Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Lufta e Kadaresë mes realizimit dhe impresionizmit

Ismail Kadare (28 janar 1936 – 1 korrik 2024) nga fillimi i karrierës, çdo dekadë nën diktaturë e ka shënuar me nga një roman të madh, që i ka lënë nën hije romanet e tjera të Shqipërisë (Foto: Ilustrim, Riccardo Vecchio/The New Yorker)

Ismail Kadare (28 janar 1936 – 1 korrik 2024) nga fillimi i karrierës, çdo dekadë nën diktaturë e ka shënuar me nga një roman të madh, që i ka lënë nën hije romanet e tjera të Shqipërisë (Foto: Ilustrim, Riccardo Vecchio/The New Yorker)

Si shkrimtar “i pakujdesshëm” që kishte harruar Partinë (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 1963), si shkrimtar që vret e pret në të katër anët, si “bukëpërmbysës” që kishte vjellë zi e më zi kundër shkollës në të cilën kishte ndjekur studimet, Ismail Kadare nuk mund të mos zgjonte inatin e udhëheqësisë komuniste shqiptare. Derisa shkrimtarët zyrtarë të Shqipërisë, ndiheshin komod me sistemin dhe shkruanin për diellin ideologjik që i ngroh të gjithë komunistët njësoj, Kadare nuk ia hiqte retë as shiun tokës shqiptare. Përballë zhvillimit industrial të vendit, përballë peizazheve urbane dhe motit të mirë që proklamonte Partia dhe letërsia e saj, në romanet e Kadaresë “ishte një truall i vështirë dhe vazhdimisht bënte mot i keq”

Derisa romanet shqiptare shkruheshin në mënyrën “dëshirore” (siç dëshironte Partia), Ismail Kadare shkruante romane në mënyrën dëftore, por subjektive. Në këtë plan, duhet kuptuar që ai kurrë s’ka qenë shkrimtar disident, pavarësisht elementeve eventuale të disidencës, porse ka qenë një shkrimtar që e ka parë realitetin ashtu si i dukej atij, e jo ashtu siç pretendonte Partia se ishte. Një optike iluzioniste kolektive që dominon në romanet shqiptare, Kadare ia kundërvë optikën realiste personale, prandaj ai s’i bindet Gorkit, por e përqafon Gogolin, me realizmin e të cilit ngjan më shumë se me çfarëdo realizmi tjetër.

Po të pretendonte të ishte disident, Kadare do ta flijonte jetën për veprën, ose, në rastin më fatlum, do të jepej më shumë pas angazhimit sesa pas vetë rrëfimit. Disidenca, si prani apo si mungesë, nuk ia shton e as ia ul vlerën veprës së tij, ngaqë ajo është akt intelektual e moral, por jo a priori edhe vlerë estetike e letrare. Siç e ka vërejtur Agron Tufa, “tëhuajësimi i parë i Kadaresë nga socrealizmi ka qenë mospajtimi stilistik dhe estetik” (2011: 322).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, i botuar në vitin 1963, u kritikua nga kritika zyrtare, mandej u hesht sikur të mos ekzistonte fare, për t’u shfaqur prapë në vitin 1967 si një version i ri i romanit, natyrisht me disa kompromise të vogla, të cilat prapë nuk e kënaqën kritikën zyrtare, por as nuk e dëmtuan dukshëm veprën; assesi romani nuk arriti të deformohej siç e donte doktrina socrealiste.

Ndryshe nga Shuteriqi, Musaraj, Abdihoxha etj., që glorifikonin revolucionin dhe socializmin; ndryshe nga idealisti Petro Marko që udhëhiqej nga ideja e internacionales komuniste; ndryshe nga Dritëro Agolli që kritikonte lëshimet e sistemit, por jo sistemin, -  Ismail Kadare me romanin e parë kishte injoruar stilin socrealist, kishte shmangur heroin pozitiv, kishte harruar qëllimisht rolin e Partisë në zhvillimet aktuale dhe kishte treguar se mund të shkruhej roman edhe pa e përmendur Partinë dhe pa pasur nevojë për mësimet e Gorkit, të cilat ai i kishte konceptuar si vdekjeprurëse për letërsinë e vërtetë.

