Shtojca për Kulturë

KTV 25 vjet – gazetari besnike ndaj parimeve

KTV - 25 vjetori

Në këto 25 vjet të KTV-së, nuk janë vetëm vitet që kanë rëndësi, por fakti se Koha ka mbetur besnike ndaj konceptit që e themeloi. Dhe kjo është arsyeja pse, edhe sot, në momentet më të rëndësishme për Kosovën – zgjedhje, kriza apo situata të pasigurta – publiku të vërtetën e kërkon dhe e gjen te ne. Ky është suksesi më i madh i këtyre 25 vjetëve: mbajtja gjallë e një koncepti të gazetarisë së përgjegjshme dhe të pavarur, që i shërben shoqërisë dhe shtetit që lindi ndërkohë!

Sot kur Koha shënon 25 vjet të televizionit të saj, feston një kapitull të një koncepti që nisi shumë më herët. Që nga viti 1997 me gazetën, Koha u dallua si një hapësirë e gazetarisë së pavarur dhe alternative, e cila e vendosi në qendër profesionalizmin, interesin publik dhe etikën. Ajo që nisi si një përpjekje për të bërë gazetari ndryshe, shpejt u shndërrua në një shkollë të qëndrueshmërisë dhe të përgjegjësisë shoqërore.

Gazetaria e Kohës u ngrit mbi një ide të thjeshtë, por të fuqishme: fjala e lirë është një e drejtë, por edhe një detyrim. Të shkruash me korrektësi, të raportosh me saktësi dhe të rezistosh ndaj çdo ndikimi – politik, ekonomik apo të çfarëdo natyre tjetër – nuk ishte vetëm zgjedhje profesionale, por edhe detyrë qytetare. Për shumë prej nesh që iu bashkuam në vitet e para, ky ishte vendi ku parimet personale dhe misioni i medias përputheshin.

Pas luftës, më 2000, Koha u zgjerua me KTV-në. Hapja e televizionit ishte hap i madh, që kërkonte guxim e vizion, por që nuk e ndryshoi thelbin: të bëjë gazetari në shërbim të publikut. Dilema mes gazetës dhe televizionit nuk ishte çështje koncepti, por forme. Për mua vendimi për të mos iu bashkuar ekipit themeltar të deskut të lajmeve në televizion, qe udhëhequr nga këshilla e njeriut tim më të dashur që më njihte mua më mirë se që unë e njihja veten. “Në gazetë ke mundësi të analizosh, të mendosh e të shkruash. Ta lexosh e rilexosh tekstin para se të publikohet. Në televizion je nën presionin e afateve. Sekondat nuk presin. Fjala nuk shlyhet”. Kështu do t’i përmbledhja fjalët e tij, që atëherë e tash e përgjithmonë, këto dhe shumë të tjera, jo veç që nuk shlyhen, por mbesin si profeci në formimin tim. Ishte një vërejtje që e theksonte rëndësinë e kujdesit dhe të korrektësisë. Që e kishte parasysh natyrën time. Përgjatë dy dekadave në Kohën Ditore e ndërtova përvojën mbi këto premisa, duke e vënë gjithë vullnetin, energjinë e dëshirën në funksion të konceptit që na kishte mbledhur bashkë.

Viti 2020 shënoi një etapë të re në Kohë. U integruan në një strukturë të përbashkët editoriale redaksitë e gazetës, televizionit dhe portalit. Sot, ky bashkim e ka bërë ekipin edhe më të fortë, duke ofruar informim cilësor pavarësisht platformës. Desku i integruar i mban gjallë parimet e gazetarisë profesionale në një realitet gjithnjë e më sfidues.

Sepse sfidat janë reale. Në tregun e sotëm mediatik në Kosovë, sensacioni shpesh ka më shumë vlerë tregu sesa e vërteta. Publiku shpesh joshet nga trivialiteti, ndërsa gazetaria serioze nuk është e lehtë të mbahet. Në rrethanat ekonomike të vendit, gazetaria me standarde të larta shpesh nuk shpërblehet financiarisht. Por Koha ka mbijetuar pikërisht falë sakrificës së përbashkët të njerëzve që punojnë aty, të cilët kanë zgjedhur të mos heqin dorë nga parimet, edhe kur kjo nuk sjell përfitim material. Falë forcës së Flakës për ta mbajtur peshën e gjithë kësaj, pa kusht, pa kompromis e pa dorëzim.
Kjo nuk është arsye për vetëlavdërim, por për të kuptuar se çmimi i integritetit është i lartë. Dhe ky çmim paguhet çdo ditë, në çdo shkrim, në çdo edicion, në çdo vendim redaksional. Është një rrugë e vështirë, por e vetmja që garanton besueshmëri.

Në këto 25 vjet të KTV-së, nuk janë vetëm vitet që kanë rëndësi, por fakti se Koha ka mbetur besnike ndaj konceptit që e themeloi. Dhe kjo është arsyeja pse, edhe sot, në momentet më të rëndësishme për Kosovën – zgjedhje, kriza apo situata të pasigurta – publiku të vërtetën e kërkon dhe e gjen te ne.
Ky është suksesi më i madh i këtyre 25 vjetëve: mbajtja gjallë e një koncepti të gazetarisë së përgjegjshme dhe të pavarur, që i shërben shoqërisë dhe shtetit që lindi ndërkohë!