Shtojca për Kulturë

“Komplet” në mes të kaosit të këtij shekulli si kapitull premtues

sahati

Në hapësirën e fondacionit “Hajde!” në katin e gjashtë të hotelit “Grand” në Prishtinë, njerëzit kanë qenë të shumtë për festën e Sahatit, ndonëse ngjarja është zhvilluar pa bujë

Titulli i albumit vjen edhe si një lloj determinimi i krijimtarisë së saj. Lisa Sahatçiu me EP-në “Komplet” vjen si artiste e kompletuar. Muzika e artistes që njihet me emrin artistik Sahati, shpalos ëndrrat, lutjet, traditat, qëndrimin, dëshpërimin, rebelizmin e të ardhmen. Edhe prezantimin e këtij kapitulli premtues për rrugëtimin e saj ajo e bën në mënyrë krejt unike. Hapësirën e shndërron në një lloj shtëpie të veten të cilës ia hap dyert për të gjithë

Skena e saj muzikore nisi me modesti për Lisa Sahatçiun si artiste e re. Nën emrin artistik, Sahati, ka krijuar vepra që shënjojnë fillimin e karrierës së saj përherë në ngritje. Hap i rëndësishëm në rrugëtimin artistik, është EP-ja, të cilën ajo e konsideron si të parën profesionale. Aty përmblidhet puna disavjeçare në fushën e muzikës e edhe identiteti i saj artistik. “Komplet” është promovuar në Prishtinë, pas Torontos, e asaj i është bashkëngjitur ekspozita që shfaq një pjesë të mozaikut që shfaqet në pjesën audio-vizuale të krijimeve të saj.

EP-ja në të cilën përfshihen pesë këngë në gjuhën shqipe dhe angleze ka ardhur si kulmim i natyrshëm i punës së Sahatit. Si eksperimentim i përhershëm muzikor e hulumtim i vazhdueshëm artistik. Ajo nuk është emër i ri në skenë, por zë që ka evoluar gradualisht duke ndërtuar me kujdes stilin autentik.

Në hapësirën e fondacionit “Hajde!” në katin e gjashtë të hotelit “Grand” në Prishtinë, njerëzit kanë qenë të shumtë për festën e Sahatit, ndonëse ngjarja është zhvilluar pa bujë. Kantautorja ka qenë e afërt dhe mikpritëse për secilin prej të pranishmëve. Mirëseardhja është uruar që pranë ashensorit që çon në hapësirën e “Hajde!”

 Pos për nga ana vizuale, elemente të traditës shqiptare ka edhe në ritme. Sahati shquhet për ndërlidhjen e zhanreve të ndryshme muzikore

Ata që janë nisur për t’u bërë pjesë e ngjarjes janë njoftuar se “Komplet” është përqafim i gjithçkaje që i përket njeriut. Për ëndrrat, lutjet, traditat, qëndrimin, dëshpërimin, rebelizmin e të ardhmen.

“Është pasqyrim i një versioni të këtij realiteti, por mbi të gjitha ju fton të reflektoni mbi realitetin tuaj në mes të kaosit të shekullit të 21-të. Shpresojmë të ju rikujtohet kush jeni përgjatë këtij udhëtimi”, shkruhet aty.

E publiku ka ngjarë se e ka gjetur veten aty. Janë rikrijuar ambientet e shtëpisë tradicionale nëpër të cilat publiku ka ecur në një kohë ku trendet çojnë përherë te modernia e zbehtë minimaliste. Tavolina me mbulesë tradicionale mbi të cilën janë lulet e freskëta, qe pritja e parë e publikut. Aty është një shkop që përherë digjet ngadalë si aromë që kthen në mendje e krijon nostalgji për tymin e sobës prezente në shumë prej familjeve shqiptare.

Janë po prej atyre gjësendeve që Sahati me krenari i përfshin edhe në klipet e këngëve të saj. Pos për nga ana vizuale, elemente të traditës shqiptare ka edhe në ritme. Ajo shquhet për ndërlidhjen e zhanreve të ndryshme muzikore. Nga muzika alternative e elektronike, te pop modern, me motive e tinguj të muzikës tradicionale shqiptare. Kjo qasje e bën krijimtarinë e saj të veçantë. Krijon ura midis traditës dhe modernes.

Kantautorja Lisa Sahatçiu ka thënë se e tashmja është rreth nostalgjisë për të kaluarën dhe se këtë ndjenjë synon ta ngjallë me këngë.

“Mendoj se jemi një pjesë e industrisë dhe një fazë në jetë që njerëzit kërkojnë një lloj nostalgjie dhe eksperience të hershme por në të njëjtën kohë edhe një të ardhme pak më ndryshe. E kjo është çfarë po mundohem ta sjell në mënyrën time”, është shprehur ajo në një bisedë për KOHËN.

Ajo është artiste, producente dhe luan në shumë instrumente muzikore. Vepron midis Kanadasë dhe Kosovës. Njihet për përzierjen e pop-it elektronik me ritmet ballkanike, për krijimin e përvojave unike zanore e vizuale. Sipas biografisë së saj, është pianiste e bateriste klasike.

EP-ja e parë e saj titullohet “Post-kid”. Është publikuar në vitin 2022 dhe përfshin pesë këngë.