Ashtu si e kishte injoruar ai Partinë, edhe Partia do ta injoronte atë. Në shkrimet kritike që bëhen gjatë viteve ‘60, Kadare herë “këshillohet” si duhet të shkruajë në të ardhmen, herë përmendet kalimthi, e më shpesh injorohet fare. Në mesin e “etërve të prozës”, si Shuteriqi, Musaraj, Abdihoxha, Xoxa, Gjata etj., të cilët i donte kritika zyrtare, Kadare përmendet sikur të ishte ndonjë rishtar e kurrsesi si autori i romanit më të mirë shqiptar të shkruar deri atëherë. Nëpërmjet kësaj hileje që bënte kritika e asaj kohe, synohej që edhe “rishtari” të kthehej në udhë të drejtë e të ndiqte gjurmët e “priftërinjve” të Partisë.

Si shkrimtar “i pakujdesshëm” që kishte harruar Partinë (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 1963), si shkrimtar që vret e pret në të katër anët (“Qyteti i jugut”, 1964, më vonë quhet “Kronikë në gur”), si “bukëpërmbysës” që kishte vjellë zi e më zi kundër shkollës në të cilën kishte ndjekur studimet (“Një verë në Dubulti”, 1972), Ismail Kadare nuk mund të mos zgjonte inatin e udhëheqësisë komuniste shqiptare. Derisa shkrimtarët zyrtarë të Shqipërisë, ndiheshin komod me sistemin dhe shkruanin për diellin ideologjik që i ngroh të gjithë komunistët njësoj, Kadare nuk ia hiqte retë as shiun tokës shqiptare. Përballë zhvillimit industrial të vendit, përballë peizazheve urbane dhe motit të mirë që proklamonte Partia dhe letërsia e saj, në romanet e Kadaresë “ishte një truall i vështirë dhe vazhdimisht bënte mot i keq”.

Kjo nuk mund të zgjaste gjithmonë, durimi i Partisë kishte fund. “Dasma” (1968), ky “roman i hekurave” (hekurudhës), nuk e shfaqte atë talent të jashtëzakonshëm që ishte shfaqur te “romani i eshtrave”. Pesë vjet pas romanit për “martesën” e dy të rinjve kundër zakonit kanunor (“Dasma”), botohet romanin për “divorcin” shtetëror mes Shqipërisë dhe Rusisë, “Dimri i vetmisë së madhe” (1973), të cilit iu bënë shumë vërejtje për shtrembërime ideologjike. Në vitin 1982, botohet romani tjetër politik, “Koncert në fund të dimrit”, që flet për një divorc tjetër, mes Shqipërisë dhe Kinës. Në të dy këto romane, e sidomos në të dytin, autori ruan distancën epike për ta neutralizuar rrëfimin realist dhe për ta sublimuar intrigën dramatike, që është njëherësh edhe pika e fortë e Kadaresë, i cili, sidomos falë ndërtimit të intrigës, është vlerësuar si një Shakespeare bashkëkohor.

Përjashto “Dasmën” (që autori e shkroi pa dëshirën e tij, pasi e çuan në Berat të njihej për së afërmi me popullin) dhe “Nëntorin e një kryeqyteti”, romanet e tjera të Kadaresë dëshmojnë një talent të madh, një romancier botëror, i cili, duke pasur prejardhje nga e njëjta lagje me diktatorin, mbase gëzonte simpatinë e tij, prandaj edhe një liri më të madhe se të tjerët. Pavarësisht kësaj qasje pozitiviste, të cilën e theksojnë vazhdimisht disa kritikë shqiptarë, talenti i tij ishte fenomen që dukej si një dhunti hyjnore për letërsinë shqipe, në të cilën kishin parakaluar vazhdimisht romancierë pa ndonjë talent të veçantë.

Për t’i ikur realitetit aktual sipërfaqësisht, Kadare i kthehet historisë, duke krijuar romane specifike me një sfond historik: “Kështjella”, “Komisioni i festës”, “Pashallëqet e mëdha”, “Kamarja e turpit” – janë romane me referencë në sulmin, pushtimin, apo krimet e Perandorisë Otomane mbi popullsinë shqiptare, natyrisht herë-herë duke i ngritur në nivel përgjithësimi për t’i shndërruar në simbole. “Kështjella” shpesh lexohet si roman alegorik, ndërsa përgjithësimi u mungon veprave “Komisioni i festës”, “Pashallëqet e mëdha” dhe “Kamarja e turpit”. Me sfond të tillë, por me impuls folklorik, janë edhe romanet “Kush e solli Doruntinën” dhe “Ura me tri harqe”, të cilat janë romane me temë legjendare dhe me strukturë detektive. Është pikërisht shtjellimi i tyre sipas parimeve të romanit policor që i risemantizon ato, por është triumfi i legjendës ai që i mbron nga zhveshja e misterit. Po ashtu edhe dy etnoromanet, “Prilli i thyer” dhe “Dosja H” përtërijnë teknikën e prozës shqipe, sado që tematikisht “e vjetërsojnë” atë qëllimisht.

