i mirë padyshim është i domosdoshëm talenti. Por, siç tregon origjina dhe biografia e tij, një bazë e mirë financiare e siguruar nga familja, përfshirë edhe interesimin për kulturë, lehtësojnë rrugën e çdo të talentuari për t’u bërë shkrimtar.
Dy fjalë në fund: Veza Canetti, gruaja e parë e Elias Canettit, një kohë ishte shtetase jugosllave. Si ndodhi kjo? E ëma e saj, Rachel Taubner-Calderon, ishte një aristokrate e komunitetit hebraik në Bosnjë dhe Serbi, i ati i saj një tregtar hungarezo-hebraik.
Pak vjet para se të vdiste Elias Canetti, në Ballkan shpërtheu lufta e radhës. Për Canettin kjo ishte një shenjë se jetën e kishte kaluar kryesisht në kohëra lufte. Vdiq më 14 gusht 1994. Më 17 gusht u varros në varrezat Fluntern të Zürichut, pranë James Joyce-it, gjigantit letrar nga Irlanda.