“Është EP e parë që e kam bërë me shumë kuriozitet dhe intensitet duke e marrë si profesion tamam. EP-në e parë që e kam bërë ndonjëherë është si 16-vjeçare, por atë nuk e njoh tamam si EP formale. Më pëlqen shumë t’i përfshij traditat e elementet shqiptare, prandaj edhe kam vendosur t’i vendos disa elemente shqiptare fizike si fotografi, tentene, veshje tradicionale, sepse këto janë gjëra që më frymëzojnë”, është shprehur artistja Sahati.

E EP-ja e saj “Komplet” përfshin këngët “2010”, “Kismet”, “Again again”, “Për kon” dhe “I could say it but do you feel it?”. Është publikuar më 3 tetor dhe po atë ditë ka pasur promovimin në Toronto.

“Është si modifikim i promovimit që e kam bërë në Toronto e që ka qenë fiks në datën që ka dalë EP-ja. Këtu për shkak se nuk kam qenë në Evropë nuk kam mundur ta bëj, kështu që tash, dy muaj prej kur është lansuar, prapë kemi menduar se ia vlen ta bëjmë”, ka thënë Sahati.

Ajo edhe ka sjellë tingujt e vargjet e disa prej këngëve të saj në habitatin e saj të rrethuar nga tradita. 

Intimiteti i dhomës tradicionale është ekspozuar si hapësirë tejet e ngrohtë e ku ka vend për t’u vendosur gjithçka që individi posedon. Lulet janë përherë dekor, sikurse edhe gobleni unik me kornizë të bukur që qëndron varur. Aty janë orenditë klasike e veshjet tradicionale që, ndryshe nga sot, në ekspozitën e Sahatit, duken si veshje që nuk presin raste speciale për t’u veshur.

Një pjesë e dhomës për qëndrim ditor ndërtohet nga televizori i vjetër pa sinjal, defi si instrument tradicional përherë në gatishmëri për të ilustruar me muzikë momentet e harmonisë në shtëpi, fotografitë e vjetra që në shumë raste janë imazh për të përkujtuar e gjësende tjera për estetikën e hapësirave. Një tenenë e përmasave të mëdha mbulon një hapësirë muri dhe një tjetër më e vogël televizorin. Pranë këtij të fundit qëndron lap-topi që shfaq pa ndalim këngët e Sahatit, si dialog i evoluimit të teknologjisë.

Nëna e artistes, Nora Loxha-Sahatçiu, e cila menaxhon me hapësirën tashmë edhe kulturore “Lavjerr’S”, ka thënë se e gjitha çfarë është prezente në hapësirën e “Hajde!” është trashëgimi e dy familjeve.

“I kemi mbledhur kujtimet e familjes Loxha dhe Sahatçiu, kështu që të gjitha janë kombinim i kujtimeve të familjes së Lisës. Çdo gjë që është ruajtur, janë të shumë viteve përpara. Janë tentenet e nënave dhe gjysheve tona që datojnë prej viteve ’40 dhe ’50. Mandej dollama dhe veshjet kombëtare datojnë 40 vjet prej tash. Krejt janë kujtime shumë me vlerë të cilat përpos vlerës monetare kanë edhe vlerë emocionale e shpirtërore për familjen tonë”, është shprehur ajo duke përmendur edhe theksin e traditës në krijimet e vajzës së saj.

“Lisa me edukatën e saj e ka kuptuar vlerën e traditës shqiptare dhe mundohet që në çdo moment ta shprehë atë. Si artiste, me emrin Sahati, ajo mundohet që në çdo këngë të saj të fusë ndonjë detaj, ndonjë pamje, veshje, dhe mundohet ta promovojë kulturën shqiptare edhe jashtë vendit”, ka thënë Nora Loxha-Sahatçiu më tej.

 Intimiteti i dhomës tradicionale është ekspozuar si hapësirë tejet e ngrohtë e ku ka vend për t’u vendosur gjithçka që individi posedon. Lulet janë përherë dekor, sikurse edhe gobleni unik me kornizë të bukur që qëndron varur

Rina Statovci, koordinatore në fondacionin “Hajde!”, ka thënë se një prej qëllimeve të tyre është që të ofrohet hapësira në shërbim të artistëve nga vendi e rajoni.

“Një prej qëllimeve është të kenë një hapësirë ku ndihen të lirë të tregojnë punën e tyre, t’i ftojnë të tjerët ta shohin hapësirën në mënyrë që të krijohet një komunitet sa më i madh për artistët e rinj. Me Lisën kemi qenë në bisedime që një kohë pasi ka shprehur dëshirë të përdorë hapësirën e ‘Hajde’ për ekspozitën e saj. Të njëjtën e ka pasur edhe në Kanada dhe neve na është dukur si mundësi shumë e mirë edhe për ne edhe për Lisën që ajo ta tregojë artin e muzikën e saj. Po duket që njerëzve u ka interesuar shumë”, ka thënë ajo.

Elementet tradicionale në këngën e Sahatit nuk janë thjesht dekor. Janë të integruara organikisht në strukturën muzikore. Lisa Sahatçiu me projektet e saj ruan rrënjët dhe sjell zë të freskët në skenën muzikore shqiptare. “Komplet” është një kapitull premtues i një ylli në ngritje.