Ismail Kadare, nga fillimi i karrierës, çdo dekadë nën diktaturë e ka shënuar me nga një roman të madh, që i ka lënë nën hije romanet e tjera të Shqipërisë: në vitet ‘60 botohet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në vitet ‘70 botohet “Kronikë në gur”, kurse në vitet ‘80 botohet “Prilli i thyer”. “Gjenerali” është romani më shqiptar në temë dhe më proteiku në formë, “Kronikë në gur” është rrëfimi më i bukur në letërsinë shqipe, roman i “frymës lokale”, ndërsa “Prilli i thyer” është romani tragjik që aktin e vjetër juridik e kthen në fakt estetik. Edhe sikur t’i kishte shkruar vetëm këto tre romane, Kadare në letërsinë shqipe do të mbetej po ai që është: lider i letërsisë.

Veprat tjera, qoftë antidogmatike (“Përbindëshi”), qoftë kompromise politike (“Dasma”), nuk arrijnë t’ia rrisin apo t’ia zvogëlojnë vlerën autorit të tyre. Si krijimtaria e çdo autori të madh, edhe letërsia e Kadaresë ka dy anët e saj: të zakonshmen dhe të jashtëzakonshmen. E zakonshmja e Kadaresë është për disa shkallë më lart se e zakonshmja e letërsisë së Shqipërisë, kurse e jashtëzakonshmja e tij është në nivel sipëror ndaj letërsisë shqipe, qoftë edhe vetëm për faktin që Kadare ka kaluar testin ndërkombëtar (në të cilin kanë ngelur të gjithë autorët e tjerë shqiptarë) dhe është pranuar si zë i veçantë në letërsinë bashkëkohore botërore.

Përkundër presionit nga aparati shtetëror për ta mbytur rrëfimin antisocrealist, Kadare gjatë komunizmit shkroi e botoi vepra që ngjanin si nata me ditën me veprat e shkrimtarëve të tjerë të Shqipërisë. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Kështjella”, “Kush e solli Doruntinën”, “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer” dhe “Viti i mbrapshtë” –  janë vetëm disa nga romanet e Kadaresë të botuar nën diktaturë që tregojnë qartë se krahas letërsisë bajate të realizmit socialist në Shqipëri shkruhej e, sado me vështirësi, botohej edhe letërsi e njëmendtë. Me realizmin që shpesh ishte magjik, Kadare e kishte mposhtur socrealizmin, apo realizmin e socialistëve që mund të ishte gjithçka tjetër, pos realizëm, sepse vetë realiteti ishte çuar kundër këtij realizmi.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, në krijimtarinë e Kadaresë nis një fazë e re letrare e cila mund të lexohet si “një autopsi komunizmit”. Romanet “Piramida”, “Hija”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Vajza e Agamemnonit”, “Pasardhësi”, “Përballë pasqyrës së një gruaje”, “Çështje të marrëzisë”, “E penguara”, “Darka e gabuar” – janë romane të botuara (disa edhe të shkruara) në demokraci në Paris, por që i referohen kohës së komunizmit në Shqipëri.

Konstatimet e shpeshta të kritikëve se romanet e Kadaresë të shkruara gjatë komunizmit janë më të mira, tregojnë qartë se romanet e mëvonshme të tij, me gjithë ato implikime mitike, legjendare, historike e politike nuk janë lexuar, as studiuar, sa e si duhet. Në të vërtetë, Kadare nuk ka pushuar së qeni romancier i mirë, vetëm se tash (pas regjimit) është bërë më i vështirë.

