Në fillim të këtij viti në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Por qeveria e re nuk është krijuar ende, e parlamenti është konstituuar – pak a shumë, se varet kë e pyet – por nuk është funksional. Meqë rezultati zgjedhor nuk nxori një fitues absolut, në përpjekjet për formimin e qeverisë e konstituimin e parlamentit ka pasur e ka ende shumë konfuzion për gjëra juridike e administrative, gjëra të cilat, siç duket secili i intepreton si të ketë qejf.
Prandaj, për secilin veprim që ndërmerrej këta 9 muaj, në përpjekje për të konstituar parlamentin, një grup politik i dërgonte një pyetje Gykatës Kushtetuese. E ajo merrte ca javë, dhe pastaj, si me avashllëk, përgjigjej (zakonisht duke dhënë një përgjigje të mjegullt). Por pastaj, gjërat nuk shkonin si duhej, dhe pyetjes së parë, dikush ia shtonte edhe një nënpyetje dhe Gykata Kushtetuese sërish përgjigjej pas disa javësh a muajsh. Gjithsesi, as tani pas pothuajse 9 muajve, Kosova nuk ka as parlament e as qeveri funksiononale. Se, qeveria në detyrë, është legjitime – prapë, varet kë e pyet – megjithatë, autorizimet i ka të limituara, e si rezultat, gjithçka është duke funksionuar në stilin “shohim e bëjmë”. Kështu është edhe për sa i përket skenës kulturore. Ministria e Kulturës akoma s’i ka shpallur rezultatet e plota të konkursit për mbështetje financiare të skenës së pavarur kulturore për këtë vit, ndërkohë që 90 për qind të ngjarjeve kulturore tashmë kan përfunduar.
Dhe sikur të mos mjaftonte ky konfuzion nga zgjedhjet parlamentare, para disa ditësh u mbajtën edhe zgjedhjet lokale. Zakonisht, zgjedhjet lokale janë më zbavitëse, kryesisht, për shkak të fantazisë së premtimeve elektorale. Në Prishtinë, kryetari aktual, përfundimisht i ndezi motorët dhe u aktivizua në përpjekje për të ndrequr atë çfarë s’e kishte ndrequr për katër vjet. Shpërfaqi në plotni ngjyrat e tija zemërgjera për ta akomoduar e mbështetur edhe skenën kulturore. U pa në një objekt të rrënuar, të cilin tha se po e rivitalizonte për komunitetin artistik, tha se po hapte një galeri arti, nënshkroi ca memorandume “kulturore” e premtoi mbështetje për kulturën e kryeqytetit… Numëroi edhe objektet shkollore që kishte ndërtuar (disa imagjinare), shfaqi në rrjete sociale një rrugë të bukur dyqind metërshe (pa dalje)… Gjithçka tingëllonte aq panatyrshëm, sepse asgjë nga këto që po bënte tani nuk e kishte bërë për katër vjet të administrimit të Prishtinës. Megjithatë, psikologjia e votuesit siç duket kështu funksionon. Ai fitoi mbi dy kandidatët e tjerë, megjithëse tani i duhet të shkojë në balotazh. Kështu që, e shohim sërish në aksion, për ta bërë qytetin “funksional”, shohim edhe ca metra asfalt të shtruar, edhe ndonjë birucë që thotë se do të bëhet “qendër kulturore”, do të shohim edhe disa memorandume që nënshkruhen…. Ndërkohë, trafiku në Prishtinë është mbytës, kaotik, ndërkohë teatri i vetëm i qytetit që menaxhohet nga ai, ka qenë i mbyllur dhe jofunksional tash e disa vjet, ndërkohë kurrë gjatë këtyre katër vjetëve ai s’e ka vizituar teatrin e vetëm të pavarur në Prishtinë, teatrin “Oda”, ndërkohë, e ka paralizuar e bërë jofunksionale “KinoArmatën”, një hapësirë kulturore në zemër të Prishtinës…
Qytetarët e Prishtinës do të vendosin, mes një katërvjetëshi non-shalance qeverisjeje e kaosi urban dhe një zhvillimi të retushuar njëmujor!
Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit
Botohet në shqip me leje të autorit