Kadare nën diktaturë i kundërvihej socrealizmit me realizëm subjektiv (impresionizëm), ndërsa pas rënies së komunizmit realizmi i tij shkon duke u bërë më magjik, më surreal, më fantastik, ndërsa si atëherë edhe tash strehë të përhershme i ka antikën dhe legjendat nga i merr edhe linjat për të tërhequr paralele të rrëfimit me aktualitetin. Nga miti ai nxjerr mesazhet për t’i bërë veprat e veta universale, pra të kapshme për të gjitha kulturat dhe në të gjitha gjuhët, sepse mitet ruajnë dhe përçojnë paradigma, për të gjitha aktivitetet e rëndësishme në të cilat njerëzit angazhohen (Eliade 1959: VIII). Miti e thellon vertikalen e veprës së tij, duke u risemantizuar falë parimit të gjetjes së analogjisë mes antikitetit dhe aktualitetit. Pra, duke futur në çdo roman elemente nga antikiteti, Ismail Kadare lidh të tashmen me të kaluarën, lidhje kjo që rezulton me mesazhin për të ardhmen. Kështu, romanet e tij ngërthejnë tri kohët, jo si të ndara nga njëra tjetra, por si një kohë e vetme që përsërit vetveten. Si të tilla, ato kthehen në përgjithësime artistike që u flasin të gjitha kohëve dhe të gjitha vendeve me një gjuhë të pastër simbolike, ngaqë dihet se përgjithësimi gjithmonë shpie drejt simbolit, kurse simboli imponohet si vlerë e veçantë në hapësira provinciale dhe universale.

Kadarenë mund ta quajmë realist vetëm kushtimisht, ashtu siç quhej edhe Gogoli, ndonëse përdorte rrëfimin fantastik (“Hunda” dhe “Portreti”). Kritikët Faye dhe Morgan kanë vërejtur te “Gjenerali” një impresionizëm të pastër, që arsyetohet me pozicionimin e narratorit në krah të gjeneralit për ta paraqitur realitetin e huaj për gjeneralin sipas mënyrës sesi e ndien gjenerali, të cilit i duket sikur bjeshkët do ta hanë atë si Skilla e Karibda, kodrat do ta gërvishtin avionin, tokën do ta ketë vazhdimisht armike etj. Vetë Kadare mendon që rrëfimi i tij nuk ka të bëjë me realizmin: “Unë vetë kam krijuar diçka që nuk është aspak balzakiane” (Faye 2007: 28).

Realiteti në kohën e komunizmit ishte skizofrenik: realiteti që e jetonin dhe realiteti që e idealizonin. I pari ishte konkret, i dyti ishte abstrakt, të cilin bënin “sikur” e jetonin. Te “Gjenerali” përplasen këto dy realitete, duke u favorizuar i pari, por duke u punuar në makinën retorike, për t’u krijuar kështu një Shqipëri që është më afër Transilvanisë së Stoker-it sesa utopisë së Enverit. Që në fillim kemi terrenin e vështirë dhe motin e keq. Gjatë gjithë rrëfimit kemi shiun, bjeshkët e frikshme dhe një gjeneral që endet nëpër varreza. Kadare ka përpunuar vendin dhe motin (pra, realitetin) për t’ia përshtatur botës psikologjike të gjeneralit. Ajo torturë e jashtme që jepet nëpërmjet motit e terrenit, është në fakt torturë e brendshme.

Në këtë kuptim, “Gjenerali” është roman që mund të lexohet si impresionizëm dhe realizëm psikologjik, por jo si realizëm. Realizmi psikologjik, në fakt, është impresionizëm, sepse të dyja absolutizojnë subjektivitetin, veçse realizmi psikologjik lidhet më shumë me karakterin, kurse impresionizmi me ndikimin që ka realiteti te karakteri.

Natyrisht, impresionizmi i këtij romani nuk krijohet krejtësisht sipas rregullave të rrymës, madje tematikisht ai është kundër impresionizmit, autorët e të cilit rrëfejnë për personazhe “të shkëputura nga problemet sociale, politike dhe etike” (Heiney et al 1974: 134). Por, në kuptimin e të qenit kundër realizmit dhe natyralizmit dhe në përshkrimin e realitetit të subjektivizuar, “Gjenerali” është i krijuar me optikë impresioniste, që, ndryshe nga realizmi, “nuk përfill aq ngjarjet e jashtme sa proceset mendore që ndodhin në përballje me ngjarjet” (Heiney et al 1974: 133). Madje, ky roman paraqet në mënyrë shembullore luftën mes realizmit dhe impresionizmit.